Edhe Kamenica preket nga koronavirusi, flet kryetari Qëndron Kastrati

Aktuale

Edhe Kamenica preket nga koronavirusi, flet kryetari Qëndron Kastrati

Më: 30 mars 2020 Në ora: 22:03
Qëndron Kastrati

Janë konfirmuar 12 raste të reja me COVID19 në Kosovë.

 “Rastet pozitive janë raste kontakti, 5 prej të cilëve janë me vendbanim në Malishevë. 3 me vendbanim në Fushë Kosovë, 2 me vendbanim në Prishtinë, 1 me vendbanim në Mitrovicë dhe 1 në Kamenicë”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Ndërsa, përmes një postimi të bërë në Facebook, kryetari i Kamnicës i është drejtuar qytetarëve të kësaj komune.

Ai ka thënë se tashmë kanë rastin e parë me COVID19, dhe gjendja e këtij personi është e mirë.

Derisa ka ftuar qytetarët që duhet të përfillen udhëzimet e institucioneve dhe dalja të jetë opsion i fundit.

Ky është postimi i tij:

Qytetarë të nderuar të Kamenicës,

Siç keni mund ta dëgjoni edhe përmes lajmeve, është regjistruar rasti i parë me COVID-19 nga Kamenica. Gjendja e personit në fjalë është e mirë. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me IKShP-në.

Siç e dimë tanimë, mënyra kryesore se si ne mund të mbrohemi nga ky virus është sidomos përmes shmangies së kontaktit me njerëz dhe pastrimit të duarve.

Virusi është i padukshëm, mirëpo efekti është shumë i rrezikshëm. Duke qenë mospërfillës ndaj udhëzimeve të institucioneve, ne mund të rrezikojmë jetën e më të dashurve tanë, shëndetin e prindërve, apo të tjerëve me sëmundje kronike.

Andaj, merreni me shumë seriozitet! Dalja jashtë të jetë opsioni i fundit. Vetëm kur është e domosdoshme.

Shfrytëzojeni këtë kohë për të riparuar diçka rreth shtëpisë, reflektoni rreth planeve pas kësaj periudhe, a luani ndonjë lojë me fëmijët. Ju e dini më së miri! Por asesi mos dilni pa nevojë.

Nëse mund të themi që ka diçka pozitive në këtë çështje, është se të gjithë jemi brenda pa dallim: i pasur e i varfër, i ri e i vjetër, biznesmen e punëtorë. Andaj të bashkuar, ndarazi, do t’ia dalim!

Forca Kamenicë!

#RriNshpi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat