Ministri i Punëve të jashtme, Glauk Konjufca, ka reaguar lidhur me lajmin se Xhamajka nuk e ka njohur shtetin e Kosovës.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se lajmi është njoftuar nga Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku dhe informata zyrtare e një ambasadoreje konsiderohet si akt i mirëqenë, përcjell Bota sot.
Konjufca ka thënë se janë në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën tonë në SHBA, për të sqaruar situatë e krijuar, derisa është zotuar se si ministër, shumë shpejt do të ndërmarrë veprime në përputhje me përgjegjësitë e secilit.
Postimi i tij i plotë në Facebook:
Mbrëmë, Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, znj. Vlora Çitaku, përmes postës elektronike e ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për njohjen nga Xhamajka.
Në rrafshin profesional, informata zyrtare e një Ambasadori/eje, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, konsiderohet si akt i mirëqenë dhe merret në konsideratë si e tillë.
Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën tonë në SHBA, për të sqaruar situatë e krijuar.
Si Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pas shqyrtimit të situatës, shumë shpejt do të ndërmarrë veprime në përputhje me përgjegjësitë e secilit.