Eskalon “konflikti” mes Blerim Latifit dhe fëmijëve të zyrtarëve të vrarë të LDK-së, Hajdaraj tregon se çfarë kanë ndërmarrë

Aktuale

Eskalon “konflikti” mes Blerim Latifit dhe fëmijëve të zyrtarëve të vrarë të LDK-së, Hajdaraj tregon se çfarë kanë ndërmarrë

Nga: D.RR Më: 25 shkurt 2020 Në ora: 13:13
Shpëtim Hajdaraj dhe Blerim Latifi

Mbrëmë në një televizion, ish këshilltari i Kadri Veselit, Blerim Latifi,  paralajmëroi konflikte politike në Kosovë për shkak se familjet e të vrarëve pas luftës po kërkojnë ndriçimin e vrasjeve. Sipas tij, "një grup i organizuar, i afërt me LDK-në" po punon "sistematikisht me Gjykatën Speciale".

Latifi pati një debat të ashpër drejtpërdrejtë në televizion me Gani Gecin, ky ky i fundit e pyeti Latifin që pse nuk po kërkon drejtësi për dajën e tij të vrarë.

Tash ka reaguar edhe djali i të vrarit Smajl Hajdaraj, Shpëtim Hajdaraj, i cili e ka quajtur Latifin “palaçi-filozof”.

Hajdaraj në shkrimin e tij publik në Facebook ka shkruar se të vrarët e LDK-së paslufte u vranë për shkak se ishin aktivistë, deputetë, funksionarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), disa prej tyre edhe luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por jo të krahut vëllavrasës.

Postimi i tij i plotë:

Për palaço-filozofin e ...

Mbrëmë në një emision televiziv një palaço-filozof paralajmëroi konflikte politike në Kosovë për shkak se familjet e të vrarëve pas luftës po kërkojnë ndriçimin e vrasjeve. Sipas tij, "një grup i organizuar, i afërt me LDK-në" po punon "sistematikisht me Gjykatën Speciale". Kjo është gënjeshtër e rëndë. Nuk ekziston një grup i tillë, përveç në fantazinë e palaço-filozofit. E vërteta është se janë me dhjetëra familje që po kërkojnë arrestimin dhe dënimin e vrasësve të familjarëve tanë. Ata u vranë sepse ishin aktivistë, deputetë, funksionarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), disa prej tyre edhe luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por jo të krahut vëllavrasës. Deklarata e palaço-filozofit është joetike, e papërgjegjshme dhe cinike. Madje kjo deklaratë është kërcënim direkt i dëshmitarëve dhe tentim për të sabotuar drejtësinë. Po ashtu kjo është një përpjekje për të na frikësuar edhe neve familjarëve që të mos kërkojmë drejtësi për më të dashurit tanë. Po bëhen 20 vjet nga vrasjet e rënda që ndodhën pas luftës dhe siç kanë dëshmuar edhe shumë raporte të organizatave për të drejtat e njeriut, në Kosovë është toleruar frikësimi i dëshmitarëve dhe është pamundësuar ndjekja penale e vrasësve. Kjo është arsyeja që bashkësia ndërkombëtare ka insistuar në krijimin e një gjykate të veçantë për të ndjekur ata që konsiderohen të paprekshëm për shkak të pushtetit politik që kanë pasur që nga përfundimi i luftës. Turp është të pengohen hetimet, nuk është turp, por obligim i shoqërisë që të kërkojë ndriçimin e një kapitulli të errët e të përgjakshëm të historisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat