Shala: S’ka arsye të hiqet taksa

Aktuale

Shala: S’ka arsye të hiqet taksa

Më: 27 shkurt 2020 Në ora: 08:47
Endrit Shala

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, është shprehur kundër heqjes së taksës 100 për qind ndaj produkteve që vijnë nga Serbia.

Në një prononcim, Shala ka thënë se taksa ndaj Serbisë është vendosur si kundërpërgjigje ndaj agresionit të diplomacisë serbe e cila ndërmori për çnjohjet, por edhe për dëmtimin e imazhit të Kosovës.

Shala, që tashmë është deputet mendon se nuk ka asnjë arsye për heqjen e taksës, pasi që Serbia mbetet po ajo e njëjta.

“Duke marrë parasysh këtë agresion diplomatik të Republikës së Serbisë dhe qasjen e tyre deri tek tendenca për zhbërjen e vetë shtetësisë së Kosovës, atherë ne si Qeveri e Kosovës kemi qenë të detyruar që të marrim një vendim të tillë të aplikojmë masën dhjetë pqrind pastaj masën 100 përqind me produktet e Serbisë”.

Sipas Shalës, përderisa nuk eliminohen këto arsye agresive që e kanë detyruar Kosovën që të marrë një vendim të tillë, atëherë kjo masë duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi.

“Mendimi im dhe i Nismës Socialdemokratë është që përderisa nuk eliminohen arsyet që e kanë detyruar Kosovën që të marrë një vendim të tillë atëherë kjo masë do të vazhdojë të mbetet në fuqi”, ka thënë ai.

Edhe sa i përket reciprocitetit Shala ka shpjeguar se sa ishte ministër kishte dhënë urdhëresë që mallrat serbe të mos futeshin nëse të njëjtat nuk i referohen Kosovës.

“Kurse sa i përket reciporcitetit njëkohësisht sa kam qenë ministër kam marrë urdhëresë me vendim të qeverisë, së Republikën e Kosovës, se nuk do të lejohen që të futen mallrat serbe të cilat nuk i referohen Kosovës”, shtoi ai.

ShBA-ja vazhdon të kërkojë nga qeveria e Kosovës heqjen e taksës pa kushte, teksa kryeministri Kurti insiston në zëvendësimin e saj me reciprocitet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat