SBASHK: Jemi të mobilizuar për mësimin nga largësia

Aktuale

SBASHK: Jemi të mobilizuar për mësimin nga largësia

Më: 23 mars 2020 Në ora: 15:08
SBASHK

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës ka thënë se mësimdhënësit edhe në këto kohë të vështira për Kosovën dhe tërë botën janë të mobilizuar dhe do të jenë, edhe pse nga larg, me nxënësit e prindërit në rrugëtimin drejt dijeve të reja.

Në takimin e sotëm kryetari i SBASHK-ut ka informuar stafin, kryesinë dhe kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve se ka komunikuar me ministren Hykmete Bajrami për ta përgëzuar e uruar me rastin e nisjes së mësimit nga larg duke i shprehur mbështetjen e plotë të SBASHK-ut në përpjekjen e përbashkët që dija dhe arsimi të vazhdojnë rrugëtimin drejt diturive të reja e me lutjen e përbashkët për fitore ndaj armikut tinëzar dhe kthim sa më të shpejt në institucionet arsimore.

“SBASHK në takimin e sotëm ka marrë informacione nga kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve se shumë nga kolegët tanë ka kohë që kanë nisur komunikimin nga larg me prindër e nxënës dhe duke zhvilluar kështu brenda mundësive njësi mësimore e duke testuar njohuri përmes detyrave. SBASHK-u përgëzon kolegët tanë për këtë angazhim. Punëtorët e arsimit janë dëshmuar edhe në kohë të tjera të liga duke e mbajtur gjallë dritën kundër errësirës. Ata edhe në këto kohë të vështira për Kosovën dhe tërë botën janë të mobilizuar dhe do të jenë, edhe pse nga larg, me nxënësit e prindërit në rrugëtimin drejt dijeve të reja. Stafi i SBASHK-ut, kryesia dhe kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve çdo ditë do të vazhdojnë me komunikimin dhe takimet nga larg duke analizuar situatën e duke qenë në gatishmëri për punë e përkushtim sipas kërkesave të kohës. Në gjithë vitet e okupimit qëndruam fuqishëm në shërbim të dijes e dritës kundër errësirës. Të mobilizuar e të gatshëm jemi edhe sot”, thuhet në njoftim.

Edhe nga këto takime prej së largu stafi dhe gjithë anëtarët e SBASHK-ut edhe një herë shprehin mbështetjen dhe respektin për Sindikatën e Shëndetësisë, pra ndaj mantelbardhëve duke i përgëzuar për angazhimin dhe përkushtimin në luftë për jetën kundër vdekjes. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat