Muhaxheri: Gjuajtja me vezë ndaj Hotit, është sulm mbi qeverinë dhe ka qëllim dëmtimin e marrëdhënieve me SHBA-në

Aktuale

Muhaxheri: Gjuajtja me vezë ndaj Hotit, është sulm mbi qeverinë dhe ka qëllim dëmtimin e marrëdhënieve me SHBA-në

Më: 22 shkurt 2020 Në ora: 17:12
Gazmend Muhaxheri

Nënkryetari dhe kryetari i LDK-së në Pejë, Gazmend Muhaxheri ka reaguar për sulmin me vezë ndaj zëvendësministrit, Avdullah Hoti. Sulm i cili erdhi pas deklarimeve të fundit të kryetarit të LDK-së Isa Mustafa se “Kosova duhet të heq tarifën, në mirëbesim me SHBA-në dhe BE-në”.

Muhaxheri përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, e ka quajtur sulm qyqar që sipas tij ka për qëllim dëmtimin e marrëdhënieve me SHBA-në.

“Sot, nga njerëz të ligë, të inspiruar nga drejtuesit e tyre me mendësi regresive, është sulmuar me vezë zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ndërkaq sulmi i këtyre qyqarëve ka vetëm një qëllim tashmë të njohur botërisht: Izolimin dhe degradimin e vendit, me theks të veçantë dëmtimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme të vendit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë Muhaxheri.

Ai ka thënë se, qyqarët dhe frikacakët duhet ta dinë se koha për qeverisje të keqe ka marrë fund.

“Pra, sulmi ndaj zëvendëskryeministrit Hoti, mund të cilësohet si sulm mbi qeverinë, shpresën dhe entuziazmin e bazuar për një të ardhme të mirë të vendit, në të njëjtën kohë ky sulm mund të cilësohet edhe si thikë pas shpine për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qyqarët dhe frikacakët, si përfaqësues të së keqes për vendin, një gjë duhet ta dinë, se koha për qeverisje të keqe ka marrë fund, ndërsa qeverisja e mirë më nuk është një ëndërr, por një realitet i merituar për qytetarët e vendit” ka deklaruar nënkryetari i LDK-së.

Muhaxheri është shprehur se Hoti përfaqëson politikën tradicionale të LDK-së, të mbështetur në idealet e ish presidentit Rugova që sipas tij, kanë ruajtur miqësinë e përhershme me Amerikën.

“Për më tepër, ata duhet të dinë se zëvendëskryeministri Hoti, përfaqëson më së miri dhe me shumë kompetencë politikën tradicionale të LDK-së, të projektuar nga Presidenti Historik, Dr.Ibrahim Rugova, i cili me mençurinë, urtësinë dhe guximin e tij ndërtoi shtyllat e Lirisë, Pavarësisë dhe Demokracisë së vendit, dhe atë të mbështetur fuqishëm në miqësinë tonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fali Zot qyqarët dhe frikacakët dashakeqës të së ardhmes tonë, ndërkaq na mbro ne, vendin dhe marrëdhënien tonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zoti e bekoftë Kosovën!Zoti e bekoftë Amerikën”, ka shkruar ai në fund Muhaxheri.

Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, e ka mbështetur sulmin me vezë ndaj Hotit.

Haradinaj ka thënë se kushdo që e ka bërë, veprimin ndaj Hotit, ka bërë shumë mirë dhe sipas tij kjo duhet kuptuar që nuk do të lejohet Serbia dhe Rusia në Kosovë.

Sulmin ndaj zëvendësministrit Hoti e kanë dënuar edhe tre ministrat e LDK-së, Agim Veliu, Hykmete Bajrami dhe Lumir Abdixhiku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat