Minatorët e Trepçës bojkotojnë punën

Aktuale

Minatorët e Trepçës bojkotojnë punën

Më: 11 mars 2020 Në ora: 13:38
Minatorët e Trepçës

Rreth 650 punëtorë të minierës “Trepça” me flotacion në Stantërg dhe Tunel të Parë, janë duke bojkotuar punën që dy ditë, për shkak se nuk i kanë marrë pagat e shkurtit, ndërsa edhe pagat e janarit nuk u janë paguar të plota afër gjysmës së tyre.

Agim Hasani, minator, ka konfirmuar për KosovaPress se që dy ditë punëtorët kanë bojkotuar punën për shkak të pagave. Sipas tij, kjo po shkakton probleme pasi mbi 70 për qind e punëtorëve kanë kredi në banka, të cilat po i penalizojnë për shkak të vonesave.

Ai shtoi se punëtorët nuk do të punojnë derisa t’i marrin pagat.

Ndërsa, Basri Ibrahimi, menaxher i përgjithshëm në Trepçë, ka potencuar koronavirusin si arsye kryesore të gjendjes së rëndë financiare në këtë ndërmarrje, për të cilin tha se ka bërë që tregu i metaleve dhe përpunimit të dekuilibrohet dhe ta ndryshojë krejtësisht gjendjen.

Në lidhje me situatën aktuale të rëndë, ai ka përmendur edhe disa faktorë tjerë, siç janë rënia e çmimeve të metaleve, pastaj ngritja e çmimit për përpunimin e tyre dhe të ngjashme.

Ibrahimi tha se e ka të vështirë të parashikojë se kur do të zgjidhet ky problem, derisa u shpreh optimist se qeveria do ta mbështesë për të tejkaluar situatën e rëndë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat