Komunat presin mbështetje të mëtutjeshme nga qeveria

Aktuale

Komunat presin mbështetje të mëtutjeshme nga qeveria

Më: 30 mars 2020 Në ora: 13:43
Sazan Ibrahimi

Komunat e Kosovës kanë mirëpritur propozimet e qeverisë për pakon emergjente, mirëpo presin mbështetje të mëtutjeshme në luftën kundër COVID-19. Kështu deklaroi kryetari i Asosacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i cili lavdëroi edhe koordinimin mes nivelit lokal dhe atij qendror.

Në një intervistë për KosovaPress, Ibrahimi tha se në fillim ka qenë një moskoordinim total i nivelit qendror me nivelin lokal, pasi sipas tij, të gjitha kapacitetet dhe energjia u fokusua në nivelin qendror duke e lënë anash nivelin lokal. Mirëpo Ibrahimi tha se situata ndryshoi për të mirë me krijimin e Grupit Ndërinstitucional për Menaxhimin e Incidenteve.

Megjithatë, ai tha se niveli lokal pret mbështetje më të madhe për shkak se edhe situata do të ishte më lehtë e menaxhoheshe edhe për Qeverinë e Kosovës.

Ibrahimi: Mbështetja duhet të vazhdoje për komunat e Kosovës

“Me këtë nuk do të thotë që komunat nuk kërkojnë përkrahje të mëtutjeshme dhe harmonizim të qëndrimeve edhe të forcohet ky bashkëpunim në të ardhmen, mirëpo besojmë që një përkrahje financiare e cila është premtuar dhe zotuar nga niveli qendror ndaj komunave do të ndodhë në mesin e kësaj jave ose me fillim të javës së ardhshme dhe do të jetë një injeksion shumë i fortë për komunat sa i përket luftës për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Jeta e qytetarëve është në nivelin lokal, nëse në nivelin lokal investohet më shumë në parandalimin e përhapjes se COVID-19, atëherë edhe institucionet qendrore do ta kenë shumë më të lehtë, në të kundërtën nëse institucionet lokale nuk përkrahen n atë masë atëherë edhe institucionet qendrore do ta kenë shumë të vështirë”, deklaroi Ibrahimi.

I pyetur se cilat janë kërkesat më të shpeshta të komunave, Ibrahimi përmendi pajisjet mbrojtëse si dhe dërgimin e më shumë ekspertëve nëpër komuna.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë që luftën për parandalimin e përhapjes së COVID-19 ta udhëheqin komunat me përkrahjen e Qeverisë së Kosovës.

Ibrahimi: Parandalimi i përhapjes së virusit më mirë të bëhet në nivelin lokal

“Doreza, maska të fytyrës, medikamente, ndoshta dërgimin e ekspertëve në nivel lokal më shumë, te kemi më shumë përqendrim në nivelin lokal sepse jeta zhvillohet në nivelin lokal. Më mirë të punohet në parandalimin përhapjes së këtij virusi në nivelin lokal sesa të priten raste të vijnë në nivelin qendror përkatësisht në QKUK. Nëse ndërmerren masa më seriozisht të luftohet përhapja e këtij virusi në nivel lokal, atëherë nuk do të kemi përhapje aq të madhe. Mendojmë se situata është nën kontroll mirëpo nëse ky kontroll mbahet edhe 2-3 javë do të ishte mirë. Besojmë që nëse niveli lokal përkrahet me masa të ndryshne stimuluese por edhe financiare atëherë QKUK do të jetë më pak e ngarkuar”, vijoi Ibrahimi.

Një ndër kërkesat e Asosacionit të Komunave të Kosovës ka qenë edhe ndryshimi i orarit të kufizimit të lëvizjes e cila është marrë parasysh dhe ndryshuar nga Qeveria e Kosovës.

Ibrahimi tha se komunat tashmë janë më të kënaqura me orarin e ri, mirëpo kërkoi nga institucionet që të gjithë ata që shkelin këto vendimet të gjobiten sipas dispozitave në fuqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat