Selimi: Qytetarët votuan reciprocitetin para taksës

Aktuale

Selimi: Qytetarët votuan reciprocitetin para taksës

Më: 27 shkurt 2020 Në ora: 00:47
Rexhep Selimi

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka thënë se masat reciproke paraqesin barazi dhe se këtë parim, partia e tij dhe kryeministri i tashëm, Albin Kurti, e kanë pasur prej vitesh.

Ai ka treguar se taksa mbi mallrat serbe e vendosur nga Qeveria Haradinaj, nuk është e mjaftueshme dhe se duhet të ketë reciprocitet edhe ekonomik e politik, pos atij tregtar.

“Reciprociteti nuk duhet të kuptohet si masë kundër serbëve, duhet të kuptojmë se reciprocitet do të thotë barazi, ose e kundërta është inferioritet ndaj Serbisë”, ka thënë Selimi.

Ai ka folur edhe për kundërshtimin që po paraqet AAK-ja dhe lideri i saj, Ramush Haradinaj. Këtë e ka quajtur si opozitëbërje.

“Unë e kuptoj si opozitëbërje, edhe si qëndrim fer. Ne nuk ua kemi borxh t’ua ndërrojmë pozicionin politik. Në fushatë, AAK-ja është futur duke e mbrojtur taksën, e ne me premtimin se do ta zëvendësojmë me reciprocitet. Qytetarët i kanë pasur përpara të dy opsionet dhe kanë votuar reciprocitetin”, ka shtuar ai.

Sipas tij, VV-ja nuk ka ndryshuar qëndrim. Madje, tha se është pikërisht AAK-ja që ndryshoi qëndrim, pasi në zgjedhjet e vitit 2017 erdhi duke e kundërshtuar demarkacionin, e më pas e votoi atë.

Selimi ka thënë se VV-ja çdo herë ka përkrahur nismat e mira në Kuvend sa ishte në opozitë dhe ka uruar edhe opozitën e tashme të veprojë njëjtë.

“Nuk kemi kundërshtuar gjithçka. I kemi kundërshtuar marrëveshjet me Serbinë, sidomos të 19 prillit. E kemi kundërshtuar Gjykatën Speciale. Uroj që këta të na mbështesin se i kemi mbështetur ne ata”, ka shtuar ai.

Ka folur edhe për aktakuzat e para që pritet të ngritën. Për rastin e tij nuk ka informata të reja, por shtoi se “Kosova është mbi të gjithë”.

“E pritshme, për fat të keq, por jo e çuditshme. Është dashur të dihet kjo punë më 2015. Ata që e kanë votuar të mos na ankohen shumë. Ne e kemi kundërshtuar atëherë. Nuk e di a kam aktakuzë, asnjë nga ne nuk e di, para se të shpëtojmë ne, le të shpëtojë Kosova dhe lufta e saj”, u shpreh ai.

Selimi ka folur edhe për prioritetet e Qeverisë Kurti. Ka thënë se agjenda legjislative do të ketë fjalën kryesore. Për shkarkimet ka thënë se ishin të pritshme.

“S’ka shkarkime masive, është dashur të dihet se nga fuzionimi i ministrive prej 21 në 15 do të jenë po kaq sekretarë, janë reduktuar ministrisë dhe sekretarët. Sa i përket shkarkimit të Bordit të Telekomit, Qeveria e ka implementuar një rezolutë të Kuvendit”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat