Milaim Zeka për sulmin ndaj Hotit: U sulmuan edhe SHBA dhe BE

Aktuale

Milaim Zeka për sulmin ndaj Hotit: U sulmuan edhe SHBA dhe BE

Më: 23 shkurt 2020 Në ora: 18:10
Avdullah Hoti

Ish-deputeti i Kuvendit dhe kryetari i Partisë Euroatlantike të Kosovës, Milaim Zeka, po e kritikon qeverinë e Albin Kurtit për mos heqjen e taksës ndaj mallrave serbe. Në një bisedë Zeka ka folur për sulmin me vezë ndaj zëvendëskryeministrit të parë, Avdullah Hotit. Ai thotë se ky është sulm ndaj SHBA’së dhe BE’së

Zeka e quan turp të madh sulmin ndaj Hotit, apo kujtdo tjetër nga zyrtarët shtetërorë.

“Ky sulmi me vezë, mos e hiqni taksën dhe ata që bëjnë thirrje për mos heqjen e taksës duhet me e ditë se janë në kundërshtim direkt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Ky është sulm ndaj bashkësisë ndërkombëtare, SHBA’së, BE’së, pa të cilët ne edhe 2 mijë vjet s’kishim mundur me u çliru e me u bë shtet”, ka thënë Zeka.

Për sulmin ndaj Hotit, Zeka ua lë fajin edhe organeve të sigurisë. Thotë se sulme të tilla do duhej të konsideroheshin se vepër e lartë penale.

“Kritika ime më së shumti drejtohet ndaj organeve të sigurisë, policisë dhe prokurorisë. Mendoj se çfarëdo sulmi që i bëhet dikujt duhet të konsiderohet si vepër e lartë penale nga ana e Prokurorisë së Kosovës”, thotë Zeka.

Ish-deputeti ka shtuar se kryeministri Albin Kurti po bën gabim në vonimin e heqjes së taksës. Sipas tij, duhet t’i bëhet presion më i madh qeverisë për ta hequr taksën, e cila thotë se nuk i ka sjellë të mira vendit.

“E vë në përgjegjësi goxha të madhe qeverinë që po luan me zjarrin duke e vonuar heqjen e taksës, sa më shumë të vonohet, aq më shumë do të kemi veprime, mendime e spekulime banale që do ta ndezin një terren të varfër të këtij vendi, ku në brendësi të gjithë njerëzit ëndërrojnë me ikë prej vendit. Ne duhet me i drejtu shigjetat drejt qeverisë aktuale, me e rritë presionin dhe me e vu qeverinë para përgjegjësisë me pyetjen pse s’po e heq taksën”, thotë Zeka.

Vendosjen e taksës nga Qeveria Haradinaj, Zeka e sheh si tendencë për t’u prekur tema të mëdha të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejt me popullin. Kjo sipas tij, për të treguar patriotizëm.

“Sa i përket opozitës e cila ka qenë në pushtet, asnjëherë nuk ka pasur tema reale që e kanë prekur drejtpërdrejtë qytetarinë  Kosovës, në mungesë të atyre temave, gjithmonë janë pjellë tema të mëdha patriotike siç është taksa, bisedimet me Vuqiçin, shkëmbimet e territoreve, demarkacioni”, thotë Zeka.

Ai shton se vendosja e taksës nuk ka pasur efekte pozitive, madje, sipas tij, qytetarët janë dëmtuar më shumë si pasojë e taksës.

Zeka thotë se qeveria nuk i kasubvencionuar bizneset vendore, të cilat pas vendosjes së taksës i kanë rritur çmimet e produkteve.

Zeka ka kritikuar edhe nënkryetarin e LDK’së, Lutfi Hazirin, i cili ka bërë thirrje që të hiqet taksa. Thotë se derisa Haziri gjendet në struktura udhëheqëse të partisë e cila është në koalicion qeverisës, po rezulton se po i bën thirrje vetës.

Ndërkaq thotë se kreu i LDK’së, Isa Mustafa, ka qëndrimin më të qartë sa i përket taksës dhe reciprocitetit.

“Lutfi Haziri me bë thirrje publike, për marketing politik, për heqjen e taksës, sepse ai është në strukturat më të larta të një partie që është në koalicion. Thirrje për heqjen ose mos heqjen duhet të bëjnë njerëzit jashtë koalicionit. Lutfi Haziri po i bën thirrje vetës. Në gjykimin tim i vetmi njeri që ka gjykim të qartë rreth taksës dhe reciprocitetit në këtë aktualitet prej LDK’së është Isa Mustafa”, ka thënë Zeka.

E zëvendësimin e taksës me reciprocitet, ide kjo e kryeministrit Kurti, Zeka e sheh si hap të gabuar.

“Unë prej fillimit e kam thënë se taksa ia ka thye qafën kryeministrit Haradinaj, në qoftë se Albin Kurti provon me e vendos reciprocitetin në vend të taksës, këtij do t’i thyhet qafa dhe kurrizi.  Reciprociteti është masë shumë më e rëndë se taksa”, ka thënë Zeka.

Avdullah Hoti, Zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës, është sulmuar të shtunën në mes të Prishtinës. Burime të medias brenda Policisë kanë treguar se sulmuesit e Hotit janë anëtarë të AAK’së

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat