​Osmani: E dhimbshme që dy dekada pas luftës mbahen të heshtura tregimet e dhunës seksuale

Aktuale

​Osmani: E dhimbshme që dy dekada pas luftës mbahen të heshtura tregimet e dhunës seksuale

Më: 9 mars 2020 Në ora: 12:06
Foto nga Kuvendi

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi sot se është e dhimbshme që dy dekada pas luftës, tregimet e torturës dhe abuzimit seksual po mbahen të heshtura.

Ajo këto komente i bëri gjatë fjalimit në seancën e veçantë për Ditën Ndërkombëtare të Gruas në Kuvendin e Kosovës.

Përmes monumentit të pavarësisë, Osmani tha se jehoi kumbueshëm zëri i viktimave të dhunës seksuale të cilat duan që plaga e tyre të shërohet.

Osmani: E dhimbshme që edhe pas dy dekadave abuzimet seksuale po mbahen të heshtura

“20 vjet pas luftës nga monumenti i pavarësisë jehoi kumbueshëm një zë, një thirrje, një mesazh, i cili u shndërrua në moto të betejës për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale. Mesazhi thoshte ‘plaga ime le të ketë zë’ .Ky mesazh është zëri i ndërgjegjes sonë që ka munguar, është zëri i Vasfije, i Shyhretes dhe mijëra viktimave tjera, të mbijetuarave dhe të më të fortave ata duan të kenë zë dhe duan që plaga e tyre shpirtërore të shërohet duke ua njohur këtë plagë në radhë të parë dhe duke u siguruar drejtësi. Është e dhimbshme që dy dekada pas luftës tregimet e torturës dhe abuzimit seksual po mbahen të heshtura dhe jashtë meta narracionit të luftës dhe diskursit publik ”, tha Osmani.

Ajo tha se në ditëlindjen e 12 të pavarësinë së Kosovë monumenti NewBorn shpërfaqi dhimbjen më të madhe të Kosovës heshtjen e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Osmani: Ta heshtësh zërin e viktimave është njësoj sikur t’i përdhunosh për së dyti herë.

“Na e rikujtuan edhe plagën tonë të madhe dhunën e përjetuar gjatë luftës në Kosovë, por edhe gabimin tonë të pafalshëm karshi historisë sonë, heshtjen e zërit të të mbijetuarave të kësaj dhune për shkak të mos veprimit të të drejtësisë, për shkak të paragjykimeve, stigmave dhe mos besimit. Por, të mos e rrëfesh krimin, të mos lejosh të rrëfehet ai krim, të mos e vendosësh drejtësinë në vend është sikur ta mohosh rishtas atë. Ta heshtësh zërin e viktimave është njësoj sikur t’i përdhunosh për së dyti herë. Të mos e përkrahësh lirinë e tyre për të dëshmuar krimin e për ta kërkuar drejtësinë është sikur të mbytësh zërin e viktimës e ta bësh viktimë tërë shoqërinë. E grave të Kosovës ndaj të cilave është ushtruar dhunë e egër nga aparteidi gjenocidial serb u është pamundësuar e drejta për të folur për krimin nga mungesa e drejtësisë efektive”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat