Teksa debati për taksën vazhdon, në Kosovë për dy muaj hynë 730 mijë euro mallra nga Serbia

Aktuale

Teksa debati për taksën vazhdon, në Kosovë për dy muaj hynë 730 mijë euro mallra nga Serbia

Më: 7 mars 2020 Në ora: 22:14
Ilustrim

Taksa po vazhdon të mbetet tema më aktuale politike në Kosovë. SHBA-të po kërkojnë me ngulm heqjen e saj, ndërsa këtë kërkesë po e refuzon kryeministri Kurti. Teksa raportet SHBA-Kosovë janë në pikën më të ulët viteve të fundit, në vendin tonë po vazhdojnë të hyjnë mallrat serbe.

Taksa 100% ndaj mallrave serbe po vazhdon të mbetet në fuqi, pavarësisht kërkesës së qartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e saj dhe hapjen e rrugës për rinisjen e dialogut mes Kosovës e Serbisë.

Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin po vazhdon t’i rezistojë kërkesave të amerikanëve, teksa këta të fundit si kundërpërgjigje kanë paralajmëruar edhe shkurtime ekononomike, apo thënë ndryshe edhe sanksione ndaj Kosovës.

Sidoqoftë, teksa debati po vazhdon, në Kosovë po vazhdojnë të hyjnë mallrat serbe.

Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave për lajmi.net ka bërë të ditur se vetëm në muajt janar e shkurt importi nga Serbia ka arritur në vlerën e 730 mijë eurove.

Gjatë tërë vitit që lamë pas Stavileci thotë se kjo vlerë ishte rreth 5.8 milionë, teksa të njëjtën periudhë, pra janar-shkurt të vitit 2019 vlera e importit nga Serbia shkonte deri në 1 milion euro, që krahasuar me këtë vit, është vlerë më e madhe.

“Gjate këtij viti kemi rreth 730 mije euro import nga Serbia, derisa vitin e kaluar ishte rreth 5.8 milion euro (tere viti) derisa dy muajt e pare ishin rreth 1 milion euro”, ka thënë Stavileci.

Nga dogana për lajmi.net bëjnë të ditur se mallrat që hyjnë në Kosovë nga Serbia janë të dy natyrave kryesore; pra kryesisht të industrisë ndërtimore dhe industrisë kimike.

“Mallrat janë te dy natyrave kryesore, dominojmë produkte e industrisë ndërtimore (rëre natyrale, çimento, tulla qeramike, artikuj prej betoni etj), industria kimike (p.sh azot) si dhe produktet e industrisë se ushqimit”, ka thënë ai.

Taksa ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake ishte vënë nga Qeveria e kryesuar nga Ramush Haradinaj si kundërpërgjigje ndaj fushatës së egër të Serbisë në arenën ndërkombëtare kundër Kosovës.

E është pikërisht partia e Haradinajt, AAK ajo që me ngulm po kërkon mbajtjen në fuqi të taksës, teksa në rast të heqjes ata kanë paralajmëruar edhe protesta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat