Zyrtare: Albin Kurti heq taksën ndaj Serbisë

Aktuale

Zyrtare: Albin Kurti heq taksën ndaj Serbisë

Nga: Bota sot Më: 27 shkurt 2020 Në ora: 18:24

(E plotësuar) - Qeveria e Kosovës, gjatë javës së ardhshme do të marrë vendim që nga data 15 mars, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Këtë e ka konfirmuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media.

“Kjo është si shenjë e vullnetit të mirë dhe gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”, ka thënë Kurti.

Ai u ka bërë ftesë autoriteteve të Serbisë që si përgjigje ndaj vendimit të palës së Kosovës, të zotohen se do ta ndërpresin fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe të nisin me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës.

Siç ka thënë Kurti, nëse pala serbe dëshmon përkushtimin në ndalimin e fushatës jomiqësore ndaj Kosovës dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave tregtare jotarifore, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do ta heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina për një periudhë prej 90 ditëve.

Kryeministri Kurti ka theksuar që Bashkimi Evropian duhet ta vlerësojë lartë vendimin e palës së Kosovës për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, duke e ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit, që do të mbahet më 7 maj 2020.

Kurti ka shtuar që në rast se Serbia nuk e përfillë vullnetin e mirë të Qeverisë së Kosovës për eliminimin e barrierave tregtare, ekonomike dhe politike në raportet e ndërsjella dhe për pasojë, nuk e pushon fushatën jomiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marrëdhëniet me Kosovën, "atëherë, Qeveria e Kosovës, me fillim nga data 1 prill do të nisë me implementimin gradual të principit të reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë dhe më pastaj edhe në fushën ekonomike dhe atë politike”.

Në rast se pala serbe nuk reflekton gjatë periudhës prej 90 ditësh, siç ka thënë kryeministri Kurti, “Qeveria e Kosovës, nga data 15 qershor,do ta rikthej tarifën për importet nga Serbia, ndërkaq që do të vazhdohet edhe zbatimi i filluar me 1 prill i reciprocitetit”.

Kurti ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të dalin me instrumente të detajuara dhe afate kohore që listojnë përfitimet nga angazhimi i sinqertë i palëve në tejkalimin e barrierave tregtare, ekonomike dhe politike, mekanizmat për evidentimin dhe adresimin preciz të mospërmbushjes eventuale të detyrimeve nga palët, si dhe të listojnë pasojat për palën jobashkëpunuese në proces.

Vendimi i qeverisë në lidhje me taksën, është marrë pas thirrjeve të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që taksa të shfuqizohet në mënyrë që të vazhdojë dialogu për arritjen e një marrëveshjeje paqësore me Serbinë.

Image

​Kurti: Nuk kam kërkuar takim me ambasadorin Grenell, por kam pasur komunikimin të vazhdueshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën për media tha se roli i SHBA-ve në Kosovë është i pazëvendësueshëm.

Derisa sqaroi mos takimin e tij në Berlin me të deleguarin e SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ia tha se ka pasur zhvilluar takimet që ka kërkuar.

“Unë kam zhvilluar takimet që kam kërkuar, atje kam zhvilluar takime me kryeministrat e vendeve të rajonit. Unë nuk kam kërkuar takim me ambasadorin Grenell. Ama komunikimin me të e kam pasur të vazhdueshëm”, tha ai,

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të jashtëzakonshme, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të hiqet taksa prej 100 për qind ndaj mallrave dhe produkteve serbe e boshnjake e cila ishte vendosur në nëntor të vitit 2018.

Në këtë konferencë, Kurti ka bërë të ditur se taksa do të hiqet më 15 mars të këtij viti, me kushtin që Serbia të heq dorë nga fushata për ç’njohjet e Kosovës.

Sipas kreut të ekzekutivit, fillimisht taksa do të hiqet për lëndën e parë që eksportohet nga këto dy shtete.

“E para, si qeveri e Kosovës do të marrim vendim që nga data 15 mars të hiqet tarifa për lëndën e parë që eksportohet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovinës. E dyta, kërkojmë nga Serbia që të zotohet që do të ndalë fushatën për çnjohjen e Kosovës…. atëherë duke filluar nga data 1 prill, Qeveria e Kosovës do ta heq tërësisht taksën për një periudhe prej 90 ditësh. E treta, kërkojmë nga BE-ja ta vlerësoj lartë vendimin e Qeverisë për heqjen e taksës. E katërta, në rast se Serbia nuk e përfill vullnetin e mirë të Qeverisë së Kosovës dhe për pasojë nuk e pushon fushatën jomiqësore dhe nuk fillon me heqjen e barrierave, atëherë nga data 1 prill, Qeveria e Kosovës do të nis në masën e reciprocitetit. E pesta, në rast se pala serbe nuk reflekton as pas 90 ditësh për heqjen e importit për lëndën e parë, atëherë më 15 qershor Kosova do të vendos për reciprocitetin”, ka thënë ndër të tjerash Kurti.

Kurti ka bërë të ditur se masa e reciprocitetit do të vendoset pas 15 qershorit.

“Rivlerësimi i këtij vendimi varet nga rezultatet që arrihet në objektivat e këtij. Reciprociteti instalohet pas 15 qershorit”, theksoi Kurti.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në konferencën e sotme për media:

Pas takimeve me odat dhe shoqatat e ndryshme të ndërmarrësve vendorë, e sidomos me prodhuesit tanë, dhe pas leximit të analizës mbi reciprocitetin e munguar me Serbinë, punuar nga Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, kam ardhur te ky qëndrim sa i përket rrugës përpara lidhur me tarifën 100%:

1. Si Qeveri e Kosovës, gjatë javës së ardhshme, do të marrim vendim, që nga data 15 mars 2020, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Kjo si shenjë e vullnetit të mirë dhe gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë.

2. Ftojmë Serbinë që si përgjigje ndaj këtij vendimi të palës kosovare të zotohet se do ta ndërpresë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe po ashtu të nis me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës. Nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në ndalimin e fushatës jomiqësore dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave jotarifore me Kosovën, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do të heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe BeH për një periudhë prej 90 ditësh.

3. Bashkimi Evropian ta vlerësojë lart vendimin e palës kosovare për ta hequr tarifën prej 100%, duke ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit më 7 maj 2020.

4. Në rast se Serbia nuk e përfill vullnetin e mirë të Qeverisë së Kosovës për eliminim të barrierave ekonomike, tregtare dhe politike në raportet e ndërsjella dhe për pasojë nuk e pushon fushatën jomiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marëdhëniet me Kosovën, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 1 prill do të fillojë implementimin gradual të principit të reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë e mëpastaj edhe në atë ekonomike e politike.

5. Në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe prej 90 ditësh nga vendimi fillestar për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 15 qershor do ta rikthejë tarifën për importet nga Serbia, teksa vazhdohet implementimi i filluar me 1 prill i reciprocitetit.

6. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të dalin që në fillim me instrumente të detajizuara dhe afate kohore që listojnë benefitet nga angazhimi i sinqertë i palëve në tejkalimin e barrierave tregtare, ekonomike dhe politike; mekanizmat për evidentimin dhe adresimin preciz të mospërmbushjes eventuale të detyrimeve nga palët; dhe, po ashtu, edhe listimin e konsekuencave për palën jobashkëpunuese në proces.

7. Rivlerësimi i këtij vendimi varet nga rezultatet qe ai prodhon në arritjen e këtyre objektivave. Reciprociteti i plotë tregtar, ekonomik dhe politik instalohet pas 15 qershorit.

***

Kryeministri Albin Kurti ka thënë para gazetarëve se, ka vendosur që të heq taksën ndaj Serbisë nga 15 marsi i këtij viti.

***

 Kryeministri Albin Kurti po mban konferencë të jashtëzakonshme për media.

***

Kryeministri Albin Kurti ka thirrur konferencë të jashtëzakonshme për media, njofton Zyra e tij.  

Pasi e anuloi mbledhjen e Qeverisë, që ishte planifikuar të mbahej sot në orën 16:00, kryeministri do të deklarohet për media sonte në orën 16:30.

Kështu ka njoftuar Zyra e tij, ndërsa mbledhja e anuluar sot, do të mbahet të premten në mesdite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat