Bahtiri: Jam me LDK-në e Ibrahim Rugovës

Aktuale

Bahtiri: Jam me LDK-në e Ibrahim Rugovës

Më: 30 mars 2020 Në ora: 19:09
Agim Bahtiri

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka folur rreth prishjes së koalicionit ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai ka thënë se është çdoherë me LDK-në e presidentit historik Ibrahim Rugovës, por jo atë të grupeve.

“Po ju them të vërtetën. Kam qenë ithtar i fuqishëm që ky koalicion [VV-LDK] të bëhet sepse e kam parë si të vetmen zgjidhje për t’i çuar proceset përpara”.

“Bahtiri çdoherë do të jetë me LDK-në e Rugovës, por jo të grupeve. Sipas mendimit tim, e kanë bërë një pabesi në aspektin e çështjes së koalicionit”, tha ai.

I pyetur se a do t’i bashkohet LDK-së, Bahtiri ka thënë se këtë kërkesë e ka pasur prej kohësh.

“Këtë kërkesë e kam pasur qysh prej fillimit nga Isa Mustafa dhe nga shumë miq që kam në LDK. Por unë jam përcaktuar për një parti – jam këtu ku jam. Me frymën e Rugovës do të jem çdoherë. Në këtë situatë kur vendi po përballet me një pandemi, nuk është dashur të rrëzohet Qeveria. Po të kishte qenë Rugova, kjo kurrë nuk do të kishte ndodhur”.

“Unë jam kundër grupeve të interesit të caktuar në LDK. Po të ishte Rugova gjallë kurrë nuk do ta kishte lejuar prishjen e Qeverisë në një situatë të tillë. Kur Qeveria po e menaxhonte mirë këtë situatë, ata ia hoqën fuqinë e vendimmarrjes dhe kjo nuk shkon në favor të askujt”.

Ndryshe një  deklaratë e Bahtirit sot se në rast se formohet një qeveri e re pa shkuarje në zgjedhje do të ketë vëllavrasje, ka shkaktuar reagime të  shumta.

Bahtiri i ka bërë apel presidentit Hashim Thaçi që të ketë kujdes dhe t’i shpallë zgjedhjet.

Lidhur me këtë deklaratë, me urdhër të prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, është intervistuar sot Kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut Agim Bahtiri, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, nga neni 141 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndëfkohë Bahiri ka deklaruar se nuk ka bërë thirrje për vëllavrasje dhe se deklarata e tij për formimin e Qeverisë së re është nxjerrë nga konteksti. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat