​Ambasadorja kroate tregon përvojat e Kroacisë për integrim në BE

Aktuale

​Ambasadorja kroate tregon përvojat e Kroacisë për integrim në BE

Më: 25 shkurt 2020 Në ora: 19:33
Danijela Barishiq

Strategjia e re e zgjerimit e publikuar nga Komisioni Evropian në fillim të këtij muaji, ishte temë diskutimi sot në një panel të organizuar nga D4D.

Pjesë kryesore e panelit ishte ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, për të treguar përvojat e Kroacisë në këtë drejtim, dhe zëvendësministri i Integrimit Evropian në Kosovë, i cili tha se metodologjia e re u jep fuqi më të madhe vendeve anëtare ku shtohet fuqia politike e vendimmarrësve.

Danijela Barishiq, ambasadore e Kroacisë në Kosovë, tha se strategjia e zgjerimit duhet të shfrytëzohet dhe se është lajm pozitiv.

“Mendoj qe strategjia e zgjerimit është lajm i ri pozitiv dhe duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi dhe moment. Sa i përket metodologjisë, metodologjia jone e zgjerimit, ishte prej më të vështirave, kishim 400 mundësi për tu zëvendësuar. Kapitulli 23 për të drejtat e njeriut, ishte përgjatë zgjerimit në fazat e mëparshme, gjatë kësaj periudhe të zgjerimit dhe negocimit, BE-ja ishte gjithashtu duke u mësuar për arsye të ndryshimeve të shumta dhe pas 10 vitesh ne menduan qe diçka duhet të ndryshojë, dhe në këtë rast BE është dashur të vijë me disa ide dhe metoda të reja. Ne e pamë me vend se duhet të zgjerohemi në këtë drejtim, sepse ne këtë metodologji të re e kemi edhe një fjali ku të gjithë personat e përfshirë në procesin e zgjerimit duhet të jenë pjesë e dialogut demokratik, kjo është pozitive sepse Ballkani Perëndimor është zakonisht i lënë anash në këtë proces”, tha ajo.

Ndërsa Taulant Kryeziu zëvendësministër i Integrimit në Kosovë, tha se ka një ndryshim substancial rreth asaj se si sot KE po u propozon vendeve anëtarë procesin e zgjerimit.

Ai shtoi se metodologjia e re e zgjerimit i jep frymë disa prej shqetësimeve që kanë pas vendet kryesore në Be.

Sipas tij, metodologjia e re u jep fuqi më të madhe vendeve anëtare ku shtohet fuqia politike e vendimmarrësve, që siç tha Kryeziu është pozitive.

Ndërkohë që për vizat, Kryeziu tha se përmes sundimit të ligjit po synojnë të dërgojnë sinjale pozitive tek vendet anëtare të BE-së.

“Ne po tentojmë të dërgojmë sinjale pozitive që ligjshmëria është ajo që do të na karakterizojë. Sundimi i ligjit është ajo mbi të cilën ne do të veprojmë në kuadër të qeverisjes sonë dhe të mundohemi të thyejmë dyshimet apo hezitimet që kanë vendet e fuqishme rreth një vendimmarrje në procesin e vizave, andaj edhe metodologjia e zgjerimit e ka këtë komponentë ku i jep fuqi më të madhe politike, vendeve anëtare që në start të procesit, e kjo e bën më të lehtë krejt rrugën e çdo reforme që ka vendi ynë karshi Bashkimit Evropian”, tha ai.

Duke theksuar se Kosova ende nuk ka aplikuar për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, Kryeziu tha se krejt çka ka Kosova është Marrëveshja për stabilizim Asociim, sipas së cilit zbatimi I saj nuk arrin nivelet e kënaqshme.

Ndërsa Bardha Tahiri, njohëse e fushës së Integrimit Evropian, tha se çështjen e Kosovës drejt Bashkimit Evropian ka munguar pronësia e procesit.

Sipas saj, Kosova nuk e ka ditur si dëshiron të shfrytëzojë këtë proces dhe vetëm ka pritur nga shtetet anëtare ta dërgojnë atë në Bashkim Evropian.

“Keni qenë të gjithë dëshmitarë të mungesës së pronësisë së procesit, Kosova vet nuk e ka ditur si po do me shfrytëzu këtë proces, faktikisht ka pritur prej shteteve të Bashkimit Evropian, ka pritur prej Komisionit Evropian, prej institucioneve të tjera që me e marrë atë udhëheqësinë dhe me dërgua Kosovën në Bashkim Evropian. Përderisa unë qysh e shoh këtë proces, qysh kish me qenë përfitues për Kosovën, në këtë rast është që Kosova me marrë diçka prej Bashkimit Evropian dhe thjeshtë ne Brenda Kosovës me u evropianizuar në njëfarë forme e jo ne me shku në BE, por BE-në ta marrim këtu dhe kriteret dhe çdo gjë me u bë pjesë e politikave të brendshme, por kjo në asnjë moment për me kënaqë BE-në, por me i arrit kriteret tona për vet shtetin tonë. Kjo kish me na siguru një lloj qëndrueshmërie të reformave dhe të njëjtën kohë jo varshmëri për ndryshimin edhe të strategjive edhe të metodologjive të ndryshme”, tha ajo.

Diskutimi i organizuar nga D4D u bë në kuadër të programit të përjavshëm “Sallonet e së martës”, që sot për temë diskutimi kishin zgjedhur strategjinë e re të zgjerimit të publikuar nga Komisioni Evropian në fillim të muajit shkurt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat