AAK-ja nuk lëshon pe për taksën, do të thirret seancë e jashtëzakonshme

Aktuale

AAK-ja nuk lëshon pe për taksën, do të thirret seancë e jashtëzakonshme

Më: 23 shkurt 2020 Në ora: 20:15
Ramush Haradinaj

Opozita do të bëhet bashkë për ta sfiduar qeverinë “Kurti” lidhur me taksën.

Ata do të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme për javën tjetër, përmes së cilës do të kërkojnë që taksa të mbahet ndaj produkteve serbe, derisa Serbia ta njohë Kosovën.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po këmbëngul që taksa të mbetet, pavarësisht se këtë javë ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett i shkoi në zyre Ramush Haradinajt për këtë çështje.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë se deputetët e opozitës janë të gatshëm për t’i dhënë nënshkrimet dhe beson se kjo do të kryhet shpejt.

Ajo beson se javën që po hyjmë do të mbahet seanca e jashtëzakonshme, megjithatë thotë se kjo do të mësohet nesër pasi AAK-ja të mbajë tryezën që në focus ka mos heqjen e taksës, e ku të ftuar përveç deputetëve të kësaj partie janë edhe prodhuesit, importuesit, tregtarët me shumicë e pakicë, përfaqësues të OJQ-ve dhe ekspertë të fushës.

“Besoj që po (gjatë javës do të mbahet seanca e jashtëzakonshme), nesër do të vendoset. Krejt çka jemi dakorduar si opozitë është të japim nënshkrimet për këtë seancë. Në seancë deputetët opozitarë do të arsyetojnë pse nuk duhet të hiqet taksa”, thotë Kadrijaj.

Ajo thotë se taksa u vendos për ta mbrojtur tërësinë territoriale dhe nuk duhet të hiqet deri në njohje.

“Taksa u vendos për mbrojtjen e sovranitetit të vendit si dhe për fushatën denigruese që ka bo Serbia ndaj Kosovës. Duhet me ditë pse me u heq taksa, duhet me qenë një afat kohor për përmbylljen e bisedimeve që do të rezultonin me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Në momentin që Serbia pranon me njohur pavarësinë e Kosovës hiqet edhe taksa”, ka deklaruar ajo.

E pyetur për kërkesat e vazhdueshme të amerikës për ta hequr taksën, deputetja e AAK-së thotë se Haradinaj sa ishte kryeministër kishte kërkuar që edhe SHBA të përfshihet në procesin e bisedimeve.

“Kërkesë e Ramushit ka qenë që në procesin e bisedimeve të përshihet edhe Amerika pas devijimit që i kishte ndodhur dialogut. Edhe faktori ndërkombëtarë duhet me ditë se duhe një afat kohor për mbylljen e këtij procesi, me njohjen e Kosovës nga Serbia”, thotë Kadrijaj.

Ajo më tej kritikon kryeministrin Albin Kurti që është “pro” heqjes së taksës, duke thënë se sa ka qenë në opozitë ka kërkuar të mbetet në fuqi.

“Albin Kurti dhe Glauk Konjufca kanë ndryshuar tërësisht qëndrimin, ata janë deklaruar si opozitarë zëshëm për vendosjen e mbajtjes së taksës edhe kur ka pasur trysni për ta hequr. Nuk mundet me u kuptu ndryshimi, jo veç për taksën, por edhe për kauzat e tjera”, ka deklaruar ajo. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat