Sot, rreth orës 13:00 në Gjilan u vranë 5 persona. Një grua, policie aktive e Kosovës varu prindërit dhe dy vëllezërit e saj, dhe në fund edhe veten. Një lajm ky që tronditi jo vetëm qytetin në fjalë por tërë Kosovën.
Policja, Valdete Bllaca nga Gjilani, e cila ishte zyrtare aktive e policisë së Kosovës, ka vrarë babanë e saj Zeqir Bllaca i cili ishte e moshës 70 vjeçare, nënën Hanife Bllaca 66 vjeçare, dy vëllezërit e saj, Blerim Bllaca 43 vjeçar dhe Fisnik Bllaca 34 vjeçar.
Siç mësoi media, policja në fjalë ishte supenduar më parë nga detyrat e saj në këtë institucion për shkak të problemeve mendore që kishte, ndërsa i gjithë ky krim i rëndë ndodhi me armën e saj zyrtare.
Fqinjët e tyre kanë thënë se familja Bllaca njihej si një familje e qetë, e dashur dhe nuk kishin hasur në probleme që mund të sillnin deri në këtë pikë, sa të vriteshin nga vajza dhe motra e tyre.
“Ishin të qetë, s’dijmë që kanë pas probleme mes vete, s’i kemi dëgju kurrë të kenë pas probleme e të vinin deri në këtë pikë”, tha një fqinj i tyre.
Ndërsa, i pari i Gjilani Lutfi Haziri tha se kjo familje ka qenë shumë e dashur dhe shumë e respektuar në Gjilan. Ai tha se është një familje atdhetare dhe që kurrë nuk ka pasur probleme.
“Familja Bllaca ka qenë një familje shumë e mirë, atdhetare dhe shumë e respektuar në qytetin tonë”, tha Haziri mes lotësh.
Ngjarja e rëndë ndodhi sot rreth orës 13:00 tek lagjja ‘Bujanina’ në Gjilan, ku nga qytetarët po thuhet se është një prej vrasjeve më makabre në historinë e këtij qyteti.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ju njofton se sot rreth orës 13h, nga një zyrtare policore janë vrarë 4 persona – anëtarë të familjes së saj dhe në fund e njëjta ka kryer vetëvrasje. Sipas informatave të para, dyshohet se në lagjen ‘’Bujanina’’, në Gjilan, e ndjera V.B., zyrtare policore, në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa, pastaj ka kryer vetëvrasje”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Për ngjarjen e rëndë ka folur edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri i cili ka deklaruar se familjen Bllaca e njeh dhe ka qenë shumë bujare, ai tha se ka propozuar që të mbahet një ditë zie në Gjilan pas kësaj ngjarje të rëndë.