5 persona të vrarë, 4 policë të suspenduar! Çka thanë institucionet për tragjedinë në Gjilan

Aktuale

5 persona të vrarë, 4 policë të suspenduar! Çka thanë institucionet për tragjedinë në Gjilan

Më: 19 shkurt 2020 Në ora: 15:29
Pamje nga vendi i ngjarjes

Pesë anëtarë të familjes Bllaca në Gjilan u vranë dje nga plumbat e shkrepur nga një armë zyrtare. Motivet që çuan deri te kjo tragjedi ende nuk dihen, teksa rasti është nën hetime intensive nga organet e drejtësisë.

Valdete Bllaca, zyrtare policore, po dyshohet se me armën e saj zyrtare privoi nga jeta dy vëllezërit e saj dhe prindërit, e më pas edhe veten.

Të pesë anëtarët e familjes Bllaca që deri dje jetonin në lagjen “Bujanina” të Gjilanit u vranë për motive që tashmë ende nuk dihen zyrtarisht.

Prokuroria dhe Policia sot përmes raporteve 24 orëshe kanë dhënë versionet e tyre për atë çka ndodhi dje në Gjilan.

Policia në raportin e saj, nuk e ka specifikuar se kush e ka kryer krimin në fjalë, por ka cekur se në këtë rast kanë humbur jetën gjithësej pesë persona.

“Është raportuar një rast vrasje e rëndë dhe vetëvrasje, ku ka qenë e përfshirë një zyrtare policore.  Në këtë rast kanë humbur jetën 4 persona si dhe zyrtarja policore. Rasti është duke u hetuar nga institucionet kompetente”, thuhet në raportin e Policisë.

Pak më shumë detaje ka dhënë prokuroria në raport. Ata kanë vënë theksin tek zyrtarja policore, Valdete Bllaca, e cila nga prokuroria konsiderohet si e dyshuara kryesore në këtë rast.

Sipas Prokurorisë, është pikërisht Valdete Bllaca ajo që sipas dyshimeve të para ka vrarë dy vëllezërit e saj e më pas edhe prindërit.

“Gjatë ditës së djeshme, më 18 shkurt 2020, dyshohet se në lagjen ‘’Bujanina’’ në Gjilan, një zyrtare policore, nga Stacioni Policor në Gjilan, me armë zyrtare ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj dhe pastaj ka kryer vetëvrasje. Me urdhër të prokurorit trupat e viktimave janë dërguar për kryerjen e obduksionit, në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, thuhet në këtë raport të Prokurorisë.

Media gjatë gjithë ditës së djeshme ka qëndruar në Lagjen “Bujanina” të Gjilanit, e nga aty ka sjellë rrëfimet e fqinjëve mbi historikun e familjes Bllaca dhe asaj që ka mundur të ndodhë.

Familjen Bllaca ata e kanë përshkruar kryesisht si një familje të qetë, mirëpo me probleme të herë-pas-hershme brenda saj.

Ata kanë përshkruar se Valdete Bllaca ishte suspenduar nga puna për shkak të gjendjes së saj mentale, ndërkaq që më vonë ishte kthyer aty si staf civil.

Me probleme mentale ishte edhe vëllau i Valdetes që përfundoi si viktimë në këtë rast, Blerim Bllaca. Madje për këtë të fundit fqinjët kanë thënë se ishte trajtuar edhe në institucione kompetente.

Blerimi, kishte nxjerrë vizën sipas fqinjëve, dhe po priste të udhëtonte për në Gjermani. Ndryshe, nga vëllau i tij i madh, ai i vogli, Fisniku punonte si kamarier, ani pse e kishte të kryer shkollën për kriminalistikë.

Ndërkaq sipas asaj që kanë rrëfyer të afërm të familjes për lajmi.net, nuk përjashtohet edhe mundësia që gjithçka të ketë ndodhur për motive pronësore.

Mister mbetet fakti se si ka arritur arma zyrtare në duart e Valdete Bllacës, ani pse kjo e fundit ishte nën masën e suspendimit.

Sidoqoftë, lidhur me rastin janë suspenduar katër zyrtarë policorë të zingjirit komandues të Stacionit të Gjilanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat