Drekat e pushtetarëve të PAN-it i kushtuan Kosovës 3.7 milionë euro

Aktuale

Drekat e pushtetarëve të PAN-it i kushtuan Kosovës 3.7 milionë euro

Më: 28 mars 2020 Në ora: 19:00
PAN

Të gjitha institucionet e Kosovës, duke përfshirë ato qendrore dhe lokale kanë shpenzuar 3.7 milionë euro në vitin 2019 për dreka zyrtare.

Këto të dhëna janë publikuar nga Ministria e Financave në Raportin vjetor financiar të vitit 2019, të dhëna që nuk janë ende të audituara.

Në vitin 2018, organizatat buxhetore kishin shpenzuar 3,409,000 milionë euro për dreka zyrtare apo 364,000 mijë euro më pak se në vitin 2019.

Image

Shumë më pak këto institucione kishin shpenzuar në vitin 2017. Për dreka zyrtare në vitin 2017 ishin harxhuar 2,901,000 milionë euro, 872 mijë euro më pak se në vitin 2019 dhe 508 mijë euro më pak se në vitin 2018.

Në raportin vjetor financiar 2019 janë të përfshira pasqyrat financiare të pa-audituara të të gjitha institucioneve që janë në kuadër të Buxhetit të Republikës së Kosovës, por nuk përfshihen ndërmarrjet publike.

Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj e kishte marrë mandatin më 9 shtator 2017.

Qeveria Haradinaj do të mbahet mend për numrin më të madh të zëvendëskryeministrave, ministrave e zëvendësministrave. Kryeministri ka pas vetes 5 zëvendëskryeministra, 21 ministra dhe mbi 70 zëvendësministra.

Qeveria e Kosovës, në krye me Ramush Haradinajn rreth 1 muaj pas ardhjes së saj në pushtet kishte marrë vendim që t’i falë borxhet për ambalazhuesit e ujit. Në mbledhjen e 5 qershorit të vitit 2018, qeveria Haradinaj mori vendim që t’i ndajë 53 milionë euro shtesë për kompaninë “Bechtel&Enka” për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup.

Gjithashtu, Qeveria Haradinaj do të mbahet mend edhe për shpenzimin e rezervave shtetërore.

Qeveria e Kosovës, kishte shpenzuar gati gjysmën e rezervave shtetërore vetëm për tre muajit e parë të vitit 2018. Për shpenzimin e këtyre mjeteve shqetësim kishte ngritur edhe atëherë ministri i Financave, Bedri Hamza duke thënë se “rezervat janë duke shkuar kah fundi”.

Haradinaj kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit më 19 korrik të vitit 2019.

Më 22 gusht 2019, me 89 vota për, 1 kundër dhe 2 abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Zgjedhjet e parakohshme janë mbajtur më 6 tetor 2019. Fituese e këtyre zgjedhjeve doli Lëvizja Vetëvendosje. Pas bisedimeve disa mujore, më 3 shkurt 2020, koalicioni LVV-LDK formoi qeverinë me kryeministër Albin Kurtin.

Qeveria Kurti është rrëzuar më 24 mars, me mocion votëbesimi, të iniciuar nga LDK. LDK e ka iniciuar këtë mocion pasi kryeministri në detyrë Albin Kurti shkarkoi Agim Veliun nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike./Kallxo

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat