Shtohen kontrollet në pikat kufitare, në Vërmicë asnjë i dyshuar për koronavirus

Aktuale

Shtohen kontrollet në pikat kufitare, në Vërmicë asnjë i dyshuar për koronavirus

Më: 16 mars 2020 Në ora: 15:31
Foto ilustrim

Pas pacientëve të parë që dolën pozitivë me virusin COVID-19 në vendin tonë, qeveria ka shpallur gjendjen emergjente në sektorin e shëndetit publik si dhe ka shtuar kontrollet në pikat kufitare.

Edhe në pikë kalimin kufitar me Shqipërinë është njëjtë. Aty, ekipet mjekësore po kontrollojnë në bazë të rekomandimeve të Institutit të Shëndetit Publik si dhe janë të pajisur me masat mbrojtëse.

Aktualisht kufiri me Shqipërinë është i mbyllur për vetura, ndërsa të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët kanë qenë në territorin e Shqipërisë e që duan të kthehen lejohen të hyjnë në vend.

Njëjtë veprohet edhe për kamionët me mallra të cilët kalojnë lirshëm, ndërsa drejtuesit e tyre kontrollohen vazhdimisht për simptomat e COVID-19.

Doktori Shefket Kadriaj, i cili është në krye të detyrës në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë, tha për KosovaPress se të gjithë ata që hyjnë në Kosovë i nënshtrohen kontrolleve për koronavirus.

Që prej orës 07:00 e deri në mesditë në këtë pikë kufitare kanë kaluar rreth 90 persona të cilët janë kontrolluar dhe nuk kanë shfaqur simptoma për virusin COVID-19.

“Prej orës 7 të mëngjesit kur edhe kemi filluar këtu, deri tash përafërsisht janë gati 90 persona që kanë kaluar në këtë pikë kufitare, prej tyre shumica kanë qenë transportues të mallrave përveç një rast që ka qenë prej Brukselit në Tiranë me aeroplan, tjerat raste kanë qenë në përgjithësi prej Kukësit dhe familjarë….Sot sa jam unë këtu nuk ka asnjë të dyshuar”, u shpreh Kadriaj.

Kadriaj theksoi se, përveç transportuesve të mallrave, në këtë pikë kufitare kanë hyrë edhe disa familje kosovare të cilët kanë qenë në Shqipëri dhe janë kthyer në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat