PDK propozon Pako Financiare në vlerë prej 300 milionë euro, atë të qeverisë e quan të mangët

Aktuale

PDK propozon Pako Financiare në vlerë prej 300 milionë euro, atë të qeverisë e quan të mangët

Më: 28 mars 2020 Në ora: 15:40

Partia Demokratike e Kosovës, përmes zëdhënësit Avni Bytyçi, mbajti konferencë për media lidhur me situatën aktuale në vend lidhur me pandeminë COVID-19, dhe Pakon Financiare.

Dje, Ministria e Financave ka hartuar një pako të emergjencës fiskale për t’i ndihmuar qytetarët në nevojë dhe bizneset e prekura nga koronavirusi.

Sipas Bytyçit, Qeveria në detyrë e Kosovës ka prezantuar një pako, siç tha ai, të vonuar dhe të mangët të masave emergjente për të trajtuar problemet ekonomike të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

“Këto masa, edhe pse të nevojshme, në këto rrethana kanë ardhur shumë vonë. Ne jemi në javën e tretë tani më të shfaqjes së pandemisë së virusit COVID-19 në Kosovë dhe këta hapa do të duhej të ndërrmerreshin shumë më herët, për të minimizuar dëmet e pandemisë ndaj ekonomisë së Kosovës”, tha Bytyçi.

Tutje, ai tha se PDK-ja thekson nevojën që nga buxheti i shtetit menjëherë të lansohet Fondi i Posaçëm për Emergjencën, që sipas Bytyçit, do të mundësojë ndërmarrjen e masave të shpejta dhe të domosdoshme për sanimin e dëmeve ekonomike, përmes miratimit të një Pakoje Financiare për bizneset dhe punëtorët e sektorit privat, në vlerë prej së paku 300 milionë euro.

“Për këtë kemi ofruar edhe modelimet e sakta financiare dhe veprimet që duhet te ndërmerren menjëherë. Por, qeveria nuk i mori parasysh propozimet tona dhe dje publikoi disa masa të tjera, të cilat nuk do të mund të adresojnë në nivelin e duhur dhe të nevojshëm krizën ekonomike”, tha Bytyçi.

Sipas tij, në pajtim me ligjin dhe Kushtetutën, që dje, Kryeministri në detyrë do të duhej të thërriste seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për të bërë plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Buxhetin e vitit 2020.

“Nuk ka asnjë rrugë tjetër ligjore për të ndarë dhjetëra miliona euro për shpenzime që nuk janë të parapara në ligjin aktual. Për të realizuar pagesat e propozuara, rishikimi i buxhetit është i pashmangshëm dhe kjo duhet të ndodhë menjëherë. Në kohën kur Qeveria ka humbur shumicën parlamentare, ky rishikim mund të ndodhë vetëm në koordinim me të gjitha partitë parlamentare. Përkundër që buxheti i vitit 2020 u miratua në mënyrë klandestine, prapa shpinës së deputetëve të opozitës, si PDK shprehim gatishmërinë tonë që në çdo kohë të marrim pjesë në seancë për të mundësuar miratimin e masave që lehtësojnë situatën shumë të vështirë ekonomike, veçanërisht të bizneseve dhe të punëtorëve të sektorit privat”, tha tutje ai.

PDK-ja, përmes Bytyçit, ka publikuar masat që kanë propozuar dhe që duhet të ndërmerren si pjesë e Pakos Financiare janë:

1. Pagesa nga qeveria e një rroge optimale për punëtorët e sektorit privat. Nuk duhet të jetë referencë paga minimale, por paga mesatare në sektorin privat. Paga prej 170 euro është tepër e vogël, sidomos në këtë kohë të krizës. Punëtorët e sektorit privat nuk duhet t’i trajtojmë si kategori sociale, por si kontribues të rendësishëm të ekonomisë sonë. Propozimi ynë është që paga për punëtorët e sektorit privat duhet të jetë 300 euro;

2. Shtesat për pagat e punëtorëve që janë në vijën e parë të frontit në luftën kundër koronavirusit duhet të jenë 300 euro në muaj për secilin. Këtu duhet të përfshihet personeli i shëndetësisë, i policisë, zjarrëfikësit, ushtarët e FSK-së, personeli i shërbimit korrektues, personeli i Inspektoratit të Tregut, i Inspektoratit Sanitar, etj. Po ashtu, nga 150 euro duhet të ndahen edhe për punëtorët e ndërmarrjeve publike, në nivel qendror dhe në nivel komunal, që ndërlidhen me shërbimet bazike, siç janë furnizimi me ujë dhe me energji elektrike, në kohën kur personeli i këtyre ndërmarrjeve është në terren çdo ditë, për të garantuar furnizimin e vazhdueshëm të qytetarëve me këto shërbime të domosdoshme;

3. Krijimi i një linjë të kreditimit emergjent prej 80 milionë euro me interes zero dhe periudhë 2-vjeçare të kthimit për bizneset e dëmtuara nga masat restriktuese për shkak të pandemisë, në mënyrë që ata të mund të mbulojnë shpenzimet rrjedhëse dhe të mund të rimëkëmbën pas kthimit të normalitetit;

4. Të subvencionohet pagesa e qerave të bizneseve që janë mbyllur si pasojë e krizës në masën prej së paku 50% të kostos;

5. Krijimi i një fondi humanitar prej së paku 40 milionë euro për të financuar furnizmin me ushqime dhe me produkte esenciale për kategoritë në nevojë, si dhe për të mbuluar kostot e barnave për qytetarët e moshës mbi 60 vjeç.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat