Amerika zyrtare reagon pas rrëzimit të Kurtit, tregon a ka marrëveshje të fshehtë Thaçi-Vuçiq

Aktuale

Amerika zyrtare reagon pas rrëzimit të Kurtit, tregon a ka marrëveshje të fshehtë Thaçi-Vuçiq

Nga: A.Zh Më: 26 mars 2020 Në ora: 22:28
Richard Grenell, Hashim Thaçi, Robert C. O

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), ka reaguar pas rrëzimit të Qeverisë së Albin Kurtit.

DASH ka thënë se SHBA-të janë me njerëzit e Kosovës, duke lavdëruar institucionet dhe profesionistët e shëndetësisë që po punojnë për të zvogëluar përparimin e COVID-19 në Kosovë.

DASH ka konfirmuar se do të punojë me çdo qeveri të formuar përmes procesit kushtetues, përcjell Bota sot.

Në deklaratën e lëshuar nga DASH, theksohet se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbime territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç kanë spekuluar disa.

“I dërguari i posaçëm nga presidenti Richard Grenell nuk e ka parë dhe as diskutuar kurrë një plan të tillë”, thuhet në deklaratën e përbashkët e të dërguarit special presidencial Richard Grenell, ambasadorit Philip Kosnett dhe Përfaqësuesit Special për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer për Kosovën.

Amerika ka kërkuar poashtu heqjen e plotë të tarifës, pasi ajo sipas saj, po dëmton popullin e Kosovës dhe bashkëpunimin rajonal.

Deklarata e plotë e DASH-it:

Deklarata e përbashkët e të dërguarit special presidencial Richard Grenell, ambasadorit Philip Kosnett dhe Përfaqësuesit Special për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer për Kosovën

Shtetet e Bashkuara janë me njerëzit e Kosovës. Ne i lavdërojmë përpjekjet e vazhdueshme të profesionistëve të shëndetësisë dhe të tjerëve që janë duke punuar shumë, me rrezik të madh, për të zvogëluar përparimin e COVID-19 në Kosovë. Në këtë kohë të pasigurisë, ne i nxisim krerët e Kosovës që të ndjekin Kushtetutën e Kosovës dhe sundimin e ligjit. Ne jemi të përkushtuar që të punojmë me çdo qeveri të formuar përmes procesit kushtetues.

Përveç kësaj, ne vazhdojmë t'i nxisim udhëheqësit e Kosovës që të heqin plotësisht tarifat. Ne besojmë se tarifat po dëmtojnë popullin e Kosovës, duke penguar bashkëpunimin rajonal kundër COVID-19 - përfshirë edhe duke vonuar hyrjen në Kosovë të furnizimeve të nevojshme - dhe duke penguar rritjen ekonomike.

Ne duam të sqarojmë se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbime territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç kanë spekuluar disa. I dërguari i posaçëm nga presidenti Richard Grenell nuk e ka parë dhe as diskutuar kurrë një plan të tillë. Fokuesi i qeverisë amerikane në mbështetjen e marrëveshjeve të fundit për të rivendosur lidhjet ajrore, hekurudhore dhe autostradës midis Kosovës dhe Serbisë synon të përmirësojë ekonominë dhe të krijojë një vrull ekonomik. Ne besojmë se ky vrull do t'i japë energji të re procesit të dialogut që do të çonte në njohje të ndërsjellë./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat