Lekaj i reagon Abdixhikut pasi ia anuloi tenderin 110 milionësh për Anamoravën

Aktuale

Lekaj i reagon Abdixhikut pasi ia anuloi tenderin 110 milionësh për Anamoravën

Më: 21 shkurt 2020 Në ora: 20:00
Pal Lekaj

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku ka anuluar sot tenderin 110 milionësh për ndërtimin e autostradës së Anamoravës, mirëpo këtë vendim e ka kundërshtuar ish-ministri i këtij dikasteri, Pal Lekaj.

Lekaj ka pohuar se anulimi i tenderit të Gjilanit ndodhi në kundërshtim me procedurat e përcaktuara me vendimin e Qeverisë së vitit 2017, në të cilën caktohet komiteti ndërministror prej pesë anëtarëve.

“Nga ajo që kuptuam përmes mediave shihet qartë se ministri shpërfilli vendimet e Qeverisë jashtë çdo procedure ligjore. Pjesa e këtij projekti përfshin fazën e dytë të përmbylljes së projektit që i lidh shqiptarët e Kosovës me shqiptarët e Luginës së Preshevës. Projekti në fjalë ishte shpallur projekt me interes nacional. Prandaj, veprimi i tillë i ndërhyrjes dhe mos respektimit të procedurave është një sinjal shumë i keq për ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në këtë vend”, ka potencuar Lekaj.

Ndërkaq, ministri Abdixhiku sot ka thënë se tenderi 110 milionësh ishte shpallur pa miratim buxhetor në kohën e tranzicionit qeveritar, dhe se  me vendimin për anulim kanë kthyer ligjshmëri në një proces të rëndësishëm financiar për vendin.

Ai gjithashtu, ka siguruar banorët e Anamoravës se projekti i autostradës Prishtinë-Gjilan vazhdon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat