Planifikohet kthimi i 1600 personave, në karantinën ka kapacitet për 130 persona

Aktuale

Planifikohet kthimi i 1600 personave, në karantinën ka kapacitet për 130 persona

Më: 31 mars 2020 Në ora: 16:33
Ilustrim

Rreth 400 persona aktualisht janë të vendosur në karantinë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, të cilët janë kthyer nga shtete të ndryshme. Sot është bërë e ditur se planifikohet të kthehen edhe 1 mijë e 600 persona të tjerë, mirëpo në Qendrën e Studentëve ka kapacitete vetëm edhe për 130 persona.

Zëvendësministër i Shëndetësisë, Izet Sadiku, i cili edhe menaxhon me karantinën në Qendrën e Studentëve, tha se kapacitetet në këtë qendër janë të limituara për shkak se një dhomë përdoret vetëm për një person.

Në bazë të kësaj, ai tha se aktualisht kanë të lira vetëm 130 vende që mund të shfrytëzohen.

 “Rreth 400 qytetarë janë vendosur në karantinë në Qendrën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës. Kapacitetet e saj janë të limituara për shkak se ne i kemi shfrytëzuar apo kemi përdorur një banjo për një person të vendosur aty, me qëllim që të krijojmë mundësinë që ata të mos kenë kontakte me njëri-tjetrin, kështu që ne kemi rreth 100 deri 130 vende, nuk ka më shumë në Qendrën e Studentëve”, tha ai.

Ai tha se i gjithë kthimi i shtetasve të Kosovës nga vende të ndryshme të botës do të bëhet në mënyrë të organizuar dhe në bashkëpunim me të gjithë akterët e përfshirë në këtë proces.

“E gjitha bëhet në harmonizim me neve, kthimi i tyre gjithmonë është bërë në harmoni me neve duke i koordinuar punët. Deri tash të gjitha këto veprime kanë qenë të koordinuara, do të thotë Qeveria e Kosovës i ka koordinuar të gjitha veprimet dhe besoj që edhe në të ardhmen do të kemi veprime të koordinuara”, potencoi Sadiku.

Zëvendësministër Sadiku deklaroi se deri në fund të kësaj jave pritet të lirohen një pjesë e personave që janë në karantinë, pasi që bëhen 14 ditë prej kur janë vendosur. E në këtë mënyrë, ai tha se do të krijohen vende të lira për persona të tjerë.

“Gjatë kësaj jave pritet që deri në fund të javës të lirohet një numër i personave që janë në karantinë, për shkak se ata e kryejnë afatin dy javor të qëndrimit të tyre në karantinë. Pastaj, pas bërjes së testeve ata mund të shkojnë nëpër shtëpitë e tyre”, tha ai.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, sot ka bërë të ditur se nga Zvicra janë regjistruar për kthim 481 veta, në Gjermani – 420 veta; në Turqi – 259 veta; Suedi/Finlandë – 116 veta; Belgjikë – 84 veta; Mbretëri e Bashkuar – 61; Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ashtu 61 veta; Slloveni – 58 veta, Francë – 46 veta, dhe dhjetëra shtetas që ndodheshin në disa shtete të tjera.

Të gjithë personat që do të kthehen në Kosovë, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës do të vendosen në karantinë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë për 14 ditë. Deri më tani në Kosovë janë 108 raste të konfirmuara me virusin COVID-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat