Grenell flet për shkëmbim të territoreve, jep detaje nga biseda që kishte pasur me Kurtin

Aktuale

Grenell flet për shkëmbim të territoreve, jep detaje nga biseda që kishte pasur me Kurtin

Më: 27 mars 2020 Në ora: 21:11
Richard Grennell

(E plotësuar) - Emisari  i Presidentit Amerikan në bisedimet Kosovë –Serbi Richard Grenell, ka thënë se Shtetet e Bashkuara kërkojnë heqjen e taksës në mënyrë që të vazhdojë bashkëpunimi dypalësh.

“Duam që të largohet taksa në mënyrë që të vazhdojnë bashkëpunimi dhe puna jonë dypalëshe” ka thënë ai.

Grenell ka thënë se SHBA beson se taksa ishte duke e dëmtuar popullin e Kosovës.

“Ne besojmë se taksa duhet të largohet pa mëdyshje dhe menjëherë, sepse po e lëndonte popullin e Kosovës. Nuk është duke e ndihmuar zhvillimin ekonomik, që është qëllimi ynë, prandaj ne ishim duke u siguruar që të gjitha agjencitë qeveritare të Shteteve të Bashkuara do ta përkrahnin atë politikë” ka theksuar Grenell.

Grenell siguron: Kurrë, kurrë nuk është folur për shkëmbim të territoreve, për mua nuk është opsion i mirë

Emisari  i Presidentit Amerikan në bisedimet Kosovë –Serbi Richard Grenell, ka siguruar se asnjëherë nuk ka folur me Thaçin e Vuçiq rreth shkëmbimit të territoreve si një zgjidhje ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Kurrë. Kurrë nuk është ngritur si çështje në praninë time dhe siç thashë, kjo nuk është diçka që e kam parë ose që është folur për të dhe meqë ra fjala, më lejoni të jem shumë i qartë. E kam thënë këtë më parë. E kemi thënë këtë në Twitter, kemi lëshuar deklarata për medie, kur ato kanë kërkuar. Kjo nuk është hera e parë që kemi qenë të qartë se këto thashetheme janë thjesht kaq, janë thashetheme” ka thënë ai.

I pyetur nëse për të shkëmbimi i territoreve është një opsion i mirë, Grenell e ka përjashtuar këtë. “Unë personalisht jo. Unë nuk e shoh këtë si opsion”, ka thënë emisari amerikan.

Grenell: Kurti më shikoi drejt në sy dhe më tha se do ta heqë taksën

Emisari  i Presidentit Amerikan në bisedimet Kosovë –Serbi Richard Grenell, ka zbuluar detaje të bisedave me Kryeministrin në dorëheqje Albin Kurtin duke thënë se ai i kishte premtuar heqje të taksës.

“Ai më shikoi në sy dhe tha se ata do ta largojnë taksën”, ka thënë Grenell. Sipas tij, është qëndrim i Shtetet e Bashkuara se “taksa prej 100 për qind që është zbatuar para z.Kurti ka qenë duke i dëmtuar ekonominë dhe popullin e Kosovës më së shumti”.

“Prandaj, për ne nuk ka kuptim që të ketë politika që janë duke e dëmtuar ekonominë, që nuk i lejojnë bizneset të lëvizin përpara dhe të krijojnë vende pune. Kjo i prek të rinjtë që duan vende pune dhe kur politikat e dëmtojnë vetë ekonominë, nuk duhet të pritet nga ne, Shtetet e Bashkuara, që të vazhdojmë t’i përkrahim politikat që janë duke i dëmtuar njerëzit dhe aktivitetin e krijimit të vendeve të punës” ka shtuar Grenell për Emisionin Pressing.

Emisari amerikan ka thënë se ekonomia amerikane, nën udhëheqjen e Trumpit ka qenë e mahnitshme dhe se pikërisht për Kosovën e Serbinë Trump i kishte kërkuar atij që të ndihmojë për të krijuar hapa nxitës ekonomikë dhe një atmosferë pro-biznesore në mënyrë që të rinjtë të gjejnë vende pune.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat