Blerim Latifi flet për aksionet e para të Qerim Kelmendit, ja cilin stacion famëkeq policor e sulmoi, Kelmendi i shkoi në ndihmë edhe Adem Jasharit

Aktuale

Blerim Latifi flet për aksionet e para të Qerim Kelmendit, ja cilin stacion famëkeq policor e sulmoi, Kelmendi i shkoi në ndihmë edhe Adem Jasharit

Nga: N.Sh Më: 27 shkurt 2020 Në ora: 16:40
Qerim Kelmendi

Profesori universitar, filozofi Blerim Latifi ka folur për Qerim Kelmendin, ish-ushtarin e UÇK-së, i cili u vra mbrëmë pas mesnatës dhe u dogj pastaj në veturën e tij.

Latifi, përmes një shkrimi në Facebook, ka treguar për aksionet e para të Kelmendit që i ndërmorri ndaj forcave policore serbe.

Në aksionet e para të Kelmendit, sipas profesor Latifit ishte sulmuar stacioni famëkeq i policisë në Kliçinë, ku gjatë atij aksioni ishte vrarë Adrian Krasniqi.

Pas këtij aksioni, rreth një muaj më vonë, Latifi tregon se një përballje tjetër e UÇK-së me policinë serbe ku ndodhi në Rezallë të re të Skenderajt e urdhëruar nga Adem Jashari.

“Kur lajmi u përhap, djemtë e UÇK-së nga Rrafshi i Dukagjinit u ngritën për t’u shkuar në ndihmë bashkëluftëtarëve të tyre në Drenicë. Në mesin e tyre ishte edhe Qerim Kelmendi. Atë e gjeje kudo ku e kërkonte lufta çlirimtare”, tregon Latifi, i cili edhe vet ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Latifi ka treguar edhe për mospajtimet që ia ka shpreh Qerim Kelmendi.

Shkrimi i plotë i Blerim Latifit:

Nuk e kam pasur rastin ta takoj asnjëherë Qerim Kelmendin, por, nga të tjerët, kam dëgjuar shumë rrëfime për të. Luftëtar i hershëm i UÇK-së, pjesëmarrës në aksionet e para të saj në Rrafshin e Dukagjinit, në mesin e të cilave spikatë aksioni i armatosur kundër stacionit famëkeq të policisë në Kliçinë, gjatë të cilit ishte vrarë Adrian Krasniqi.

Ishte një kohë kur stacionet e policisë serbe ishin shndërruar në vende të tmerrit për shqiptarët e Kosovës. Njerëzit kishin frikë të kalonin afër tyre, dhe nëse u duhej gjithsesi të kalonin, atëherë këtë duhej ta bënin duke ulur kokën dhe pa guxuar të hedhin shikimin mbi to. Dhe, një ditë, ishin shfaqur disa djem të cilët e kishin mposhtur këtë frikë tipike të skllavërisë. Ata kishin rrëmbyer armët për t’i sulmuar këto stacione, qendra terrorit shtetëror serb. Në mesin e atyre djemëve ishte edhe Qerim Kelmendi. Kështu nisi të shembej miti për paprekshmërinë e policit serb.

Një muaj e pak ditë pas sulmit në Kliçinë, një përballje tjetër e UÇK–së do të ndodhte me policinë serbe: beteja në Rezallë të re të Skenderajt, e udhëhequr nga Adem Jashari. Kur lajmi u përhap, djemtë e UÇK-së nga Rrafshi i Dukagjinit u ngritën për t’u shkuar në ndihmë bashkëluftëtarëve të tyre në Drenicë. Në mesin e tyre ishte edhe Qerim Kelmendi. Atë e gjeje kudo ku e kërkonte lufta çlirimtare.

Një burrë trim që të kujton luftëtarët e moçëm të Kelmendit, për të cilët, siç na tregojnë kronikat e vjetra, nuk ekzistonte fjala frikë. Më kanë thanë se pas luftës kishte bërë jetë modeste, i patunduar që namin e tij në luftë ta shndërronte në kapital politik e ekonomik. Së fundi ishim bërë miq në facebook. Ma thoshte hapur sa herë që nuk pajtohej me pikëpamjet e mia dhe sinqeriteti më të cilin më kritikonte, nuk më linte hapësirë të kisha ndjenja hidhërimi. Vrasja e tij mizore përbën një lajm tronditës, jo vetëm për familjen e tij, por për të gjithë njerëzit e këtij vendi që duket se ende nuk është çliruar krejtësisht nga kthetrat e forcave të errta të së shkuarës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat