Ligji i Pagave, qeveria mund të përballet me protesta

Aktuale

Ligji i Pagave, qeveria mund të përballet me protesta

Më: 6 mars 2020 Në ora: 18:02
Foto ilustrim

Ligji i Ri i Pagave po vazhdon të jetë në Gjykatën Kushtetuese ku ka arritur me kërkesë të avokatit të Popullit pasi janë vërejtur disa lëshime për kategori të ndryshme.

Avokati i Popullit e ka arsyetuar dërgimin e Ligjit të Pagave në Gjykatën Kushtetuese duke konstatuar se ajo është në kundërshtim me disa pika të Kushtetutës së Kosovës.

Në atë kohë, ishte kërkuar që vendimi për Ligjin e Pagave të pezullohet deri më 30 mars të vitit 2020, mirëpo ditëve të fundit është raportuar se kjo kohëzgjatje mund të tejkalohet.

Lidhur me këtë, ka kontaktuar Sindikatat e Pavarura të kategorive që preken nga Ligji për Pagat për të diskutuar rreth kësaj çështje.

Blerim Syla, nga Sindikata e Shëndetësisë e Kosovës është shprehur se nuk do të përzihen në vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por shtyrja është vendim i dëmshëm.

Sipas Sylës, kjo është brengosëse dhe më tutje ai tha se mund të ketë aksione dhe veprime të cilat mund të bëhen pa dëshirën e krye-sindikalistëve.

“Ne jemi në konsultime të vazhdueshme me 5 sindikatat dhe jemi duke i kqyrë mundësitë ligjore, por nuk do të përzihemi në vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por është shumë e dëmshme nëse shtyhet edhe ky afat, kjo është ]ka po na brengos dhe aksionet mund të bëhen edhe pa dëshirën e krye-sindikalistëve”, tha Syla.

Në anën tjetër, Rrahman Jashari nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, është shprehur optimist për vendim pozitiv të Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse bazohemi nga takimet që kemi pasur me avokatin e Popullit jo vetëm SBASHK-u por edhe sindikata të tjera janë të sigurt se Kushtetuesja nuk do të shtyjë vendimin sepse avokati i Popullit ka dërguar  Kushtetueses në bazë të sajë Gjykata Kushtetuese ka vepruar dhe nuk ka goditur në koeficiente, por janë çështje që avokati ka kërkuar për pagat në sektorë të ndryshëm të ministrive dhe nuk janë definuar qartë disa koeficiente dhe tituj të punës dhe jemi të sigurt se kushtetuesja do të marrë vendim që të obligojë Parlamentin e Kosovës t’i përmirësojë. Ne besojmë se Gjykata Kushtetuese do të sjellë vendimin që ligji të fillojë së implementuari”, tha Jashari.

Më tutje, Jashari ka shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me raportimet se qeveria Kurti nuk do të përfshijë Ligjin e Pagave në buxhetin për vitin 2020.

Ai është shprehur se situata është e acaruar në Sindikatat e Parura dhe do të ketë veprime konkrete sindikale nëse kjo del të jetë e vërtetë.

“Angazhimet i kemi, kemi kërkuar takim me ministrin Kurti sepse kemi parë një lajm se gjëja qeveria Kurti nuk do të përfshijë ligjin e pagave për buxhetin 2020 dhe në takim me Kurtin do të kërkojmë dëshmi që në Ligjin e Buxhetit për 2020 do të jenë mjetet e nevojshme për të aplikuar Ligjin e Pagave dhe nëse kjo nuk ndodh atëherë edhe në SBASHK por edhe në sindikata të tjera situata është e acaruar dhe do të kemi veprime konkrete sindikale ashtu siç vendosin organet më të larta të këtyre sindikatave”, tha Jashari më tutje.

Në fund, Jashari është e shprehur se ka indinjatë brenda sindikatave dhe ka uruar që lajmi i tillë lidhur me buxhetin të mos jetë i vërtetë.

Avokati i Popullit vendimin për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Pagat e kishte marrë pasi kishte pranuar mbi 35 ankesa individuale nga subjekte të ndryshme të sektorit publik.

Ai ka vlerësuar së është në “interes të ankuesve, por edhe të publiket, që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë nëse Ligji i kontestuar prek interesat legjitime të këtyre ankuesve.

Mbetet të shihet deri më datë 30 mars se cili do të jetë vendimi final i Kushtetueses lidhur me Ligjin e Pagave dhe deri në prezantimin e buxhetit për vitin 2020 ende nuk dihet nëse qeveria e ka përfshirë Ligjin për Pagat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat