MPJ i reagon PDK-së, Konjufca do të ndërmarrë masa për Xhamajkën

Aktuale

MPJ i reagon PDK-së, Konjufca do të ndërmarrë masa për Xhamajkën

Më: 23 shkurt 2020 Në ora: 17:20
Glauk Konjufca

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporë pritet shumë shpejt që të marrë veprime rreth skandalit me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti i Xhamajkës.

Pas marrjes së të gjitha informatave nga Ambasada e Kosovës në Uashington rreth situatës së krijuar me shtetin e Xhamajkës, ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, do të ndërmarr veprimet e parapara me ligj për llogaridhënie të secilit.

Këtë e ka konfirmuar Kreshnik Ahmeti, shef i kabinetit të ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se në çfarëdo veprimi eventual, më e rëndësishme është vendosja e praktikës së llogaridhënies nga secili për punën e vet.

“Ne jemi njoftuar nga Ambasadorja e Republikës së Kosovës në ShBA, znj. Çitaku, se është konfirmuar njohja nga Xhamajka. Në rrafshin profesional, informata zyrtare e një Ambasadori/eje, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, konsiderohet si akt i mirëqenë dhe merret në konsideratë si e tillë. Për informatat e tjera shtesë, ne jemi në kontakt me Ambasadën tonë për ta kuptuar situatën”.

“Pas kësaj faze, Ministri Konjufca do të ndërmarrë veprime konform kompetencave të tij në lidhje me situatën e krijuar me raportet e Republikës sonë me shtetin e Xhamajkës. Në çfarëdo veprimi eventual, mendoj që e rëndësishme është vendosja e praktikës së thirrjes para përgjegjësisë së secilit për punën dhe veprimet e ndërmarra, ashtu siç e parasheh baza ligjore, gjë që nuk mund të themi se ka ekzistuar deri më sot”, ka thënë Ahmeti.

Gjatë ditës së sotme, Partia Demokratike e Kosovës, ka bërë fajtor vet shefin e diplomacisë Glauk Konjufca, për këtë skandal.

Por, Ahmeti iu ka përgjigjur këtyre akuzave, duke thënë se Shërbimin e Jashtëm e kanë trashëguar nga qeverisja e kaluar, në një gjendje shumë të rëndë.

“Qeverisja jonë është duke u angazhuar për ta kthyer ligjshmërinë dhe rendin në Shërbimin e Jashtëm të Republikës sonë, të cilën nga pozita e kaluar e opozita aktuale, e pranuam në një gjendje shumë të rëndë. Në linjë me këtë, mund të them se përgjegjësit për këto raste i parasheh baza ligjore dhe në përputhje me të do t’i ndërmarrim veprimet tona”, theksoi Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat