PDK fajëson Konjufcën për mosnjohjen nga Xhamajka

Aktuale

PDK fajëson Konjufcën për mosnjohjen nga Xhamajka

Më: 23 shkurt 2020 Në ora: 11:06
PDK

(E plotësuar) - Partia Demokratike e Kosovës po fajëson ministrin e Punëve të Jashtme, për  “skandalin”, e mosnjohjes nga shteti i Xhamajkës. Sipas tyre, Glauk Konjufca ka gabuar shumë kur ka falënderuar këtë vend për njohjen e shtetit të Kosovës.

Kështu tha zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi i cili para gazetarëve të dielën, ka konsideruar se përgjegjës për këtë çështje është vet Glauk Konjufca.

“Për ne është shumë pak e rëndësishme se kush ka folur i pari, apo kush ka folur i fundit. Është me rëndësi që ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca duhet të kuptojë rolin dhe detyrat që ka. Ne e kuptojmë që ai është i ri në atë pozicion, mirëpo ministri i Punëve të Jashtme është instanca e vetme që konfirmon pranimin apo jo të ndonjë note verbale të njohjeve nga shtetet. Z. Konjufca ka gabuar shumë kur e ka bërë edhe publike, dhe e ka falënderuar një shtet, i cili ndoshta ka qenë në prag të njohjes apo jo. Ministri është përgjegjës për veprimet që bën në fushën e tij. Sikur Konjufca të mos kishte reaguar, qëndrimi do të ishte ndryshe, por ai e ka pranuar se Xhamajka na ka njohur, dhe ai është përgjegjës”, tha Bytyçi.

Ndërsa, për sulmin e djeshëm me vezë ndaj zëvendëskryeministrit, Avdullah Hotit, Bytyçi tha se PDK nuk përkrahë këto veprime.

Ai shtoi se Albin Kurti, i cili tashmë është kryeministër, në pushtet ka ardhur në këtë formë, duke legjitimuar veprime të tilla.

“Sa i përket dhunës në politikë edhe veprimet e dhunshme për të arritur qëllimet, PDK ka folur për një kohë të gjatë, shumë qartë. Ne nuk i përkrahim këto veprime e as nuk i zbatojmë si veprime të ligjshme, moralisht të papranueshme në politikë. PDK ka qenë vet viktimë e formave të dhunës, ku zyrtarët tanë jo vetëm që janë hedhur me vezë, por edhe i janë djegur veturat të familjarëve të tyre. Ne kemi qenë vazhdimisht subjekt i këtyre formave të dhunës politike. Si PDK gjithmonë kemi zgjedhur rrugët institucionale për t’i shprehur pakënaqësitë tona dhe për të sqaruar pozicionin tonë politikë…Albin Kurti si duket e legjitimoi një veprim të tillë si një akt i domosdoshëm politik, sepse ai vet ka ardhur në pushtet në atë formë”, tha Bytyçi.

***

Partia Demokratike e Kosovës po kërkon nga Qeveria Kurti që të mbajë duart larg nga institucionet e pavarura. Meqë sipas tyre në mungesë të një vizioni të qartë, kryeministri Albin Kurti po ndërmerr veprime që sulmojnë në thelb administratën e pavarur të shtetit.

Kështu janë shprehur sot në një konferencë për media në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj dhe Zëdhënësi i PDK-së Avni Bytyçi, të cilët kanë kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti.

Sipas këtij të fundit edhe pas pesë muajve nga zgjedhjet e 6 tetorit, dy partitë që janë në koalicion nuk kanë ofruar një program qeverisës.

Bytyçi: Ne kemi një qeveri pa një orientim të qartë

“Ne kemi një qeveri pa një orientim të qartë, e cila veprimet e saj i bazon kryesisht në populizëm, duke imponuar një mentalitet improvizues. Pa një plan të qartë dhe pa propozime konkrete deri më tani për buxhet e plan qeverisës, Qeveria e Kosovës ka reduktuar rolin e saj në vendime ad-hoc dhe populiste. Qeveria Kurti përpos mungesës së programit qeverisës, ka mungesë edhe të kohezionit të brendshëm me partinë e koalicionit. Si e tillë kjo qeveri flet në më shumë se dy gjuhë, dhe qëndrime, gjë që thellon edhe më shumë paqartësitë në proceset e brendshme dhe të jashtme në të cilat po kalon Republika e Kosovës. Mos koordinimi i LVV-së me LDK-në krijon paqartësi tek qytetarët e vendit dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, me theks të veçantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Bytyçi.

E, nënkryetari i kësaj partie, Shaqir Totaj tha se në mungesë të vizionit të qartë të Albin Kurtit ai ka ndërmarrë veprime që sipas tij sulmojnë në thelb administratën e pavarur të shtetit.

Totaj: Kjo qeveri nën petkun e ligjshmërisë ka filluar një spatrim me agjendë politike 

“Për Partinë Demokratike janë të kuptueshme dhe të pranueshme veprimet ligjore e që kanë për qëllim mbrojtjen e institucionit. Mirëpo, është më se e qartë që kjo qeveri nën petkun kinse të ligjshmërisë ka filluar një spastrim me agjendë politike brenda institucioneve të Republikës së Kosovës. Shembull është rasti i drejtorit të doganave, që kishte ardhur në këtë pozitë pas një konkursi transparent dhe të mbikëqyrur nga Ambasada britanike, madje në kohën sa në krye të Ministrisë së Financave ishte LDK-ja. Veprimi i z. Kurti ka qenë i paligjshëm dhe i dëmshëm për doganën. Dhe lënie e këtij institucioni pa ushtrues detyre për më shumë se 12 ditë, e ka vënë në rrezik shtetin e Kosovës, nga e cila sigurohet pjesë më e madhe e buxhetit e shtetit të Kosovës ”, tha nënkryetari i PDK-së, Shaqir Totaj.

Ndër të tjera, Totaj ka ftuar qeverinë aktuale që të mbajë larg duart nga institucionet e pavarura.

Totaj: Ne ftojmë këtë qeveri që t’i mbajë duart larg nga institucionet e pavarura

“Ne ftojmë këtë qeveri që t’i mbajë duart larg nga institucionet e pavarura dhe individë të cilët deri më tani janë shquar për sukses dhe ku shteti i Kosovës ka investuar me vite në ta. Dogana e Kosovës ka pasur performancë shumë të mirë, dhe në mënyrë permanente ka lehtësuar shkëmbimin tregtar dhe të hyrave. Dhe ka luftuar kontrabandën dhe evazionin fiskal”, ka shtuar Totaj.

Ai ngriti shqetësimin se kryeministri i ri u ka dhënë direktiva ministrave në kundërshtim me ligjin që të kujdesen për proceset e përzgjedhjes së kandidatëve në shërbimin civil, përderisa kjo çështje është e rregulluar me ligj.

Totaj: Këtë situatë e rëndojnë më shumë deklaratat e eksponentëve të LVV-së

“Këtë situatë e rëndojnë më shumë deklaratat e eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje që publikisht kanë ftuar për të ndërhyrë në institucione të pavarura duke kërkuar me emra të përveçëm shkarkime e linçime. Madje në institucionet më të besueshme të vendit siç është Policia e ndoshta nesër edhe FSK-ja. Deputeti i Vetëvendosjes Salih Zyba ka bërë ftesë publike që të largohet drejtoresha e inspektoratit policor. Përderisa Fitore Pacolli po ashtu kishte kërkuar shkarkimin e ambasadores Vlora Çitaku”, ka deklaruar Totaj.

Sipas nënkryetarit të PDK-së, për 20 vjet qeverisje në Kosovë nuk ka pasur një praktikë të tillë të ndërhyrjes në administratën publike. 

***

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj dhe Zëdhënësi i PDK-së Avni Bytyçi, kanë mbajtur sot konferencë për media për zhvillimet e fundit politike në vend, duke kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, i cili sipas tyre, edhe pas 5 muajve nga zgjedhjet e 6 tetorit, ende nuk ka ofruar një program qeverisës.

“Në mungesë të një vizioni të qartë z. Kurti si Kryeministër ka ndërmarr veprime që sulmojnë në thelb administratën e pavarur të shtetit. Për Partinë Demokratike janë të kuptueshme dhe të pranueshme veprimet ligjore e që kanë për qëllim mbrojtjen e institucionit. Mirëpo, është më se e qartë që kjo qeveri nën petkun kinse të ligjshmërisë ka filluar një spastrim me agjendë politike brenda institucioneve të Republikës së Kosovës. Shembull është rasti i drejtorit të doganave, që kishte ardhur në këtë pozitë pas një konkursi transparent dhe të mbikëqyrur nga Ambasada Britanike, madje në kohën sa në krye të Ministrisë së Financave ishte LDK-ja”, tha nënkryetari i PDK-së, Shaqir Totaj.

Ai tha se ky veprim i kryeministrit Kurti ka qenë i paligjshëm dhe i dëmshëm për Doganën.

“Ne ftojmë këtë qeveri që ti mbaj duart larg nga institucionet e pavarura dhe individë të cilët deri më tani janë shquar për sukses dhe ku shteti i Kosovës ka investuar me vite në ta”, tha Totaj, i cili po ashtu ngriti shqetësimin se kryeministri i ri u ka dhënë direktiva ministrave në kundërshtim me ligjin që të kujdesen për proceset e përzgjedhjes së kandidatëve në shërbimin civil, përderisa kjo çështje është e rregulluar me ligj.

“Këtë situatë e rëndojnë më shumë deklaratat e eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje që publikisht kanë ftuar për të ndërhyrë në institucione të pavarura duke kërkuar me emra të përveçëm shkarkime e linçime. Madje në institucionet më të besueshme të vendit siç është Policia e ndoshta nesër edhe FSK-ja. Deputeti i Vetëvendosjes Sali Zyba ka bërë ftesë publike që të largohet drejtoresha e inspektoratit policor. Përderisa Fitore Pacolli po ashtu kishte kërkuar shkarkimin e ambasadores Vlora Çitaku”, tha Totaj.

Nga ana e tij, Zëdhënësi i PDK-së Avni Bytyçi tha se këto veprime antiligjore të Kurtit vijnë pasi ai ende nuk ka një plan qeverisës.

“Dhe si rezultat ne e kemi një qeveri pa një orientim të qartë, e cila veprimet e saja i bazon në populizëm duke e imponuar mentalitetin improvizues. Pa një plan të qartë, e pa propozime konkrete deri më tani për buxhetin, Qeveria e Kosovës e ka reduktuar rolin e saj vetëm në akte ad-hoc-e dhe vendime populiste”, tha Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi.

“Qeveria Kurti, përpos mungesës së programit qeverisës ka mungesë edhe të kohezionit të brendshëm me partnerin e koalicionit. Si e tillë, kjo Qeveri fletë me dy apo me shumë qëndrime, gjë që thellon edhe më shumë paqartësitë. Mos koordinimi në mes LVV dhe LDK krijon paqartësi tek qytetarët e Republikës së Kosovës dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, me theks të veçantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për Partinë Demokratike të Kosovës këto dy raporte janë të domosdoshme për të ardhmen e mire të vendit”, tha Bytyçi.

***

PDK mban konferencë për media

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat