Haradinaj: Jemi gëzuar kur ia kemi qitur votën për ta rrëzuar Qeverinë Kurti

Aktuale

Haradinaj: Jemi gëzuar kur ia kemi qitur votën për ta rrëzuar Qeverinë Kurti

Më: 30 mars 2020 Në ora: 21:20
Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti për heqjen e taksës ndaj Serbisë, duke thënë se ai me këtë veprim i ka turpëruar të gjithë qytetarët e Kosovës.

Gjatë emisionit Debat Plus në TV Dukagjini, ish-kryeministri  Haradinaj ka thënë se me heqjen e taksës, Kurti e ka humbur vlerën e saj.

“Ia ka humbur vlerën. Mënyra qysh e heq taksën, na turpëroi para të gjithëve. Jemi gëzuar kur ia kemi qitur votën për ta rrëzuar Qeverinë Kurti”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se ish-udhëheqësja e dialogut Prishtinë-Beograd, Frederica Mogherini, e kishte larguar SHBA-në nga tavolina e negociimit. Për këtë arsye, ai ka thënë se ka pasur përplasje të ashpra me të.

“Ajo e largoi nga tryeza Amerikën duke fshehur dialogun edhe nga shtetet e tjera evropiane, prandaj edhe në takime kemi pasur debate të ashpra dhe kam kërkuar kthimin e amerikanëve në tavolinë”, ka thënë ai.

Haradinaj ka thënë se ka pasur edhe momente të tensionuara me miqtë amerikanë, por kurrë nuk i ka prishur marrëdhëniet sikurse kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat