Vjosa Osmani - Gruaja që guxon t’i sfidojë burrat e LDK-së

Aktuale

Vjosa Osmani - Gruaja që guxon t’i sfidojë burrat e LDK-së

Më: 26 mars 2020 Në ora: 19:06
Vjosa Osmani

Edhe dje ashtu si shumë herë të tjera, kryeparlamentarja Vjosa Osmani nuk u zmbraps nga qëndrimi i saj, pavarësisht qëndrimit të partisë së saj, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Osmani votoi kundër mocionit për rrëzimin e Qeverisë Kurti, mocion të cilin e inicoi LDK, pjesë e së cilës është edhe vet.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) kanë përfunduar ‘koalicionin e shpresës’ më pak se dy muaj nga themelimi, e për të cilin iu deshën më shumë se tre muaj për ta arritur.

Në seancën gati 12 orëshe, fjalimi i fundit ishte ai i kryeparlamentares Osmani, ajo edhe një herë përsëriti që nuk do të votoj mocionin e partisë së saj.

“Unë u akuzova për tradhti. Nëse një qëndrim refuzues më bënë tradhtare, unë do ta mbajë këtë urdhër. Do të votoj kundër çdo mocioni që ia nxin jetën të papunit e atij qytetari që në kohë të pandemie detyrohet ta dëgjojë egon tonë për pushtet. Unë do të votojë kundër, sepse kështu do të votojë për të ardhmen e vendit tim”, tha ajo.

Mirëpo kjo nuk ishte hera e parë që gruaja më e votuar në Kosovë u rreshtua kundër partisë së saj.

Më 8 dhjetor të vitit 2014, kryetari i partisë së saj, Isa Mustafa mori ulësen e kryeministrit, e në votimin e qeverisë Mustafa-Thaçi, Vjosa Osmani votoi kundër.

Mustafa me t`u bërë kryeministër nuk kishte kursyer kritikat ndaj bashkpartiakëve të tij, mirëpo dy ditë më vonë, pasi kishte dhënë votën kundër Osmani kishte deklaruar se është dhe vazhdon të jetë kundër bashkimit me PDK-në.

“Vota ime ka të bëjë vetëm me bashkimin PDK-LDK, kam qenë gjithmonë kundër një bashkimi të tillë, kam folur dhe kam mbajte qëndrim të njëjtë edhe para katër viteve edhe para gjashtë muajsh kur përfunduan zgjedhjet edhe më vonë edhe kur është përmend për herë të parë koalicioni. Kam deklaruar se nëse formohet ky koalicion unë refuzoj të jem pjesë e kësaj qeverie të tillë”, pati thënë Osmani në një intervistë.

Ajo kundërshtoi zgjedhjen e Hashim Thaçit president më 26 shkurt të vitit 2016 edhe pse partia e saj kishte marrëveshje me PDK-në.

Osmani i besonte bindjes se saj se Thaçi nuk është i denjë për t`u bërë president, dhe se marrëveshja me PDK-në po e dëmtonte partinë e saj.

“Vazhdoj të mendojë se marrëveshja e koalicionit LDK-PDK e ka dëmtuar LDK-në, e si rrjedhojë edhe Kosovën. Si pasojë e mungesës së sundimit të ligjit, nuk po mund të shohim zhvillim në asnjë fushë tjetër. Siç e kam thënë vazhdimisht, është fakti se konsideroj se z. Thaçi është i denjë për të qenë President i vendit, në mandat 5 vjeçar”, kishte thënë Osmani në një intervistë në gazetën ‘Zëri’ më 19 gusht 2015.

E edhe më e zëshme Osmani u tregua kur presidenti Hashim Thaçi e paraqiti në publik idenë për korrigjimin e kufirit, ajo presidentin Thaçi e konsideroi figurë përçarëse në Kosovë.

“Presidenti pikërisht këtë e ka bërë gjatë tërë karrierës së tij politike, ka krijuar përçarje në spektrin politik të Kosovës. Rrjedhimisht edhe tani si president kur e ka kompetencë kushtetuese unifikimin qytetarë dhe të spektrit politik, ai po e bënë të kundërtën, me akuza të pabaza, metë pavërtetat që po i thotë qoftë lidhur me partitë opozitare, por mbi të gjitha për procesin e dialogut Kosovë-Serbi”, pati thënë Osmani në një intervistë në RTK.

Vjosa Osmani dhe rrugëtimi i saj në LDK

Vjosa Osmani është gruaja e parë në Kosovë që drejton Kuvendin e Kosovës.

Këtë detyrë Osmani e ka pranuar me 3 shkurt të këtij viti pasi që nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, mori 65 vota për këtë pozitë.

Përpara se të merrte pozitën e kryeparlamentares, ajo iu fut garës për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit.

37-vjeçarja nga Mitrovica ishte e vetmja kandidate grua për kryeministre.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, LDK u radhit e dyta me 206 mijë 516 vota apo 24.548%, ndërsa Osmani mori 176 mijë 016 vota.

Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2017, ajo ishte befasia. Edhe pse partia e saj ia kishte dhënë numrin 82 në listën e votimit, Osmani arriti që të marrë 64 mijë 147 vota, duke u bërë kështu gruaja e parë më e votuar në Kosovë.

Vjosa Osmani ka titullin Doktor në të Drejtën Ndërkombëtare dhe tani ligjëron në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Ajo filloi jetën publike si këshilltare e ish-presidentit Fatmir Sejdiu dhe ishte koordinatore e ekipit juridik të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ICJ, në vitet 2009-2010, kur Serbia i kërkoi gjykatës të deklaronte nëse deklarata e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në 2008 ishte në përputhje me ligjet ndërkombëtare.

Rrugëtimin e saj politik e ka filluar dhe e vazhdon në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ku aktualisht ka pozitën e nënkryetares së kësaj partie.

LDK ishte partia e parë etnike shqiptare e formuar në Kosovë, e themeluar në vitin 1989, kur Kosova ishte akoma pjesë e Serbisë.

Nën udhëheqësin e saj të parë, Ibrahim Rugova, LDK ishte udhëheqëse e rezistencës etnike shqiptare ndaj regjimit brutal të Slobodan Millosheviqit, duke duke avokuar kundër dhunës dhe duke e bërë instalimin e sistemeve “paralele” të arsimit dhe qeverisë.

Në zgjedhjet e para të lira të mbajtura në Kosovë pas përfundimit të luftës për pavarësi ndaj Serbisë, në vitin 2000, LDK befasoi shumëkë duke fituar kontrollin mbi shumicën dërrmuese të komunave.

Me gjithë sharmin dhe magjepsjen që vinte bashkë me emrat e luftëtarëve të kohës së luftës, LDK mposhti partitë e udhëhequra nga ish komandantët guerilë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), të tilla si Partia Demokratike e Kosovës, PDK-ja, e Hashim Thaçit dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK-ja, e Ramush Haradinajt.

LDK dominoi politikën kosovare deri në zgjedhjet e vitit 2007, kur, pas vdekjes së Rugovës dhe rritjes së mosmarrëveshjeve të brendshme, ajo humbi terren kundrejt PDK-së e cila po shënonte rritje njëkohësisht.

Në zgjedhjet e 6 tetorit të këtij viti partia e saj doli e dyta, dhe fitoi 28 ulëse, një më shumë sesa partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje.

Këto dy parti arritën marrëveshjen për bashkëqeverisje pas më shumë se 4 muajsh bisedime. Si pjesë e marrëveshjes LDK-ja mori postin e kryeparlamentarit, posti i presidentit u mbet të diskutohet në vitin 2021 ku edhe i përfundon mandati presidentit aktual Hashim Thaçi.

Ndërsa dje me një mocion mosbesimi nga LDK, qeveria Kurti u shkarkua.

LDK-ja përmendi mospajtimet me tarifën, rrezikimin e raporteve me SHBA-të si dhe shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme Agim Veliut si arsye për t`i dhënë fund ‘koalicionit të shpresës’.

Kurse, Lëvizja vetëvendose e akuzoi drejtpërdrejt LDK-në se rrëzimi i qeverisë u mundësua me mocionin që sipas tyre e kanë planifikuar, Thaçi dhe Mustafa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat