Përfundon takimi i Qeverisë në Prevallë, këto janë detajet e fundit

Aktuale

Përfundon takimi i Qeverisë në Prevallë, këto janë detajet e fundit

Më: 29 shkurt 2020 Në ora: 09:22
Pamje nga mbledhja e qeverisë

(E plotësuar) - Ka përfunduar mbledhja e kabinetit qeveritar që sot është mbajtur në Prevallë.

Pas mbledhjes kanë folur dy zëvendëskryeministrat Avdullah Hoti e Haki Abazi.

Ata kanë thënë se mbledhja e sotme ishte jashtëzakonisht produktive. Zëvendëskryeministri Abazi ka thënë se kanë përfunduar procesin e planit qeverisës dhe se programi do të jetë publik shumë shpejt.

“Kemi pasë një ditë jashtëzakonisht të frytshme me diskutime jashtëzakonisht mirë të përgatitura. Kemi përfunduar procesin e planit qeverisës dhe kemi përcaktuar kornizën e punës për prioritetet. Programi shumë shpejtë do të jetë në qeveri”, ka thënë ai.

Abazi ka treguar se sa u ka kushtuar qëndrimi i sotëm në një nga hotelet e Prevallës. Sipas tij kostoja ishte 150 euro, sa ka kushtuar salla ku kanë qëndruar përgjatë ditës.

“150 euro salla ku kemi qëndruar gjatë gjithë ditës. Për pjesën tjetër është një drekë e thjeshtë që e kanë konsumuar ministrat bashkë me stafin. Ne jemi munduar të zgjedhim një vend brenda Kosovës dhe ku mund të zhvillojmë punë produktive”, ka thënë ai.

Përfundon takimi i Qeverisë në Prevallë

Pas gati tetë orësh takim të Qeverisë së Kosovës në Prevallë, ai ka përfunduar.

Mësohet se qeveria ka harmonizuar programin e vet qeverisës.

Kryeministri Albin Kurti, më herët ka thënë se sot atje është prezantuar Drafti i Programit Qeverisës, dhe sipas tij, qeveria në krye me të do të planifikojë çdo gjë para se të vendosë.

Haki Abazi, tha para mediave se salla ku janë mbledhur sot ka kushtuar 150 euro, dhe ishte një drekë e thjeshtë.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrat e qeverisë janë duke mbajtur takim pune në Prevallë.

Për këtë takim ka folur para pak minutash edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi i cili është shprehur se po punohet në kthimin e marrëveshjes së koalicionit në program qeverisës.

Image
Haki Abazi

“Sot siç jeni të njoftuar, qeveria e Kosovës, kabineti është mbledhur sipas vendimit në nivel të qeverisë që të vazhdojmë punën. Është një ditë pune që e ka kthyer marrëveshjen e koalicionit në program qeverisës dhe në pjesën e parë të ditës dëgjuam të gjithë ministrat duke folur për procesin e skanimit, do të thotë vlerësimin e gjendjes në të cilën kanë marrë ministritë dhe fuzionimin e ministrive brenda strukturës së re të ministrive”, tha Abazi.

Ai më tutje është shprehur se puna do të vazhdojë në pjesën e dytë të ditës ku do të flasin për prioritetet afatshkurta dhe afatmesme të ministrive.

“Dita do të vazhdojë me karakter punues, në pjesën e dytë të ditës do t’i dëgjojmë ministrat përsëri për prioritetet afatshkurta dhe afatmesme. Përveç se ministrat të tregojnë për prioritetet, gjithashtu të shikojmë ku janë pikat e bashkërendimit që do të ndodhin brenda dy ministrive ose më shumë dhe menjëherë të fillohet koordinimi”, tha Abazi.

Më tutje, i pyetur për reciprocitetin, Abazi tha se nuk ka asgjë tjetër në diskutim sot përveç kthimit të marrëveshjes së koalicionit në plan qeverisës.

***

Zëvendëskryeministri i parë Avdullah Hoti ka thënë se mbledhja e sotme e qeverisës është po mbahet për të finalizuar programin qeverisës.

“Është mbledhje pune e qeverisë për të finalizuar programin qeverisës, i cili është dakorduar në marrëveshjen e koalicionit tash kthehet në program qeverisës, nëpër resorët përkatës. Po shqyrtojmë me detale programin, po identifikojmë prioritetet tona për katër vitet e ardhshme, po identifikojmë masat e menjëhershme që duhet të ndërmarrim nëpër resorët përkatës. Do ta kthejmë këtë plan qeverisës në plan pune me afate kohore, me masa konkrete, me agjendë legjislative edhe me buxhetet përkatëse për realizimin e këtij programi qeverisë”, ka thënë fillimisht Hoti.

Më tej, ai ka folur edhe për takimin e zhvilluar mbrëmë  në mes të Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, pas heqjes së pjesshme të taksës 100% ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnje e Hercegovinës.

“Janë takuar dy kryetarët e partive, pjesë të koalicionit për të diskutuar për tejkalimin e kësaj situate. Është kërkesë e partnerëve tanë ndërkombëtarë që ne të lëvizim përpara në heqjen e taksës dhe në marrjen përsipër komplet të procesit të dialogur. Në ndërkohë, partnerët na japin zotime që do të angazhohen menjëherë në stopimin e fushatës se çnjohjeve të Serbisë. Kemi disa diferenca, dallime brenda koalicionit qeverisës. Dy kryetarët janë takuar dje dhe mbesim që të takohemi prapë në ditët e ardhshme për të parë nëse mund që të përafrojmë qëndrimet”, ka deklaruar Hoti.

Qeveria e Kosovës është mbledhur sot në Prevallë për të harmonizuar programin qeverisës. Të pranishëm në mbledhje janë anëtarët e kabinetit qeveritar dhe stafi i zyrës së kryeministrit.

***

Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti ka thënë se sot po finalizohet programi qeverisës i cili është arritur mes dy partnerëve të koalicionit.

Ai tutje ka folur edhe për takimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa të zhvilluar mbrëmë pas hapit për heqjen e pjesshme të taksës 100 për qind.

Hoti ka thënë se me VV-në kanë dallime rreth kësaj çështje, por se janë duke punuar që t’i përafrojnë qëndrimet.

“Janë takuar dy kryetarët e partive dhe është diskutuar për tejkalimin e situatës, është kërkesë e partnerëve të heqim taksën, ndërkaq partnerët na japin premtime që do të angazhohen në ndaljen e fushatës për çnjohje. Kemi disa diferenca brenda koalicionit qeverisës dhe do të takohemi përsëri që t’i përafrojmë qëndrimet”, ka thënë ai.

***

Ka filluar të mbahet takimi i kabinetit qeveritar në Prevallë.

Ky takim është duke u zhvilluar në “Hotel Sharri” dhe se aty është parë duke hyrë edhe Kryeministri i vendit Albin Kurti.

Takimi është i mbyllur dhe mediat nuk po lejojnë të hyjnë brenda.

Është paralajmëruar se ky takim do të zgjasë me orë të tëra ku pritet të diskutohet për një serë çështjesh.

Kabineti qeveritar takohet në Prevallë për programin qeverisës

Kryeministri Albin Kurti dhe disa nga ministrat e qeverisë së Kosovës, tanimë kanë arritur në njërin ndër hotelet në Prevallë, ku do të mbahet takimi për të diskutuar lidhur me programin qeveritarë.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka shkruar në Facebook se sot në takim pune në Sharr me gjithë kabinetin qeveritar, do të diskutojnë programin qeverisës 2020-2023.

“Në këtë program reflektohet plotësisht marrëveshja e koalicionit, ku janë të specifikuar masat që do të ndërmarrim për të rritur punësimin, për kujdes social gjithëpërfshirës, për arsim e shëndetësi cilësore, rend e ligj për të gjithë, mbështetje për bujqësinë, diplomaci të fortë, kujdes për mërgatën tonë e çështje tjera”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat