Protestohet kundër Tomë Gashit, kërkojnë nga Oda e Avokatëve që ta përjashtojnë

Aktuale

Protestohet kundër Tomë Gashit, kërkojnë nga Oda e Avokatëve që ta përjashtojnë

Më: 19 shkurt 2020 Në ora: 07:14
Protesta

(E plotësuar) - Me pankarta në duar “Ti a po na mbron a po na shkelë”, “Detyrë shtëpie”, “Mëso të drejtat e njeriut”, Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në Kosovë dhe një numër qytetarësh protestuan para zyrës së avokatit Tomë Gashi, pasi është xhiruar duke shqelmuar paratë dhe duke abuzuar verbalisht një lypsar.

Nga organizata Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Blendë Pira tha se akti i avokatit Tomë Gashi, kundrejt një lypsari ka qenë gjesti më i ulët që mund ta bëjë një njeri.

Sipas saj, këto veprime nuk duhet të përsëriten asnjëherë dhe se qytetarët nuk do të lejojnë që akte të tilla të mbesin në harrës.

Pira: Ne do të avokojmë gjithmonë për të drejtat e njeriut

“Jemi mbledh disa qytetarë për të shprehur indinjatën tonë ndaj një veprimi të cilin avokati Tomë Gashi ka bërë ditë më pa rë, siç e dini të gjithë një video ka dal virale nëpër rrjete dhe televizione që avokati Tomë Gashi ka qenë duke i shkelmuar paratë e një personi i cili ka qenë duke kërkuar lëmoshë në sheshin ‘Nëna Terezë’ andaj ne si Nismë e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut edhe si pjesë e shoqërisë civile e dënojmë ashpër veprimin dhe aktin e tij, ne do të avokojmë gjithmonë për të drejtat e njeriut dhe ndaj veprimeve të tilla që të mos përsëriten, nuk do të lejojmë që akte të tilla të mbesin në harrës”, u shpreh Pira.

Pira tha se, qytetarët e Kosovës gjithmonë do t’i përkrahin personat e pa mbrojtur dhe të cilët për shkak të kushteve të vështira ekonomike detyrohen të kërkojnë lëmoshë.

Kësaj proteste iu bashkëngjit edhe deputeti nga Partia Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, i cili tha se ka mbetur i shokuar nga veprimet e avokatit Tomë Gashi, e krejt kjo sipas tij pasi që Gashi i njeh shumë mirë të drejtat njerëzore dhe një veprim i tillë e ka larguar Gashin nga kompetencat dhe nga mandati i tij.

Berisha theksoi se në këtë rast Gashi ka humbur durimin dhe i ka marrë punët e shtetit në dorë.

Berisha: Gashi i mori punët e shtetit në dorën e tij

“Unë sot kam dalë me mbështet një protestë e cila ka qenë e organizuar me qëllim të shprehjes së pakënaqësisë për veprimet e avokatit të njohur Tomë Gashi, unë në forma të mija edhe nëpër media, edhe në statuse kam shprehur pakënaqësinë time dhe nuk jam ndier mirë me veprimet e zotëri Gashi për faktin se zotëri Gashi është personalitet i njohur i cili e njeh drejtësinë i njeh të drejtat e njerëzve, mundësitë të cilat i takojnë individit dhe cilat shtetit, mendoj që zotëri Gashi ka dalë prej kompetencave të veta, prej mandatit të tij, ne si qytetarë kemi të drejtë vetëm të ndihmojmë shtetin në luft imin e dukurive negative ndërsa në rastin e zotëri Gashit e ka humb durimin dhe i ka marrë punët e shtetit në dorë....Neve edhe zotërit Gashi na mbetët që këto dukuri t’i luftojmë por në mënyrë institucionale mos ta marrim ligjin dhe shtetin në dorë”, tha Berisha.

Tutje Berisha tha se, e keqja e tërë kësaj pune është që Gashi nuk ndihet i penduar për veprimin e tij.

Të njëjtin mendim ka edhe qytetari Hasan Blaku, i cili tha se ka denoncuar Tomë Gashin te Oda e Avokatëve për veprimin e tij, e sipas tij ky institucion duhet ta përjashtojë Tomë Gashin.

Blaku i irrituar nga veprimet e avokatit Gashi, iu drejtua me fjalinë, “O Tomë Gashi ta marroftë zoti fytyrën”.

Blaku: Kërkoj nga Oda ta përjashtojë Tomë Gashin

“E kam parë atë gjestin e poshtër që e ka bërë Tomë Gashi dhe jam irrituar aq shumë sa që nuk kom mundur të rri në shpi pa sh kuar në Odën e Avokatëve të Kosovës, kryetari i të cilës është Osman Havolli dhe ata e kanë edhe prokurorin aty, e kom denoncuar e kom bërë një si padi gati kam kërkuar që Oda e Avokatëve ta përjashtojë nga Oda avokatin Tomë Gashi për atë veprim t’ia merr licencën avokatit, kam kërkuar plus që mos ta delegojnë asnjëherë në Gjykatën Themelore në Prishtinë se Oda i cakton avokatët në mbrojtje sepse me fjalë të tjera jua ka marr fytyrën edhe atyre vetës më së shumti, fundi i fjalisë time e kom than o Tomë Gashi ta marroftë zoti fytyrën”, u shpreh Blaku.

Si kundërpërgjigje e kësaj proteste, para zyrës së avokatit Tomë Gashi ishte i vendosur një baner me shkrime e dëshmi për grupet e organizuara të lypsarëve që konsiderohet që janë në Kosovë.

Baner ky u cili supozohet që është vendosur nga vetë Gashi.

Vet avokati i njohur reagoi përmes rrjeteve sociale duke thënë se protesta e organizuar so t nga YIHR le të shërbejë për senzibilizimin e opinionit dhe institucioneve përkatëse, për trafikimin e fëmijëve dhe pazareve të “bosave” me lypsarët në Prishtinë.

“Shpresoj që kjo çështje më në fund ka vëmendjen e duhur dhe organet kompetente të ndërmarrin masat e duhura”, tha ai.

Ndryshe, avokati Tomë Gashi, ishte xhiruar duke shqelmuar paratë dhe abuzuar verbalisht një person i cili po kërkonte lëmoshë në sheshin “Nëna Tereze”.

Protestë kundër avokatit Tomë Gashi

Youth Initiative for Human Rights Kosovo – YIHR ka ftuar qytetarët në protestën që mbahet sot ndaj avokatit Tomë Gashi.

“Në ora 12:00 ftojmë të gjithë aktivistët dhe qytetarët e Kosovës që të mblidhen para zyrës së Avokatit Tomë Gashi ( Rr.Rexhep Luci, afër Kino ABC) për të protestuar sjelljen abuzive dhe shkeljen e të drejtës themelore për dinjitet”, thuhet në njoftim.

Gashi ishte xhiruar duke shqelmuar paratë dhe abuzuar verbalisht një person i cili po kërkonte lëmoshë në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Vet Gashi kishte reaguar duke thënë se ishte provokuar dhe se lypsarët ne shesh kanë “shefa me mercedesa” duke nënkuptuar se qëndron një grup i organizuar mbrapa tyre.

Youth Initiative for Human Rights Kosovo – YIHR KS tha se dënon fuqishëm sjelljen abuzive të avokatit Tomë Gashi dhe gjithmonë do të vazhdojë të kundërshtojë akte të tilla të dhunës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat