Rrezik për raste të reja me Covid-19 në Viti, kërkohen masa mbrojtëse shtesë

Aktuale

Rrezik për raste të reja me Covid-19 në Viti, kërkohen masa mbrojtëse shtesë

Më: 16 mars 2020 Në ora: 11:10

Komuna e Vitisë po del të jetë më e prekura nga Covid 19 i shkaktuar nga virusi Korona.

Deri më tani, në këtë komunë të izoluar, ka pasur më së shumti raste të infektuara më këtë virus.

Zëdhënësi i Komitetit Emergjent në komunën e Vitisë, Tafil Salihu, në një prononcim ka folur për gjendjen e krijuar në këtë komunë pas identifikimit të disa personave me Virusin Korona COVID-19.

Ai tha se Instituti i Shëndetit Publik, ka marrë edhe disa mostra të disa personave që dyshohet se kanë pasur kontakt me personin e identifikuar me Koronavirus.

Sipas Salihut mundësia që të ketë raste të reja është e madhe.

“Ekipet e Institutit kanë marrë mostrat edhe në fshatin e të identifikuarit të parë në komunën e Vitisë, pasi që druhet se do të ketë edhe raste tjera”, deklaroi ai.

E për t’i reduktuar rastet e të prekurve me Koronavirusi, Salihu tha se Komiteti Emergjent sot ka marrë disa vendime për ta menaxhuar situatën sa më mirë.

Ai tha se kryetari i Komunës, Sokol Haliti, së bashku me komitetin kanë vendosur që të vazhdoj dezinfektimi dhe që të reduktohet stafi administrativ i komunës.

“Komuna e Vitisë ka formuar një Komitet Emergjent për ta menaxhuar situatën. Komiteti është aktiv tërë kohen dhe po  mundohemi ta mbajmë situatën në kontroll. Sot kemi pasur mbledhje dhe është vendosur që të vazhdoj dezinfektimi i objekteve publike, më herët është bërë dezinfektimi, por kemi vendosur që edhe sot të vazhdoj. Masa tjetër është reduktimi i administratës, do të punojnë vetëm shërbimet esenciale me  staf të reduktuar, personat që janë me problem kronike janë liruar nga puna”, tha Salihu.

Ai tha se kanë marrë vendim që të reduktohen  kontaktet me administratorët e fshatrave për shkak se druhet se personat e infektuar nga fshati Stubëll kanë pasur edhe kontakte me personat tjerë në fshatrat tjera.

Sipas Salihut, komuna e Vitisë, tani ka nevojë për disa masa mbrojtëse për stafin mjekësor, siç janë, rrobat mbrojtëse.

“Kërkesa jonë është me pasë më shumë mjete mbrojtëse, siç janë, maskat, dorëzat, sidomos rrobat mbrojtëse për personelin mjekësor pasi që ato janë për një përdorim dhe nuk mund të përdoren disa ditë”, tha ai.

Për t’i dalë në ndihmë kësaj komunë, Ministria e Shëndetësisë ka dërguar disa masa mbrojtëse, por zëdhënësi i Komitetit Emergjent tha se këto nuk mjaftojnë.

“Ministria e Shëndetësisë kanë dërguar një sasi të maskave dhe të dorëzave, por nuk mjaftojnë ato pasi që po del se Vitia do të jetë vendi më i prekur nga Koronavirusi”, tha ai.

Salihu tha se qytetarët janë duke e respektuar në masë të madhe vendimin e izolimit dhe se nuk ka lëvizje të mëdha në qytet.

“Tani jam në qendër dhe mund të them se është duke u respektuar masa e hyrje-daljeve në këtë komunë. Qytetarët e kanë marrë seriozisht situatën dhe po rrinë të izoluar. Nuk ka lëvizje, janë mbyllur bankat që operojnë në Viti, janë vetëm disa dyqane të vogla që shërbejnë për ushqim” u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat