“Grenell do të jetë shumë dinamik për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi”

Aktuale

“Grenell do të jetë shumë dinamik për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi”

Më: 20 shkurt 2020 Në ora: 19:11
Richard Grenell

Analisti politik Petrit Zogaj e ka komentuar emërimin e Richard Grenell në krye të Inteligjencës Kombëtare, derisa do të vazhdojë të jetë edhe më tutje ambasador i SHBA-së në Gjermani dhe i Dërguar i Posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi.

“Administrata e Donald Trump nuk është administratë e zakonshme presidenciale amerikane. Është një administratë që nuk ka funksionuar sipas një tradite institucionale që ka presidenca amerikane me vite të tëra”.

“Në këtë kuptim, ndoshta edhe raporti që ka pasë Richard Grenell me presidentin amerikan Donald Trump ka bërë që Grenell lehtas ta pranojë këtë pozitë, ani pse të ushtruesit të detyrës, për shkak të besnikërisë dhe një raporti jashtëzakonisht të ngushtë mes tyre”.

“Që disa dekada, Grenell është republikan. Ka shërbyer në administratën e Bush-it, fillimisht ka qenë një prej njerëzve të afërt të Mitt Romney si kandidat presidencial i vitit 2012 dhe tash është pjesë e administratës së Trump-it. Është një republikan që ka qëlluar të jetë në raport më të afërt me Donald Trump”.

Zogaj në Info Magazine ka thënë se Richard Grenell do të jetë vetëm përkohësisht në këtë detyrë.

“Presidenti amerikan aktualisht funksionon me disa njerëz si ushtrues detyre në pozita shumë të larta, për shkak të një procedure të Senatit që duhet të japë një pëlqim për njerëz të kabinetit të presidentit”.

“Edhe Grenell e tha që ‘jam përkohësisht, sepse dikush tjetër do të jetë në këtë pozitë’. Besoj shumë që kjo do të shkojë deri afër zgjedhjeve, por një emërim i tillë në një pozitë që është më të rëndësishmet brenda kabinetit të presidencës mund të ndodhë edhe më herët”.

Por, a është lajm i mirë për shqiptarët fuqizimi i Richard Grenell?

“Së pari është lajm i mirë për Richard Grenell, është një ngritje në detyrë dhe rrugë shumë e qartë që Grenell potencialisht në një administratë të dytë të Trump-it do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm”.

“Është pak e çuditshme, sepse pozitat që ka pranuar Grenell në këtë rast – që besoj nuk ka pasë alternativë, sepse ashtu i është ofruar nga presidenti Trump  – janë problematike edhe për shkak të largësisë gjeografike ku ushtrohen këto funksione”.

“Ky roli i ndërmjetësuesit mes Kosovës dhe Serbisë është jashtëzakonisht i vogël për profilin e Grenell tash”.

“Është rol shumë i rëndësishëm, sepse e shohim nga vetja jonë, por në kuptimin e funksionimit të administratës do të jetë jashtëzakonisht i vogël. Nuk dyshoj që edhe pse mund të shihet si rol i vogël nga Shtëpia e Bardhë, do të jetë shumë dinamik në këtë çështje”.

“Besoj shumë që duke qenë se do të jetë i përkohshëm, ambasadori Grenell do të përpiqet maksimalisht që brenda një periudhe shumë të shkurtër të shtyjë disa marrëveshje që mund të arrihen mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Ne kemi negociuar për tri vite në Marrëveshjen e Ahtisaarit, por nuk është që kemi arritur më të mirën e mundshme. Shpejtësia ose ngadalësia e një procesi nuk do të thotë detyrimisht një produkt të mirë ose të keq”.

“Nuk do ta paragjykoja dhe nuk do të frikësohesha nga shpejtësia, por do të frikësohesha shumë nga pozicioni që Kosova do të paraqesë si shtet – nga një mungesë e komunikimit të elitës politike në Kosovë dhe nga një pozicion që do të duhej të ishte shumë i qartë se çfarë do të dëshironin të ishte Kosova pas marrëveshjes me Serbinë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat