LAJMI I FUNDIT: Rrëzohet Qeveria Kurti

Aktuale

LAJMI I FUNDIT: Rrëzohet Qeveria Kurti

Nga: Bota sot Më: 25 mars 2020 Në ora: 16:52
Albin Kurti

(E plotësuar) - ​Me 82 vota pro, 32 kundër, dhe një abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar sonte mocionin e iniciuar nga LDK-ja për rrëzimin e Qeverisë Kurti, pjesë e së cilës ishte edhe kjo parti.

Deri te votimi i mocionit erdhi pas gati 12 orë debati në Kuvend ku u përsëritën akuza e kundërakuza të tashmë ish-partnerëve të koalicionit qeverisës, prishja e të cilëve ndodhi për shkak të shkarkimit të ministrit të Brendshëm Agim Veliu që vjen nga radhët e LDK-së.

Osmani: Kuvendi miraton mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti

“Janë 82 voto pro mocionit, 32 kundër, dhe një abstenim. Me këtë konstatoj që Kuvendi i Kosovës e miratoi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë”, ka deklaruar Vjosa Osmani, kryetare tashmë në detyrë e Kuvendit të Kosovës.

Gjatë votimit të mocionit 117 deputetë ishin të pranishëm në sallë.

***

Është votuar mocioni i mosbesimit, me 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim.

Në sallë ishin prezent 117 deputetë.

Kujtojmë që mocioni i mosbesimit është inicuar nga LDK-ja e cila ishte në qeveri me VV-në, pas shkarkimit të ministrit të mbrojtjes, Agim Veliut.

***

Kuvendi i Kosovës e ka mbështetur me 82 vota pro, 31 kunder, dhe 1 abstenim mocionin e LDK-së për rrëzimin e Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.

Kurti flet për taksën: E la politikën krejt jo veç këtë karrige ​ (Drejtpërdrejt)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se më para e len politikën se sa ta largoj taksen pa referendum ose zgjedhje të reja.

Ai ka thënë se i mbron interesat e qytetarëve.

“Shikoni mu më duhet me i mbrojt interesat e Kosovës ashtu siç i kam fituar zgjedhjet, nëse i gjithi populli i Kosovës është me e heq taksen ose duhet zgjedhje ose referendum e la politiken krejt jo veç këtë karrige”, ka thënë Kurti.

Kurti: Dialogu u pre ‘me shpatën’ e gjatë prej Bradashit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka akuzuar ministrin e shkarkuar Agim Veliou dhe kryetarin e LDK-së Isa Mustafa se kanë kundërshtuar vazhdimin e dialogut ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së me propozim të ministrit të Mbrojtjes, Anton Quni, para se Kuvendi të shkonte më herët në pauzë.

Gjatë fjalës së tij në Kuvemd ku po diskutohet mocioni i mosbesimit për Qeverinë që ai drejton, Kurti ka thënë se vendimmarrja e LDK-së nuk është në Prishtinë, por në Bradash dhe Prapashticë, duke aluduar në vendlindjen e Agim Veliut dhe Isa Mustafës.

Kurti: Vendimmarrja e LDK-së është në Bradash e Prapashticë

“Më lejoni ta falënderoj Anton Qunin i cili e shtriu dorën e dialogut dhe ato tri elemente që kanë qenë si kushte në fakt janë si kushte në fakt janë çështje të dialogut, por më vjen keq që kjo dorë e dialogut u pre me ‘shpatën e gjatë’ prej Bradas hit. Dhe duhet t’ju them se kjo është vështirësia ime si kryetar i VV-së në këtë qeveri, që vendimmarrja e partnerit tim LDK-së, nuk është në Prishtinë, pasi që është nxjerr jashtë Prishtine - është në Prapashticë dhe Bradash”,ka thënë Kurti.

Kurti: Thaçi dhe Vuçiq kanë marrëveshje të fshehur

Kryeministri Kurti insiston se presidenti Hashim Thaçi ka marrëveshje të fshehur me presidentin Aleksandër Vuçiq.

Andaj ka thënë se është e kot që të shkohet në “Shtëpinë e Bardhë”.

Ai tha se ideja për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nuk ka qenë ide e Isa Mustafës, por e presidentit Hashim Thaci.

Kryeministri Albin Kurti: Vendimet LDK-së janë në Prapashticë e në Bradash!

Kryeminsitri Kurti, ka thënë se vendimet e LDK-së, nuk janë në sallën e Kuvendit, por në Prapashtcë e në Bradash.

Sipas Kurtit, dora e zgjatur e dialogut nga ministri Quni, është prerë nga shpata e gjatë e Bradashit.

“Së pari më lejoni të falenderojë ministrin e mbrojtjes Anton Qunin që e shtriu dorën e dialogut,luftëtarin Anton, dhe ato 3 elemente që kanë qenë si kushte në fakt janë cështje të dialogut që ne të merremi vesh por më vjen keq që kjo dorë e dialogut u ore me shpatën e gjatë të Bradashit, vendim marrja e partnerit tim, LDK-së nuk është në Prishtinë, është në Prapashticë e në Bradash, nuk është në këtë sallë. Pra unë poi a them hapur bindjen time nga ky bashkëpunim i deritanishëm, vendimmarrjen në LDK, e kanë ata që shkuan ta takojnë Grenellin”.

Vjosa Osmani: Këtë fjalim s’do të doja ta thoja, por partia ime e opozita po e rrëzojnë Qeverinë tuaj

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani i ka ftuar qytetarët që ta mbajnë në mend këtë që po ndodh sot.
Ajo tha se kjo që po ndodh sot në Kosovë, po ua vret shpresat.

“Rënia e Qeverisë, nuk e shënon rënien tuaj”, ka theksuar ajo.

Osmani ka theksuar se nuk ka betejë të pamundur.

“Jo, jo. Ata e kanë kultivuar korrupsionin dhe nepotizmin. Ata nuk mund ta luftojnë as korrupsionin e as nepotizmin… Ata nuk mund të qeverisin Kosovën”, Osmani i ka cituar fjalët e Isa Mustafës.

Sipas saj, fjalët e Isa Mustafës kishin të bënin me partitë e PAN-it.

Prandaj, PAN-i nuk ka ndryshuar, prandaj as unë nuk kam ndryshur.

“Sot, nuk u dëgjua zëri i juaj”, tha ajo.

“E kam të drejtën e plotë morale të flas në emër të LDK-së”, tha ajo.

***

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka theksuar se partia e saj- LDK, së bashku me opozitën e ka sjellur mocionin për rrëzimin e Qeverisë suaj.

“Ky mocion është dorëzuar në kohën kur bota po vuan nga koronavirusi”, tha ajo.

Ajo ka theksuar se ky është  fjalimi, te cilin nuk do të doja ta mbaja sot, kur e gjitha bota po parballet me pandeminë e koronavirusit.

“Ta dashur qytetarët të vendit tim, kur ne po luftojmë njëri- tjetrin, mjekët po mundohen ta shpëtojnë secilën jetë”, tha ajo.

Ajo tha se mocioni është demotivim për policët, mjekët, zyrtarët e adminsitartës publike.

***

Përplasje fjalësh ka pasur në mes të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Liburn Aliu dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj në seancën e jashtëzakonshme për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Kurti. Ndër të tjera, Selamanj tha se për Vetëvendosjen kanë votuar rezolutë në mesnatë, që sipas tyre ishte qesharake.

Aliu tha se përvoja u ka dëshmuar që bashkëpunimi me LDK-në funksionon derisa ndaj atyre të shtrohet një presion, dhe ata pastaj tërhiqen.

Aliu: Përvoja na ka treguar LDK-në në momente kritike

“Qëndrimi im personal por edhe i shumë të tjerëve ka qenë që duhet ta kemi parasysh që LDK në një moment kritik kur fillon me rreh pyka pykën, LDK ja rrjedh diqysh. Kjo ka qenë bindje e përgjithshme, dhe kështu ka qenë gjithmonë dhe kështu ka dalë, por e flas këtë nga përvoja”, tha Aliu.

Ai tha se vazhdojnë të besojnë që brenda LDK-së ka zëra të cilët do të thyejnë brenda partisë mendësinë e gabuar të viteve të fundit.

Por që sipas tij, në të ardhmen Vetëvendosje mund të formojë vet qeverinë me mbi 60 deputetë.

Aliu: Do ta bëjmë qeverinë vet me mbi 60 deputetë

“Ju nuk po na leni rrugë tjetër pos asaj të fundit që ne të bëjmë qeverinë më mbi 60 deputetë veç na dhe kjo është e vetmja zgjidhje dhe kjo do ta pres Kosovën në zgjedhjet e ardhshme”, tha Aliu.

Në emër të grupit parlamentar të LDK-së, u kundërpërgjigj Driton Selmanaj, i cili tha se në mes të partnerëve të koalicionit ka pasur edhe punë të mirë.

Ai përmendi seancën kur në mesnatë u votua një rezolutë për dialogun, për të cilën tha se ishte qesharake.

Selmanaj: Ne detyruat të votojmë rezolutë qesharake në mesnatë

“A po harroni që krejt bashkë jeni bërë për të rrëzuar LDK-në, duke qenë në opozitë ju jeni bërë bashkë me krejt, more me Listën Serbe me krejt, për me na rrëzu ne, vetëm LDK-në, kundër LDK-së, mosni këtë se po dilni shumë hipokrit. Edhe në këtë qeveri kemi bërë punë të mira, shumë mirë që i kemi bërë. Madje na detyruat rezolutë në 2 të natës me votu, rezolutë që për ne ishte qesharake por e bëmë për ju, çfarë thoshte ajo rezolutë detyrat që duhet me i bë qeveria, mere me mend, u referoheshim normave kushtetuese sikur të ishim opozitë, ne ishim pushteti, por e bëmë këtë për ju”, tha Selmanaj në replikën e tij ndaj deputetit Liburn Aliu.

***

Zëvendëskryeministri i Kosovës Haki Abazi konsideron se tentimi për të rrëzuar Qeverinë Kurti, ka të bëjë me planin për ndarjen e Kosovës dhe heqjen e Gjykatës Speciale.

Në seancën e jashtëzakonshme për votimin e mocionit të mosbesimit të iniciuar nga LDK, ai i ka reaguar zëvendëskryeministrit të parë Avdullah Hoti, duke thënë se po flet të pavërteta.

Abazi tha se Hoti ka menduar që duhet të koordinohet me presidentin Hashim Thaçin, duke ‘mos kuptuar’ se është pjesë e Qeverisë Kurti.

Abazi: Hoti ka menduar se duhet koordinim me Thaçin

“Nuk e di ku e gjen forcën edhe formën e formulimit për me fol të pavërtetat të plota për formën se si ka shkuar këto dy muaj qeverisja. Dyer të hapura, biseda të njëpasnjëshme veprim, bashkëveprim, arritje deri te plani i përbashkët qeverisës, takime, punë me ministrat e LDK-së, të cilat kanë rezultuar në punë të jashtëzakonshme në terren. Qëndrimi i zëvendëskryeministrit më bën të kuptoj që në fakt nuk e ka kuptuar se është në Qeverinë Kurti, por ka menduar që duhet të koordinoj gjithçka me Thaçin, sepse në asnjë moment nuk paska ndarë informacionin se dikush i paska garantuar se ka marrëveshje që i siguron Kosovës integritetin të plotë territorial, por i paska pranuar edhe ulësen në OKB, e ne nuk e paskemi ditur se ku është ajo marrëveshje”, tha Abazi.

***

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Fatmire Kollçaku tha se është në ankth si epidemiologe, duke parë situatën me përhapjen e Covid-19.

Ajo është shprehur e revoltuar për mbajtjen e seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës pasi nuk ka siguri.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për votimin e mocionit të iniciuar nga LDK për rrëzimin e Qeverisë Kurti, ajo tha se në sallën ku po mbahen punimet nuk ekzistojnë kushte për tubim në kohën e pandemisë.

Kollçaku: Nëse infektohen deputetët, të mos u vihen respiratorë

“Ky mesazh që shkon nga kjo sallë është turpi. Unë kam thënë sot pa ardhur, pas pak fillon seanca e turpit dhe qëndroj prapa saj. Sot e kam postuar një video-spot, BBC që e ka jap të njerëzve që punojnë në kujdesin intensiv qendror, dhe i ftoj të gjithë ata që asnjë deputet nëse do të infektohej mos t’ia qesin respiratorin, sepse ne nuk jemi mbi ligjin, a po mendoni që jemi me imunitet politik e jemi edhe me imunitet karshi sëmundjeve, apo si deri tani gjithë politik-bërësit kanë qenë mbi ligjin, mbi shtetin, kurrgjë nuk ka vlejte, do të thotë edhe në kohë të pandemisë ne jemi mbi ligjin”, tha ajo.

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje tha se dezinfektuesi nuk ka efekt qind për qind në foltoren ku paraqiten deputetët për fjalim.

Kollçaku: Jam në ankth

“Si politikane nuk do të bëj panik, si epidemiologe po jam në ankth, sepse jo sot, por po e ritheksoj këtu nuk ka pasur kushte për tubim si ky, për format si ky, ne nuk kemi kërkuar pezullimin e punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, në asnjë rrethanë, por formate të tjera në distancë, me kushte. A po mendon dikush që kjo foltore që dezinfektohet brenda një minute, dezinfektuesi arrin efektin e vet a? Ju po mashtroheni!”, tha ajo.

***

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke arsyetuar mocionin e mosbesimit për Qeverinë Kurti, pjesë e së cilës bën pjesë edhe vetë, tha se një gjë e tillë duhet të bëhet për shkak të prishjes së marrëdhënieve me SHBA-në dhe tentimit të kryeministrit Albin Kurti që të nënshtrojë LDK-në.

Hoti, i cili është edhe nënkryetar i LDK-së, në seancën e jashtëzakonshme për mocionin e mosbesimit, tha se kjo parti ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim me partnerin e koalicionit.

Hoti: Në qeveritë e Kosovës s’ka vend për autokraci

“Mocioni ynë për rrëzimin e kësaj qeverie është i mbështetur në dy parime. E para nuk mund të ketë qeveri, e cila shkatërron raportet me SHBA-në...E dyta në Qeverinë e Kosovës nuk ka vend për autokraci. Vetëm me bashkëpunim shkojmë përpara”, tha ai.

I dyti i qeverisë përmendi disa nga arsyet pse kanë ndërmarrë inicimin për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Hoti: Nuk kemi hyrë në këtë qeveri si qiraxhi

“Angazhim i ynë në këtë qeveri ishte i sinqertë bashkëpunues dhe bashkërendues i të gjitha aktiviteteve. Kjo nuk ishte qeveri e Kurtit, por e VV-së dhe LDK-se si dy partnerë kryesorë përfshirë komunitetet. Ne nuk kemi hyrë në këtë qeveri si qiraxhi, por si zot shtëpie bashkë me VV, pasi ashtu kishte vendosur sovrani. Ishin të bindur se angazhimet e përbashkëta për t’i dhënë një qeverisje të re ishte qëllimi i dy palëve, por siç u pa, kjo nuk doli e vërtetë. Heqja dorë e kryeministrit karshi dialogut me Serbinë u bë pjesa kryesore e kësaj qeverie në ndërtimin e raporteve me SHBA që për ne ishte i papranueshme. Ne nuk mund të pranojmë që qeveria të bëhet shkaktare e sanksioneve ekonomike nga SHBA”, tha ai.

Sipas tij, kryeministri Kurti përmes veprimeve të tija ka dëshmuar se nuk dëshiro n partneritet me LDK-në.

Hoti: Kurti nuk dëshiron partneritet me LDK-në

“Përmes shkarkimit të Agim Veliu, LDK u bind se Kurti po dëshiron shkarkimin nga Qeveria. Veprimi i tij pas shkarkimit të Veliut tregoi qëllimin e vërtetë. Ai emëroi zëvendësministrin nga VV si ushtrues detyre në vend që të emëronte zëvendësministrin e LDK-së në këtë detyrë. Kjo i mundësoi atij shumicën në qeveri për të marrë vendime pa përfillur votat e partnerit qeverisës siç ka bërë me heqjen e taksës. Kjo nuk është mënyra e qeverisjes. Përmes veprimeve të tilla Kurti dëshmon se nuk dëshiron partneritet, por dëshiron t’i shërbejë atij. Ne nuk mund ta lejojmë këtë”, tha ai

***

Deputeti i LDK-së, Fetah Rudi, në fjalën e tij në seancën e mosbesimit iu drejtua kryeministrit Albin Kurti duke thënë se i kishte besuar atij dhe koalicionit VV-LDK, porse tashmë është i zhgënjyer nga shefi i ekzekutivit.

Ai tha se besimi është thyer ashtu sikurse është thyer edhe miqësia me Shtetet e Bashkuara që sipas Rudit janë në pikën më të ulët nga dhjetori i vitit 2019.

Rudi deklaroi se sot është për të ruajtur miqësinë me SHBA-në.

“I nderuari kryeministër, unë besova në ju, besova në koalicionin Vetëvendosje-LDK, përkrahës i të cilit kam qenë që nga fillimi. Por sot i nderuari kryeministër, ndihem keq dhe jam shumë i zhgënjyer me ju. Sot, ky besim është thyer, sot kryeministër e keni tradhtuar besimin që keni marr më 6 tetor, ju dhe ne. Besimin që do të jeni ndryshimi. Sot kryeministër, është tradhtuar edhe miku ynë me i madh, SHBA, raportet më të cila t janë në pikën më të ultë që nga 22 dhjetori i 2019, nata kur u tentua të shfuqizohet Gjykata Speciale, gjykatë kjo që do të çoje prapa grilave ata që mi vranë shokët e mij, e mua me lanë në karrocë tash e 20 vite. Kryeministër unë dhe LDK ishim me ju, por sot unë dhe LDK, jemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot unë jam për ruajtjen e miqësisë të cilën e krijoi presidenti Rugova, miqësi të cilën ju, por edhe shumë të tjerë mund të mos e pëlqeni. Pavarësisht zhvillimeve të mëtejshme, unë kurrë nuk do ta tradhtoj votën e LDK-së, për të cilën kam mbetur edhe në gjendjen që jam sot. Fjalimin tim do ta përmbylli me fjalët e presidentit Rugova, të cilat duhet t’i kujtojmë gjithmonë: Shtëpia nuk mund të mbahet pa miq. Zoti e bekoftë Kosovën, zoti e bekoftë Amerikën”, përfundoi Rudi.

***

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzoi LDK-në se për qëndrime të ndryshme.

Selimi iu referuar deklaratës së Anton Qunit dhe Agim Veliut, që u shprehe pro dhe kundër sa i përket vazhdimit të koalicionit me VV-në.

Por mori përgjigje nga shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, i cili tha se në emër të kësaj partie ka të drejtë të flas vetëm ai.

Ndërsa deputetët tjerë tha se flasin vetëm në emër të tyre dhe nuk përfaqësojnë qëndrimet e LDK-së.

Gashi: Vetëm unë flas në emër të LDK-së

“Unë jam i vetmi i autorizuar për të folur në emër të LDK-së, deputetët tjerë flasin si deputetë. Vjosa është kryetare e Kuvendit dhe është përtej LDK-së, ndërsa në emër të LDK-së flas unë. Më vjen që jemi në këtë situatë, por ajo çka thatë ju në mënyrë eksplicite është se duhet të deklarohemi me votë në fund dhe në këtë m ënyrë do të veprojmë në fund”, tha ai.

​Rexhepi: Nuk është momenti të kemi mospajtime

Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilija Rexhepi u shpreh kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti, duke thënë se ekzekutivi duhet të ndihmohet në luftën kundër përhapjes së Covid-19, e jo të bëhen mocione të tilla.

Ministrja nga komunitetet jo shumicë, tha se të gjithë, përfshirë partnerin e koalicionit janë pajtuar me programin qeverisës dhe nuk duhet të ketë dallime.

Rexhepi: Jemi pajtuar me programin qeverisës

“Sapo filluam të punojmë me një ide të re duke mos menduar për vete, por të ardhmen e fëmijëve tanë. Gjithashtu duke menduar më të mirën për të gjithë ne. Jemi pajtuar për programin e qeverisë dhe është dashur të zbatojmë. Ka pasur të bëjë më luftën kundër korrupsionit, politikat sociale”, tha Rexhepi.

Ajo në vend të mocionit të mosbesimit kërkoi nga deputetët të ndihmojnë qeverinë për luftimin e koronavirusit.

Rexhepi: Nuk është momenti të kemi mospajtime

“T’i ndihmojmë qeverisë në luftën kundër koronavirusit. Qeveritë vijnë e shkojnë, nuk është momenti të kemi mospajtime”, tha Rexhepi./KosovaPress/

 

***

Pavarësisht deklarimeve të nënkryetarit të LDK-së, Agim Veliu për rrëzimin e Qeverisë Kurti, ministri Anton Quni që vjen po nga kjo parti, insiston që të vazhdohet qeverisja me VV-në.

Ai pas pauzës njëoreshe iu drejtua përsëri deputetëve duhe thënë se do të bëjë të pamundurën që ky koalicion të vazhdojë me punën.

Quni tha se nëse është në gjendje edhe të gjunjëzohet para të gjithë strukturave të LDK-së dhe deputetëve vetëm që të mos ndodh rrëzimi i qeverisë në këtë kohë.

Quni: Nëse ka nevojë edhe gjunjëzohem para deputetëve, vetëm që të vazhdohet koalicioni

“Unë nuk ju thash që e kam autorizimin dhe është e natyrshme që të ketë edhe brenda LDK-së dhe Kryesisë së LDK-së qëndrime të ndryshme lidhur me këtë temë. Unë e mora një rrezik përsipër duke e pasur parasysh situatën, duke pasur parasysh thirrjen e qytetarëve me rrezikun që po përballemi. Unë jam në gjendje që përkundër asaj që personalitet të LDK-së që shprehen rezerva për vazhdimin e koalicionit unë personalisht e marr përsipër nëse ka nevojë edhe gjunjëzohem para deputetëve, kryetarit, kryesisë dhe strukturave të LDK-së që të tregojnë gjenerozitet lidhur me situatën. Të njëjtën gjë e kërkoj edhe nga ju. Unë do ta bëj të pamundurën që të vazhdojë koalicioni, por të njëjtën gjë kërkoj edhe nga ju”, tha Quni.

Ai duke i replikuar deputetit të VV-së Rexhep Selimi, tha që të dyja taborët ta bëjnë punën e tyre.

“Ju kryeni punën tuaj ne tonën”, tha ai.

***

Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi deklaroi se ish-ministri i Brendshëm Agim Veliu i dha përgjigje ofertës së Anton Qunit për të shpëtuar koalicionin qeverisës.

Sipas Selimit, Quni nuk paska pasur autorizim të flasë, mirëpo tha se nëse dëshirojnë që t’i japin rrugëzgjidhje duhet të votojnë kundër mocionit të mosbesimit.

Selimi: Nëse doni rrugëzgjidhje votoni kundër

“Pas kësaj pauze unë po ndjej obligim edhe ndaj kolegëve deputetë edhe ndaj opinionit dhe në respekt të ministrit Quni që t'i përgjigjemi ofertës nëse mund ta quajmë ofertë, ose thirrjes së tij, për të dalë nga kriza. E çmojmë shumë vullnetin dhe vlerësojmë si të tillë, po ashtu e çmojmë edhe vullnetin e z. Qunit për të vazhduar si pjesë e Qeverisë Kurti dhe koalicionit VV-LDK. Gjatë pauzës, ne si grup parlamentar ishim duke mend uar sepse neve na u drejtua, qoftë si subjekt politik, qoftë si grup parlamentar që të reflektojmë. Dhe me konsideratën për këtë, ne ishim duke diskutuar kur para se të përgjigjemi ne, z. Quni mori një përgjigje nga vet z. Veliu në media i cili deklaroi se: 'Anton Quni -po citoj- nuk ka pasur autorizim të thotë diçka të tillë dhe ky nuk është qëndrim i LDK-së. Nuk kthim mbrapa. Mocioni duhet të votohet. Nuk është problem ministri i Punëve të Brendshëm këtu, problemet janë më të thella. Sot është vërtetuar që me Albin Kurti LDK-ja nuk mund ta qeverisë vendin’. Para se të përgjigjemi ne z. Quni në iniciativën e tij shumë të respektuar iu përgjigj vet z. Veliu që deklaroi që z.Quni nuk paska autorizim të flasë në emër të LDK-së. Pra nëse doni vërtet t'i hapni rrugë këtij diskutimi, atëherë kemi vetëm një shans, jo duke kërkuar që brenda pauzës së të njëjtës seancë ta gjejmë një zgjidhje kaq delikate dhe të rëndësishme dhe të madhe , por nëse doni zgjidhje apo t'i hyjmë kësaj rrugëzgjidhje atëherë kemi vetëm një shans. Ta votoni kundër mocionin e mosbesimit”, deklaroi Selimi.

***

Shefi i grupit parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi, ka thënë se VV-ja e cmon vullnetin e Qunit për ofertë, por që përgjgijen sipas tij e dha vetë i shkarkuari Agim Veliu.

Selimi tha se ka një shans të vetme që të kthehet koaliconi, duke e tërhequr mocionin.

“Unë po ndjej obligim edhe ndaj kolegëve deputet ti përgjgijemi ofertës së tij për të dalë nga kriza.  E cmojm vullnetin e tij për të vazhduar si pejsë e qeverisë gjatë pauzës ne ishim duke menduar si subjekt poltik që të reflektojmë dhe ne ishim duke diskutuar por para se të përgjgijeshim ne Quni morrin nëj përgjgije nga Veliu i cili thotë se Anton Quni nuk ka pasur autorizim të deklarojë dicka të tillë dhe se mocioni nuk duhet të votohet. Para se të përgjgijemi ne ndaj Qunit u përgjigj Veliu, nëse doi të i hapni rrugë këtij diskutimi keni një shancë, votone kundër mocionin e mosbesimit.”

​Quni i jep edhe një shans Kurtit: Rikthejeni Veliun, dhe unë me urgjencë po i kërkoj Mustafës ta tërheqë mocionin!

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që gjatë orës së pauzës të tërheqë vendimin e shkarkimit të Agim Veliut nga posti i ministrit të Brendshëm dhe të shqyrtojë çështjen e taksës.

Quni ka premtuar se do ta marrë përsipër të bisedojë me kreun e partisë së tij dhe deputetët e LDK-së gjatë pauzës, nëse Kurti merr në konsideratë ofertën e Isa Mustafës për kthimin e Veliut në post dhe tërheqjen e taksës.

Gjatë fjalimit në seancën e jashtëzakonshme për votimin e mocionit të LDK-së për rrëzimin e Qeverisë, Quni ka thënë se Kurti duhet të marrë parasysh ofertën e Mustafës dhe në këtë mënyrë të shpëtojë qeverinë nga rrëzimi.

Quni: Albin, tërhiqe vendimin për Veliun dhe reflektoni për taksën - ne e tërheqim mocionin

“Albin, është një ofertë që duhesh mirë me e pas në konsideratë, është një m undësi shumë e mirë, unë do e bëj të pamundurën nëse ju i rishikoni këto vendime, pasi të merret pauza prej një ore, unë me urgjencë do ta takoj kryetarin Isa Mustafa, me urgjencë do të bisedoj me gjithë deputetët që të tërheqin mocionin nëse ju e riktheni zotin Agim Veliu në detyrën e tij dhe nëse ju reflektoni në lidhje me taksën e cikla është kusht nga tërë komuniteti ndërkombëtar”, tha Quni.

Ai i ka kujtuar Kurtit marrëveshjen mes partnerëve të koalicionit, ku ministrat do të mund të shkarkoheshin me konsultim paraprak me liderin e partisë.

Quni-Kurtit: A e shkarkuat qëllimisht Veliun pasi nuk keni guxim të ballafaqoheni me tema të mëdha

“Tani ngrihen shumë teori, a mbet me qëllim që të krijohet me qëllim që ju të tërhiqeni, duke ia lënë ‘kilen’ LDK-së, sepse nuk e keni guximin të ballafaqoheni me tema të mëdha, ju i keni pa vështirësitë se si kryeministër duhet t’i menaxhoni q ë tani janë në mospërputhje me qëndrimet që kishit si kryetar i VV-së kur ishit ‘elektron i lirë’, kur je ne opozitë e ki komoditetin të deklarosh, të premtosh dëshirat që mund t’i plotësojë vetëm babadimri. Tani kur e keni prek realitetin, kuptohet se ju nuk jeni në gjendje të menaxhoni situata që janë të prekshme, me të cilat qytetarët do t’i gëzojnë benificionet”, tha Quni.

Ai ka thënë se është e pamundur që një qeveri e cila në përbërjen e saj ka parti të ndryshme, të ketë uniformitet.

Quni: Nuk mund të ketë uniformitet në një qeveri

“Është e pamundshme, një qeveri që në përbërjen e vet ka parti të ndryshme, me ideologji të ndryshme, me kultura të ndryshme, me praktika rutina të ndryshme, për të krijuar një uniformitet. Është e pamundur. Por si menaxhohet kjo situatë, varet nga lideri, nga kryeministri. Kryeministri duhet të jetë menaxher aq i mirë, të gjitha ato presione për të marrë vendime, të cilat janë në të mirën e qytetarëve dhe në të mirën e shtetit”, tha ai.

Quni tha se ka qenë ndër ata persona që kanë punuar fuqishëm që të arrihet marrëveshja LDK-Vetëvendosje, madje ishte i autorizuar nga vetë Mustafa të shkojë në zyrën e Kurtit për të biseduar rreth marrëveshjes së koalicionit.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët janë mbledhur sot për të votuar mocionin e LDK-së për rrëzimin e Qeverisë Kurti kanë shkuar në pauze njëorësh për të vazhduar me debatin e pastaj votimin.

***

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni i ka dhënë një ofertë kryeminsitrit të Kosovës, Albin Kurti duke i thënë se ai në pauzën një orëshe të Kuvendit do ta takojë Isa Mustafën dhe do ta bind ta tërheqë mocionin, me kusht nëse Kurti e rikthen Veliun prap në detyrë

“Unë do ë bëj të pamundurën nëse ju i shikoni këto vendime pasi të mirret pauza prej 1 ore unë me urgjencë do e takoj z.Mustafa që ta tërheqë mocionin nëse ju e riktheni Agim Veliun në detyrën e tij”, tha Quni.

Pra, ministri i Mbrojtjes nga radhët e LDK-së, Anton Quni i ka dhënë edhe një mundësi kryeministrit Albin Kurti për ta hequr mocionin.

Ai para deputetëve tha se nëse Kurti e tërheq vendimin për shkarkimin e Agim Veliut dhe e heq taksën pakushte, do të tërheqin mocionin për rrëzimin e Qeverisë.

Haki Abazi përplaset me deputetin e LDK-së, Driton Selmanaj

Zëvendëskryeministri Haki Abazi deklaron se nënshkrimi i mocionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës është tendencë për të shantazhuar një qeveri të suksesshme. Fshehja pas kësaj situata pandemike, ku qytetarët ndodhen në shtëpitë e tyre, Abazi tha se është e turpshme.

Në seancën e jashtëzakonshme ku pritet votimi i rrëzimit të qeverisë Kurti, zëvendëskryeministri i dytë ka ftuar edhe një herë deputetin Arben Gashi që të lexojë shkrimin e vajzës së Nekibe Kelmendit.

Abazi: Nuk është keqinterpretim as keqpërdorim

“Nuk është keqinterpretim as keqpërdorim, duhet të keni përgjegjësi ndaj njerëzve që ju kanë votuar dhe atyre që pa interesin e bërjes së vëllezërve dhe motrave e dhëndurëve ambasadorë për kompromise, që i bëni. Sot nuk e dimë cila është marrëveshja tjetër e kompro miseve për të ndarë Kosovës, për të përfituar edhe për të ik prej përgjegjësisë. E keni prish ju....gjuha jote është e papranueshme, sikur të isha duke rrejt ju nuk do të ishit duke reaguar në këtë formë, sigurisht që nuk do të kishit reaguar. Prishjen e keni nisur ju me rrëzimin e qeverisë z. Gashi, ju e keni nënshkruar mocionin sepse keni tentuar që ta shantazhoni një qeveri të suksesshme”, u shpreh ai.

Abazi konsideron se sot është një ditë e vështirë për qytetarët e Kosovës, sepse sipas tij ata që po synojnë rrëzimin e qeverisë po fshehën pas kësaj situate pandemike.

Ndërkaq, Arben Gashi tha se është turp që po përmendet sot Kelmendi në këtë seancë. Shkarkimi i saj ai tha se ka ardhur pas vendimit të kryesisë së atëhershme, për çka tha se nuk ka qenë në vendimmarrje në atë kohë. Ai deklaroi se kjo mënyrë e të menduarit e ka prishur koalicionin LVV-LDK..

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës Driton Selmanaj tha se elementi më përçarës në këtë qeveri, është Haki Abazi.

Selmanaj: Ke investuar në mua që të prishet rrjeti i “Demokracia në Veprim”

“Nëse ju kujtohet po këtë rol e keni pasur edhe sa kemi qenë pjesë e shoqërisë civile. Ke investu goxha shumë në mu që me prish një rrjet “Demokracia në Veprim”, përmes meje, por nuk ke mujt. Dhe tash po bindem që elementi më përqarës është ky. Nuk është shteti z.Abazi lozhë që t’i thirresh çdo moment, nuk është shteti konspiracion. Në takimin që e kemi pasur në zyrën e FIQ-it ke investuar shumë që unë të bëhem udhëheqës i Demokracisë në Veprim dhe t’i largojmë organizatat tjera nga ai rrjet, ti ke qenë ai që më ke shtyrë, unë nuk kam hyrë në atë valle sepse e kam parë tendencën tuaj”, ka deklaruar Selmanaj.

Sipas Selmanajt, gjuha e Abazit ka bërë që shumë ministra sot të mos jenë në këtë seancë. Deputeti nga LDK deklaroi se Abazi mund të marrë një detyrë tjetër, por jo të jetë i dyti në Qeverinë e Kosovës. 

***

​Kurti: Është marre me braktis reciprocitetin, duhet të rikthehemi te populli

Kemi garuar te populli me reciprocitet, është marre me i thanë popullit po e braktisim reciprocitetit. Duhet me u rikthyer te populli qoftë me referendum qoftë me zgjedhje të reja.

Kështu ka thënë kryeministri, Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për rrëzimin e qeverisë së tij.

Kurti: Duhet me u rikthyer te populli qoftë me referendum qoftë me zgjedhje të reja

“Për shkak të gjuhës, për shkak të komunikimin nuk ndodh thyerja. Çështja është braktisja e reciprocitetit dhe tarifa. Të keni parasysh edhe para se me ndodh ideja për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme edhe ideja. Mua më ka dërguar letër kryetari I LDK-së që kur kalohet kjo çështja e virusin korona dalim nga qeveria për shkak të tarifës. As çështja e ministrit nuk është pyetje. LDK ka pasur të dal edhe më herët sikur mos të ishte virusi. Nuk ka të bëj me gjuhen dhe komunikimin, ka të bëj me qëndrimet. E unë nuk jam për të braktisur reciprocitetit. Kemi garuar te populli me reciprocitet është marre me i dhanë popullit po e braktisim reciprocitetit. Duhet me u rikthyer te populli qoftë me referendum qoftë me zgjedhje të reja”, tha Kurti.

***

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhja Demokratike e Kosovës, Ardian Shala i cili nuk e ka përkrahur mocionin për rrëzimin e qeverisë, të iniciuar nga vet LDK, tha se një mocion i tillë nuk do të duhej të vine në këtë kohë pandemie.

Ai ka thënë se sot më shumë se kur Kosova dhe qytetarët e saj kanë nevojë për politikë të përgjegjshme dhe pa inate.

Shala: Kryeministri ka shkelur marrëveshje ne koalicionit

“Gabimi i parë dhe kryesor është ai i kryeministrit të vendit i cili me logjikën se tani si kryeministër unë mundem, vuri në pozitë të pa-lakmueshme partnerin e koalicionit LDK-në, duke kulmuar me shkeljen e marrëveshjes së koalicionit me shkarkimin nga detyra të ministrit të Brendshëm, pa paralajmërim dhe pa konsultim me partnerin ashtu siç e sheh marrëveshja e koalicionit. Gabimi i dytë, i nxitur nga i pari, mocioni i mosbesimit për qeverinë në këtë kohë të rëndë për vendin dhe qytetarët e Kosovës nga partia ime”, tha ai.

Ai tha se mocioni do të ishte krejt normal në rrethana të tjera, pasi kryeministri i shkarkoi LDK-së një ministër, por që nuk është i duhur në kohën kur Kosova po përballet me përhapjen e koronavirusit.

Shala: Mocioni është dashur të ngritët pas pandemisë

“Mocioni i mosbesimit në rrethana normale pas një sjellje të tillë të partnerit të koalicionit do të ishte normal, ishte pikërisht kërkesë që të kemi në konsideratë gjendjen në të cilën është vendi, dhe mocioni të bëhet pas kalimit të pandemisë në takimin e grupit parlamentar të LDK-së kur janë dhënë nënshkrimet për mocion, gjë që unë nuk e kam bërë. Mosdhënie e nënshkrimit nuk ka qenë si mbështetje e vendimeve të kryeministrit aktual, pro si rezul tat i mungesës së argumentimit nga kryesia e LDK-së në takimin e grupit për të dhënë sqarimet e nevojshme për ne”, tha ai.

Ai tha se mungesa e një alternative të qartë se çka të ndodh pas mocionit, si dhe situate në të cilën po gjendet vendi si shkak i Covid19 janë arsyet pse ai nuk e ka përkrahur mocionin e ngritur nga partia në të cilën ai është pjesë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat