​Ministrat e LDK-së në krye të detyrës edhe pas rrëzimit të qeverisë

Aktuale

​Ministrat e LDK-së në krye të detyrës edhe pas rrëzimit të qeverisë

Më: 26 mars 2020 Në ora: 17:40
Qeveria e Kosovës në detyrë

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu thotë se pavarësisht vendimit të Kuvendit për rrëzim të ekzekutivit, puna po vazhdon me intensitet të lartë. Ai thotë se të gjithë ministrat janë në krye të detyrës, përfshirë ata nga Lidhja Demokratike e Kosovës, partneri i koalicionit që inicioi mocion mosbesimi për rrëzimin e Kurtit.

Kryeziu tha, se të gjithë ministrat kanë përgjegjësi specifike në raport me menaxhimin e situatës së krijuar me përhapjen e koronavirusit të ri Covid-19.

Ai pret që ministrat e LDK-së të vazhdojnë punën e tyre, njësoj si ata të Lëvizjes Vetëvendosje, deri në një vendim tjetër të Kuvendit.

Kryeziu: Ministrat e LDK-së në krye të detyrës edhe pas votimit të mocionit

“Pavarësisht vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për të rrëzuar qeverinë Kurti, vendim ky i cili për asnjë moment nuk u argumentua që po vjen si rezultat i ndonjë keq menaxhimi apo ndonjë performance të dobët të Republikës së Kosovës. Qeveria e Kosovës një ditë pas këtij vendimi ka vazhduar me punët e saj të rregullta sikurse një ditë më parë, ndoshta edhe me intensitet më të lartë. Të gjithë ministrat, duke përfshirë edhe ata të cilët vinë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, janë në krye të detyrës duke e ditur se ata kanë përgjegjësi specifike sidomos në raport me menaxhimin e situatës së krijuar nga Covid-19. Ata janë duke kryer punën e tyre dhe presim të vazhdojnë të kryejnë punën e tyre sikurse ministrat e Lëvizjes Vetëvendosje për aq kohë sa nuk ka një vendim tjetër nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, tha ai.

Marrë parasysh gjendjen aktuale me emergjencë shëndetësore, shkak përhapja e koronavirusit, Kryeziu thotë se ministrat po kryejnë punën e tyre me profesionalizëm, pavarësisht rrëzimit të qeverisë.

Për këtë, dëshmi thotë se është fillimi sot i shpërndarjes së formave të lejeve të veçanta për qarkullim, ku punëtorëve iu lejohet të lëvizin lirshëm.

Kryeziu: Të gjitha vendimet e Qeverisë së Kosovës janë në fuqi

“Të gjitha vendimet e qeverisë, të deritanishme, sidomos ato në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19, vazhdojnë të jenë në fuqi, dhe ato duhet të respektohen sikur deri më tani, dhe ministritë të cilat janë veshur me përgjegjësi specifike për zbatimin e këtyre masave, janë duke kryer punën e tyre sikur e kanë bërë deri tani. Si shembull për këtë, sot Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe ATK-në veçse ka filluar të shpërndajë format e lejeve me bizneset, të cilave u lejohet veprimtaria në mënyrë që ato t’ua lejojnë nëpërmjet këtij vërtetimi lëvizjen e lirë të gjithë punëtorëve të tyre edhe gjatë kohës kur ka kufizime të qarkullimit normal”, tha Kryeziu.

Pasi Kurti shkarkoi mbrëmë vartësin e tij, Avdullah Hotin e LDK-së, që mbante postin e zëvendësministrit të parë, sot gjatë ditës, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka shkruar se nuk do t’i tërheqë njëanshëm ministrat dhe zëvendësministrat e kësaj partie nga detyrat e tyre në qeverinë në dorëheqje.

“Pasi që koalicioni VV-LDK ka rënë mbrëmë me mocion votëbesimi me votat e mbi 2/3 e deputetëve, mbetet në vullnetin e kryeministrit në detyrë, Kurti, se a do të vazhdojë të punojë me ta gjatë kësaj gjendjeje emergjente, derisa të zgjidhet qeveria tjetër, apo do të bëjë veprime tjera, ashtu siç e liroi Avdullah Hotin nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë mbrëmë para mesnate”, ka shkruar Mustafa.

Qeveria e Kosovës, derisa është në detyrë, mund të punojë në çështje të cilat janë tashmë në proces, deri në zgjedhjen e kabinetit të ri, ndërkohë nuk ka të drejtë të marrë vendime të cilat do të krijonin obligime për qeverinë e re.

Kuvendi i Kosovës i mori mbrëmë besimin e dhënë më 3 shkurt të këtij viti, Qeverisë së Kosovës me kryeministër Albin Kurti.

Aty u votua mocioni i mosbesimit i iniciuar nga partneri i koalicionit, LDK, me mbështetje të deputetëve të tjerë, ku 82 deputetë votuan pro, 33 kundër dhe një abstenim.

Aktualisht, qeveria konsiderohet në detyrë, dhe pritet që presidenti të procedojë tutje me hapat që duhet të ndërmerren për krijimin e qeverisë së re, qoftë asaj gjithëpërfshirëse apo që do të dalë nga zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi u ka thënë sot gazetarëve se pa humbur kohë do të ftojë për konsultime liderët e të gjitha partive për krijimin e qeverisë së re.

“Pas rënies së qeverisë, si president i vendit, pa humbur kohë do të filloj konsultimet me liderët e të gjitha partive parlamentare për të shikuar mundësinë e krijimit të qeverisë së re të stabilitetit, unitetit dhe të gjithëpërfshirjes”, ka deklaruar Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat