Kosova e përgatitur për përballje me Coronavirusin

Aktuale

Kosova e përgatitur për përballje me Coronavirusin

Më: 25 shkurt 2020 Në ora: 07:31
Foto ilustrim

Pas shpalljes së gjendjes emergjente për përhapjen e Coronavirusit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, edhe Kosova ka bërë përgatitjet për tu përballur me Coronavirusin.

Kështu deklaruan një ditë më parë zyrtarë shëndetësor në vend, ndërsa theksuan se nuk ka vend për panik.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një deklaratë për gazetarë ka thënë se janë në përcjellje të situatës rreth Coronavirusit dhe janë duke u përgatitur në çdo aspekt që nëse paraqitet ndonjë rast të merren masat e nevojshme.

Vitia tha Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse ka punuar në mënyrë intensive gjatë këtyre javëve.

“…Mundësia për tu paraqitur është edhe në Kosovë… Jemi duke u përgatitur në çdo aspekt që nëse veç paraqitet një rast me Coronavirus të merren masat e nevojshme”, deklaroi ai.

Ministri i Shëndetësisë tha se janë në përcjellje të situatës, duke filluar nga SHSKUK-ja, kujdesi parësor shëndetësor, pikat kufitare etj.

“Janë duke u bërë të gjitha përgatitjet nevojshme pas aprovimit të Planit dhe është me fat që deri tani nuk kemi asnjë rast..”, shtoi Vitia, duke shtuar se për momentin nuk ka nevojë për panik dhe se  nuk ka ndonjë rast me Coronavirus në Kosovë.

Ai tha se të shtunën nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse janë dërguar të gjitha rekomandimet në Aeroportin e Prishtinës.

Më saktë, Klinika Infektive ka dërguar ekipe mjekësore në pika kufitare dhe në Aeroportin e Prishtinës, ekipe këto që janë në shërbim 24 orë për identifikimin dhe kontrollimin e udhëtarëve për këtë virus.

Edhe infektologu Valbon Krasniqi, ka thënë në Klinikën Infektive janë ndërmarrë të gjitha masat mbrojtëse për koronavirus.

Sipas tij, aktualisht nuk ka asnjë rast të identifikuar me këtë virus në Kosovë.

Ndërkaq, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka thënë se 80 për qind e rasteve do të kalojnë pa asnjë shenjë klinike.

“Në çështjen e menaxhimit të epidemive dhe pandemive ka një sens logjik shkencor. Parakusht që duhet plotësuar është vonesa e stërzgjatjes së ardhjes në vendin tonë. Në vitin 2009 në mars ka shpërthyer epidemia e gripit pandemik H1N1, në Kosovë kemi pas raste minimale sepse epidemia ka ardh pas 6 muajsh. Tash për Coronaviruesin kemi kapacitet që ta mbajmë shtyrjen e epidemisë. Sa të shtyhet është pozitive sepse kjo na bën më të përgatitur”, ka thënë Ramadani.

Ramadani ka thënë institucioni që drejton ka kapacitete baras me shumë prej vendeve të zhvilluara që aty mund të bëhet analiza e diagnostifikimit të Coronavirusit – virusit aerogjen.

Ai ka theksuar se me të njoftuar për përhapjen e Coronavirusit, Instituti Kombëtar ka vënë kontakte me Organizatën Botërore të Shëndetit.

“Me OBSH kemi kontaktuar më 7 janar, kur autoritet kineze kanë zbuluar shkaktarin e sëmundjes. Instituti Kombëtar ka marrë provat dhe materialet jo vetëm prej një burimi”.

“Asnjëri nuk mund të jetë i befasuar nëse vie një rast. Njerëzit në Kosovë kanë një entuziazëm të veçantë, profesionist mund të dyshojnë në çdo rast të ardhur në Coronavirusi. Sot në Kosovë nuk mund t’i befasojë një rast i dyshimtë i Coronavirusit as policët e Kosovës. Në fushën e shëndetësisë publike është dhënë provimi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat