Kosova drejt Vettingut në drejtësi, në fund të majit dorëzohet ekspertiza e pavarur

Aktuale

Kosova drejt Vettingut në drejtësi, në fund të majit dorëzohet ekspertiza e pavarur

Më: 6 mars 2020 Në ora: 11:40
Foto

Deri në fund të majit kanë kohë grupi punues i pavarur që u votua në qeveri të Kosovës për hartim të ekspertizës së plotë lidhur me Vetting-un në drejtësi. Pas këtij afati, Ministria e Drejtësisë kanë deklaruar se reforma do të instalohet për 24 muaj.

Kosova po vazhdon të përballet me probleme të shumta në sistemin e drejtësisë. Zgjidhje për këtë është parë që sa kohë Vetting-u i plotë apo siç njihet ndryshe procesi i verifikimit, në mënyrë që të tentohet funksionimi më i mirë i gjykatave e prokurorive.

Drejt Vetting-ut, qeveria në krye me Albin Kurtin e ka bërë ditë më parë hapin e parë. Me propozim nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është votuar themelimi i një grupi punues të ekspertëve të pavarur, që do të bëjnë skenarin e reformës së Vettingut për sistemin e drejtësisë.

Si anëtarë të grupit janë votuar, Qerim Qerimi si kryesues, Avni Puka, Visar Morina, Arbëresha Loxha, Ehat Miftaraj, Adriana Qosaj-Mustafa, Arton Demhasaj, Kreshnik Gashi dhe Kujtim Kërveshi.

Këta do të kenë afat deri në fund të muajit maj që në Ministrinë e Drejtësisë të dorëzojnë një ekspertizë të pavarur, në mënyrë që kjo të përcillet më vonë për votim në Qeveri të Kosovës.

Nga Ministria që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu kanë thënë sot gjatë ditës për se grupi punues që është themeluar me vendim të qeverisë së Republikës së Kosovës është obliguar që të fillojë punën në ditën e hyrjes në fuqi të vendimit, derisa planet mbesin në diskrecionin e plotë të këtij grupi.

“Me Vendimin Nr.08/04, të Qeverisë së Republikës së Kosovës është themeluar grupi i ekspertëve të pavarur.  Nga ditë e hyrjes  në fuqi të këtij vendimi grupi ekspertëve të pavarur obligohet të fillojë punën  për hartimin e skenarëve dhe  elementet e reformë së vettingut  në sistemin e drejtësisë. Planet dhe gjitha aktet e tjera të grupit të  pavarur të  ekspertëve  gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre mbetet në diskrecionin e  tyre të plotë”, shtohet tutje.

Nga MD kanë bërë të ditur se grupi do të veprojë në mënyrë të pavarur absolute, dhe se asnjë dikaster i kësaj ministrie nuk do të ndikojë në punën e tyre.

“Në piken 6, të Vendimit të Qeverisë përcaktohet pavarësia absolute e grupit të ekspertëve të pavarur nga Qeveria e Kosovës. Asnjë dikaster i Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk do të  ndikojë në asnjë formë në punën e grupit të pavarur të ekspertëve”, bëhet e ditur, teksa theksohet se grupi do të punojë pa asnjë kompensim financiar.

 “Grupi i pavarur i eksperteve deri me 30 maj 2020, Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë do t’i paraqes një raport me skenar/alternativen për reformën e Vettingut në sistemin e Drejtësisë dhe opsionet që duhet ndjekur për realizimin e reformës së Vettingut në reformën e drejtësisë të mbështetur në objektivitet, integritet profesional, dhe më së shumti në parime  që e bëjnë reformën të mbrojtur nga interferimi i kujtdo. Grupi i Pavarur i ekspertëve do të punojë pro bono (pa asnjë kompensim financiar)”, bëhet e ditur në përgjigje.

Nga zyra për media e MD-së kanë theksuar se pas hartimit të skenarëve  të reformës së Vettingut, nga grupi e i ekspertëve të pavarur do të angazhohen dhe bashkëpunojnë me faktorin ndërkombëtar konkretisht me  SHBA-në, Gjermaninë, Komisionin Evropian dhe me trupat e Kuvendit të Kosovës.

Derisa grupit punues të pavarur që e ka krijuar qeveria për hartimin e ekspertizës së pavarur për Vettingun i kanë mbetur edhe dy muaj kohë për të kryer këtë, kryesuesi Qerim Qerimi ka thën për të filluar punën janë duke pritur emërimin edhe të dy personave të tjerë, një nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe tjetri nga Këshilli Prokurorial.

Qerimi thotë se sapo të finalizohen emrat që përbëjnë grupin janë të gatshëm që të mblidhen dhe pastaj do t’i caktojnë edhe rregullat dhe metodat e kryerjes së punës.

“Janë dy anëtarë të tjerë emrat e të cilëve pritet të përcaktohen dhe dërgohen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës. Sapo të kemi emrat e tyre dhe kësisoj edhe kompletimin e komisionit, jemi në pozicion që të mblidhemi. Komisioni do të operojë në mënyrë të pavarur.  Në takimet e para pritet të përcaktohen rregullat dhe metoda e punës”, ka thënë ai.

Fillimin e punës drejt Vettingut po e shohin si zgjidhje të vetme edhe njohësit e çështjeve të drejtësisë. Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi kanë thënë se rekomandimi i tyre është që ky proces të bëhet me ndryshime kushtetuese, si dhe që të përfshihen në këtë proces edhe faktori ndërkombëtar.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) pas monitorimit dhe hulumtimit shumë vjeçar, ka ardhur në përfundim se për situatën në të cilën ka arritur sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës, zgjidhja e vetme është zhvillimi i procesit të vettingut në sistemin gjyqësor, prokurorial dhe në Policinë e Kosovës. Rekomandimi i IKD-së sot e kësaj dite ka qenë që ky proces të bëhet me ndryshime kushtetuese dhe me përfshirje të faktorin ndërkombëtar në këtë proces, më konkretisht me përfshirjen e Ambasadës Amerikane, Britanike dhe Gjermane në këtë proces”, thotë hulumtuesi nga IKD, Gzim Shala.

Sipas tij, krijimi i grupit punues paraqet hapin e parë në implementimin e këtij procesi, të cilin e ka quajtur të domosdoshëm për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

“Krijimi i grupit punues për këtë proces paraqet hapin e parë në implementimin e këtij procesi të domosdoshëm për sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës. Raporti këtij grupi punues duhet të përfshijë problemet e sistemit të drejtësisë, domosdoshmërinë për reforma dhe do të paraqesë të gjithë skenarët apo mundësitë e mundshme, në mënyrë që i njëjti dokument të dëshmojë se procesi i vetingut është e vetmja reformë e cila mund ta këndellë sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës”, shton ai.

Shala thotë se pavarësisht përbërjes së grupit punues, vendimi përfundimtar do të jepet nga Ministria e Drejtësisë, që do ta përcjellë dokumentin për miratim në qeveri.

“Pavarësisht përbërjes së këtij grupi punues, vendimi përfundimtar mbi vetë raportin e komisionit është politik, pasi është një person politik, përkatësisht Ministrja e Drejtësisë që këtë dokument do ta dërgoj për miratim në një institucion tjetër politik, përkatësisht në qeveri.

Ndër të tjera, grupi punues duhet të hartoj edhe planin e vet të punës dhe të përcaktojë edhe afatin se sa i nevojitet për të përfunduar këtë dokument, dhe po ashtu i njëjti grup punues duhet të përcaktojë edhe koston eventuale financiare, pasi anëtarët e këtij grupi punues nuk do të pranojnë pagesë për punën që bëjnë.  Lidhur me procesin e vetingut, grupi punues duhet të kërkojë ndihmë nga ekspertët e bashkimit evropiane, SHBA-ve, Britania e madhe etj. Për më tepër, ky grup punues duhet të analizojë edhe proceset e vetingut të cilat janë zhvilluar në shtetet e tjera, në mënyrë që të ideoj sistemin më të përshtatshëm për procesin e vetingut në Republikën e Kosovës”, ka thënë Shala.

Vettingu në drejtësi do t’ia marrë dy vite kohë Kosovës, derisa do të bëhet në bashkëpunim të plotë me Kuvendin e Kosovës. Kështu është deklaruar për këtë temë ditë më parë, ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë, në vazhdimësi është kritikuar për mosefikasitet dhe mosofrimin e shërbimeve me kohë për qytetarët që të kenë besim në ketë mekanizëm.   Fillimisht, sipas ministrisë do të ketë Vetting për policinë, prokurorinë, gjykatat, pastaj AKI-në, doganat ATK-në dhe njësinë e inteligjencës financiare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat