Eci në këmbë dhe pa truproje deri në zyre, kritikohet Albin Kurti: Vlen ende metafora e fuqisë së barotit

Aktuale

Eci në këmbë dhe pa truproje deri në zyre, kritikohet Albin Kurti: Vlen ende metafora e fuqisë së barotit

Nga: A.ZH Më: 23 shkurt 2020 Në ora: 15:01
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka zgjedhur që sot të shkojë në këmbë në zyrë.

Ai në një postim në llogarinë e tij në Instagram, ka thënë se ambienti është jeta, përcjell Bota sot.

“Sot lëviza në këmbë nëpër qytet dhe shkova në zyrë pa makinë. Ambienti është jeta. Prandaj, le ta ruajmë. Sa herë është e mundur duhet ta shmangim lëvizjen me automjet”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Por, me këtë veprim të tij nuk po pajtohet profesori i Filozofisë Blerim Latifi, përcjell Bota sot.

Latifi ka thënë se ecja e kryeministrit në këmbë dhe pa mbrojtje të afërt është mendjelehtësi. Sipas tij, shëtitja e Kurtit si qytetar i zakonshëm, është papërgjegjshmëri ndaj vendit.

Latifi ka theksuar se në Ballkan, ende vlen metafora e fuqisë së barotit.

“Ecja e kryeministrit në këmbë dhe pa mbrojtje të afërt, nuk është virtyt, e as modesti. Është mendjelehtësi. Në vende, si Kosova, ku stabiliteti i shtetit varet në masë të madhe nga siguria fizike e liderëve të tyre, shetitja si qytetar i zakonshëm është papërgjegjshmëri ndaj vendit. Kosova nuk është Skandinavi, ku edhe po ndodhi ndonjë atak mbi krerët e shtetit, shteti nuk tronditet. Ne jetojmë në Ballkan, për të cilin ende vlen metafora e fuqisë së barotit. Fatkeqësisht!”, ka shkruar Blerim Latifi në një postim në Facebook.

Ecja e Kurtit vie pas sulmit të djeshëm me vezë ndaj zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti. /BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat