​Hoti do ta paraqes një listë të masave në Qeveri pas dakordimit me odat

Aktuale

​Hoti do ta paraqes një listë të masave në Qeveri pas dakordimit me odat

Më: 15 mars 2020 Në ora: 14:01

(E plotësuar) - Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur në një konferencë për media se kanë arritur një dakordim me odat ekonomike në vend për një sërë masash për t’i prezantuar qeverisë për miratim, e të cilat kanë të bëjnë me krijimin e lehtësirave për bizneset në kohën kur vendi po përballet me koronavirusin.

Hoti ka prezantuar masat që do t’i paraqiten qeverisë për miratim, ku ndër to është shtyrja e afatit për deklarimin e obligimeve tatimore dhe raportimeve financiare deri më 30 prill, riprogramimi i kredive, si dhe lehtësimi i transportit të mallrave që vijnë në Kosovë.

Hoti: Ministria e Ekonomisë dhe e Bujqësisë në konsultim me bizneset i inventarizojnë të gjitha rezervat shtetërore

“Për të lehtësuar transportin e mallrave që vijnë në Kosovë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Administratës do të nxjerrë udhëzues të qartë për mënyrën se si lejohen maunat të hyjnë në Kosovë që kanë shofer shtetas të vendeve të tjera, për t’u siguruar se ata persona nuk kanë kontakt tjetër por vetëm për të sjell mallin dhe për t’u kthyer në vendet e tyre. Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Bujqësisë në konsultim me bizneset i inventarizojnë të gjitha rezervat shtetërore të produkteve të rëndësisë strategjike dhe përgatitin një plan të këtyre rezervave shtetërore për tre muajt e ardhshëm dhe këtë plan ia propozojnë Qeverisë për miratim, ku në mes tjerash specifikohen masat që duhen të ndërmerren dhe buxheti përkatës përfshirë këtu edhe kufizimin e sasisë së blerjeve që mund të bëhen nga ana e qytetarëve. Ministria e Financave, Ekonomisë dhe ajo e Bujqësisë në konsultim me bizneset sjellin për miratim në qeveri një plan për mbështetje të bizneseve të rëndësisë strategjike për ofrimin e këtyre mallrave”, tha ai.

Ndër masat që do t’i rekomandohen Qeverisë së Kosovës për miratim është shtyrja e afatit për deklarimin e obligimeve tatimore dhe raportime financiare të bizneseve deri më 30 prill 2020.

Po ashtu, BQK në konsultim me bankat të përgatisë një plan operativ për funksionim të rregullt të sistemit financiar për të përballuar situatën në të cilën gjendet vendi, duke e shqyrtuar edhe riprogramimin e kredive.

Hoti: Shtyhet afati për deklarimin e obligimeve tatimore dhe raportimeve financiare të bizneseve

“Shtyhet afati për deklarimin e obligimeve tatimore dhe raportimeve financiare të bizneseve dhe organizatave të tjera sipas legjislacionit në fuqi deri më 30 prill 2020. BQK në konsultim me bankat udhëzohen të përgatisin një plan operativ për funksionim të rregullt të sistemit financiar për të përballuar situat ën në të cilën gjendemi. Duke e përfshirë në veçanti prolongimin e obligimeve kreditore të klientëve të tyre deri më 30 prill dhe të shqyrtojnë riprogramimin e kredive. Ministria e Ekonomisë bashke me ndërmarrjet e tyre që ofrojnë shërbimet publike si ngrohje, shërbimet me ujë dhe mbledhjen e mbeturinave të ngritin komitetin për menaxhimin e shërbimeve publike dhe të përgatisin planin e veprimit sipas situatës së krijuar. ME do të mbikëqyrë punën e KEK-ut, KED-sit, dhe KOSTT-it për të siguruar furnizim stabil me energji elektrike. Ndërmarrjet e shërbimeve të internetit dhe telefonisë mobile të sigurojnë funksionim të rregullt me qëllim të informimit të plotë të qytetarëve, duke siguruar që shërbimet nuk ndalen deri më 30 prill 2020 edhe për shkak të mos pagesës. Shtyrja deri më 30 prill 2020 pagesa e të gjitha obligimeve për shërbimet publike si uji, energji, ngrohje dhe mbeturina”, tha ai.

Ai tha se do të sq arojnë se cilat bizneset do të mbyllen dhe cilave u lejohet veprimtaria. Po ashtu, ai tha se do të japin sqarime edhe për pushimin e njërit prind.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se e mirëpresin reagimin e shpejtë të Qeverisë së Kosovës për t’i marrë parasysh kërkesat e bizneseve, derisa ka bërë thirrje që të komunat të respektojnë vendimet e qeverisë, pasi sipas tij ka pasur mbyllje të bizneseve të cilave nuk u ndalohet puna me vendim të qeverisë.

Rukiqi: Në të gjitha komunat janë mbyllur biznese të cilat nuk ndalohen me këtë

“Kjo është vetëm faza e parë e masave deri në një periudhë të caktuar për të kaluar këtë periudhën e emergjencës, pastaj ne sigurisht do të ulemi ta shohim pastaj aspektin e pasojave dhe rimëkëmbjes së ekonomisë të ndërmarrjeve tona. Ajo çka kam bërë thirrje që nga dje në mëngjes e që vazhdoj edhe sot është nevoja që bizneset dhe komunat ta respektojnë vendimin e qeverisë, kur them ta respektojnë edhe në atë pjesën që nuk i ndalon veprimtaritë e caktuara. Vendimi i qeverisë i ndalon kafet, baret, restorantet, qendrat tregtare, mirëpo nuk i ndalon veprimtaritë tjera. Dje kemi pasur një keq lexim të kësaj situate dhe kjo vazhdon edhe sot dhe në të gjitha komunat janë mbyllur biznese të cilat nuk ndalohen me këtë”, tha ai.

Ai ka përmendur se sot është njoftuar nga drejtori i KEDS-it, i cili tha se ka pasur problem me organizimin e punëtorëve të cilët kanë refuzuar të dalin në punë. Ai tha se energjia elektrike është fundamentale për funksionimin si shoqëri.

Ndërkaq, Muhamet Selmani nga Shoqata e Mullistëve të Kosovës, ka deklaruar se duhet të ulet paniku tek qytetarët sa i përket furnizimit me miell.

Ai tha se për këto ditë ka sasi të mjaftueshme të miellit dhe se fabrikat do të jenë në gatishm ëri për t’i furnizuar të gjithë qytetarët me miell.

Selmani: Sasi të miellit për këto ditë ka të mjaftueshme

“Ta ulin panikun që e kanë për furnizim me miell. Prodhuesit e miellit që janë thuajse 30 prodhues që janë shumë aktiv, nuk është problemi se nuk ka sasi të grurit për bluar, problemi më i madh qëndron tek koha për ta shndërruar grurin në miell, kapacitetet e tyre janë të limituara, për arsye se nuk kanë kapacitete se fluksi është shumë i madh. Kështu që, të mos bëni panik të bëni radhë të gjata para fabrikave të miellit për të tërhequr miell, e pastaj të krijohet një panik se nuk ka miell. Do të ketë lehtësira për furnizim me grurë, grurë në regjion ka, bllokada nuk ka, mirëpo është çështje kohe. Edhe një herë ju lus mos krijoni panik për miell, sepse sasi të miellit për këto ditë ka të mjaftueshme dhe besoj që fabrikat e miellit do t ë jenë në gatishmërinë e tyre për t’i furnizuar të gjithë qytetarët me miell”, tha ai.

Në Kosovë deri më tani janë regjistruar 5 raste me koronavirus, ndërsa gjatë ditës së sotme Odat ekonomike kanë kërkuar që qeveria të ndërmerr masa për bizneset.

***

Zëvendëskryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se sot ka zhvilluar një takim me odat ekonomike ku janë dakorduar për një listë të masave të cilat do të trajtohen në mbledhje të qeverisë.

Ai ka treguar se cilat janë këto masa.

"Sot jemi takuar me odat kryesore në Kosovë, takimi është vazhdimësi e takimit të djeshëm. U dakorduam për një listë të masave dhe unë do t’i paraqes në qeveri. E para, për të lehtësuar mallrat që vijnë në Kosovë. Ministria e Ekonomisë dhe e Bujqësisë i të gjitha rezervat shtetërore për tre muajt e ardhshëm, ku specifikohen kufizimet e sasisë që mund të bëhen nga qytetarët. Një plan për mbështetje të bizneseve. Shtyhet afati për deklarimin e raporteve financiare deri më 30 prill. BQK udhëzohet të përgatis një plan që të rishqyrtojnë kreditë. Ministria e Ekonomisë do të mbikëqyrë punën e KEK-ut, KEDS-it për stabiliz im të furnizimit me energji elektrike. Shtyhet deri me 30 prill pagesa për të gjitha shërbimet publike, si ujë, mbeturina", tha ai.

Ai tha se do të sqarojnë se cilat biznese do të mbyllen dhe cilave u lejohet veprimtaria. Po ashtu, ai tha se do të japin sqarime për pushimin e njërit prind.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi, tha se kjo është vetëm faza e parë e masave.

"Kjo është vetëm faza e parë e masave, pastaj do të ulemi të shohim për rimëkëmbjen e bizneseve. Nevoja që bizneset dhe komunat ta respektojnë vendimin e qeverisë, i cili nuk i ndalon veprimtaritë e tjera. Ne nuk e kemi komunitetin t’i ndalim të gjitha. Sot më ka thirrur drejtori i KEDS, që ka pasur problem me organizimin e punëtorëve, e energjia është fondamentale", tha ai.

Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane, tha se jo të gjitha punët mund të kryhet nga shtëpia, janë sektori i ndërtimtarisë.

Shoqata e mullisëve, Muhamet Selmani pati një kërkesë rreth millit.

"Ta ulin panikun për furnizim me miell. Nuk është problemi se nuk ka grurë, por problemi është për ta bërë grurin miell për një kohë të shkurtër. Do të ketë lehtësira për grurë, mos krijoni panik për miell sepse miell ka", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat