Kurti nuk e di që ministrja e qeverisë së tij ua ka dhënë në shfrytëzim veturat edhe pas orarit zyrtarëve të saj

Aktuale

Kurti nuk e di që ministrja e qeverisë së tij ua ka dhënë në shfrytëzim veturat edhe pas orarit zyrtarëve të saj

Më: 26 shkurt 2020 Në ora: 15:32
Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti, ka folur sot edhe rreth  lejimit të shfrytëzimit të veturave zyrtare edhe pas orarit të punës për zyrtarët e Ministrisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal.

Kurti, ka thënë se do ta hetojë këtë gjë, dhe se nuk e di çfarë ka ndodhur dje.

“Sa i përket veturave do ta hetoj këtë gjë, nuk e di se çfarë ka ndodhur, por ne jemi qeveri e shkurtimeve dhe kjo është parë me përgjysmimin e pagave dhe duhet ta kemi parasysh që këshilltarët që i kemi ne kanë pagë nën 600 euro”, është shprehur ai.

Gazeta Insajderi, dje ka raportuar në lidhje me zyrtarët e Ministrisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal, ku është marr vendimi më 10 shkurt 2020, që t’u lejohet shfrytëzimi i veturave zyrtare edhe pas orarit të punës.

Ky vendim është marr nga ministrja Emilija Rexhepi.

Në këtë vendim, thuhet se veturat do të përdoren edhe jashtë orarit të punës, deri në një afat të pacaktuar.

Kësisoj, Almir Sahiti, Avdulah Djesviq dhe Merdzan Osmani si këshilltarë, si dhe Memed Veliji, zyrtarë i sigurimit në kabinetin e ministres Rexhepi, do mund t’i vozisin veturat zyrtare edhe gjatë kohës kur nuk janë në punë.

Ndryshe nga kjo, Qeveria në krye me Albin Kurtin, patën premtuar se ata do të jenë qeveri e kursimit. Madje Kurti pati thënë se do të ketë më pak shpenzime në poste.

“Do të jemi qeveri e kursimit të parasë publike, para meje do të jenë 15 ministra dhe jo 22 sa ka qenë më herët. Pra më pak shpenzime në poste. Do të jemi qeveri e zhvillimit ekonomik dhe punësimit”, kishte thënë Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat