Serwer: Lajcak se ndihmon dialogun, nuk e mbajti premtimin për njohjen e Kosovës nga Sllovakia

Aktuale

Serwer: Lajcak se ndihmon dialogun, nuk e mbajti premtimin për njohjen e Kosovës nga Sllovakia

Më: 21 shkurt 2020 Në ora: 16:44
Serwer

Analisti dhe profesori amerikan, Daniel Serwer, në një intervistë ka folur rreth deklarimeve të fundit të Aleksander Vucic rreth ‘shtetit perëndimor’ qe ka ndihmuar Haradinajn të mbajë taksën, punën që po e bën Richard Grenell si emisar për dialogun, koordinimin BE-SHBA si dhe mundësinë e caktimit të Miroslav Lajcak si Përfaqësues Special i BE’së për dialogun Prishtinë-Beograd.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, pas kthimit në Beograd nga Konferenca e Sigurisë së Mynihut, kishte thënë se nga bisedat që kishte pasur në Gjermani kishte zbuluar se një shtet i fortë perëndimor e kishte mbështetur Haradinaj në vendosjen dhe mbajtjen e taksës. Sipas tij, një gjë e tillë ishte bërë meqë marrëveshja me Kosovën dhe se pritej që nga ajo marrëveshje Serbia të fitonte diçka. Siç pretendon Vuçiq, nga një marrëveshje e tillë Serbia do të merrte veriun e Mitrovicës dhe Anamoravën. 

Deklarata të tilla Vuçiq i kishte bërë pa zbuluar ndonjë emër të veçantë.

Për analistin dhe profesorin amerikan, Daniel Serwer, deklarime të tilla të Vuçiqit ngjasojnë me atë që italianët e quajnë “fantazi politike”, ku për çdo gjë fajësohet një i huaj i panjohur.

Sipas Serwer, ideja për shkëmbim të territoreve kishte vdekur para se të vendosej taksa, megjithatë ai shton se një ide e tillë vazhdon të bredh si ‘zombi’ duke pritur që ta ringjall dikush.

“Unë nuk e di se për çfarë po flet presidenti Vuçiq. Tingëllon sikur ajo që italianët e quajnë “fantazim politik”: për të fajësuar të huajin e panjohur. Me sa kujtoj ideja për shkëmbim të kufijve kishte vdekur përpara vendosjes së taksës. Por sigurisht zombi vazhdon të bredh, duke pritur që Vuçiq, Grenell, Lajçak ose Borell ta ringjall atë ‘”, ka thënë Serwer në një përgjigje.

Sa i përket angazhimit të ambasadorit Richard Grenell në dialogun Kosovë-Serbi, Serwer thotë se nuk dërgon drejt një marrëveshje finale. Sipas tij Grenell është i interesuar të merret me çështje ekonomike dhe jo politikë.

“Jo. Ai madje as që pretendon se do. Ai thotë se është i përqendruar në çështje ekonomike, jo politike”, ka thënë Serwer i pyetur nëse mënyra e negocimit të Grenell do të dërgojë Prishtinën dhe Beogradin drejt një marrëveshje finale.

Tutje profesori amerikan thotë se Grenell ka raporte të këqija me Evropianët. Sipas tij ato raporte janë më të rëndësishme se sa çfarëdo marrëveshje transporti mes Beogradit dhe Prishtinës.

Sa i përket letrës që Macron i kishte shkruar Vuçiqit e Thaçit e ku shprehte gatishmëri për të organizuar një Samit në Paris bashkë me Merkelin dhe Borellin pa përmendur SHBA’në, Serwer thotë se dëshmon faktin se BE dhe SHBA nuk janë aq unike sa do të duhej të ishin.

“Ata sigurisht që nuk janë aq të bashkuar sa duhet”, ka potencuar Serwer.

Sa i përket mundësisë së emërimit të Miroslav Lajcakut në pozitën e emisarit të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Serwer thotë se një emërim i tillë nuk e ndihmon procesin, teksa përmend dështimin e Lajcakut për të mbajtur premtimin se Sllovakia do ta njoh Kosovën.

“Nuk duket që do të ndihmojë. Lajcak në mënyrë të përsëritur ka premtuar që Sllovakia do të njohë Kosovën por ka dështuar ta realizojë. Disa besojnë që Borell, i cili vjen nga një vend jo entuziast për njohjen e Kosovës, mbase mund të jetë i dobishëm. Por unifikimi është çelësi për sukses”, ka përfunduar Serwer.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat