Stavileci: Deri në mesditë kanë hyrë 44 mauna me mallra në vlerë prej 250 mijë euro

Aktuale

Stavileci: Deri në mesditë kanë hyrë 44 mauna me mallra në vlerë prej 250 mijë euro

Më: 3 prill 2020 Në ora: 18:29
Foto ilustrim

Në ditën e tretë të vendimit të masës së reciprocitetit, në pikat kufitare ka vazhduar futja e mallrave nga Serbia në Kosovë. Pas heqjes së taksës 100 për qind nga qeveria Kurti, deri në mesditë në pikat kufitare kanë hyrë 44 mauna në vlerë prej 250 mijë euro. Në Doganën e Kosovës thonë se masa e reciprocitetit me Serbinë po zbatohet, dhe se nuk ka pasur emërtime antikushtetuese në dokumentet nga Serbia.

Vetëm në pikën kufitare në Merdarë nga mëngjesi kanë hyrë katër mauna me mallra me origjinë nga Serbia. Arton Lushaku, shef i ndërrimit në këtë pikë kufitare, tregon se këto maune kanë importuar mallra të ndryshme.

Lushaku: Nga mëngjesi kanë hyrë katër mauna me mallra nga Serbia

“ Nga mëngjesi kanë hyrë katër mauna me mallra me origjinë nga Serbia. Kemi mallra të ndryshëm, ka industri kimike, ka industri ushqimore, ambalazhë e tjera…(00:47)Deri më tani nuk kemi hasur në diçka që ka rënë në kundërshtim me vendimin e qeverisë. Që do të thotë që gjithçka është respektuar, pra masa e reciprocitetit është respektuar në përgjithësi”, thotë ai.

Ndër të tjera, Lushaku thotë se mallra nga Serbia janë importuar më shumë pas heqjes së taksës ndaj lëndës së parë, krahasuar me mallrat që kanë hyrë në Kosovë pas vendosjes së masës së reciprocitetit.

Për këtë, zëdhënësi për media në Doganën e Kosovës, Adriatik Stavileci për KosovaPress deklaron se vetëm gjatë ditës së sotme në gjitha pikat kufitare kanë hyrë 44 maune nga Serbia, në vlerë prej 250 mijë euro.

Stavileci: Kemi rreth 44 mauna të cilat kanë ardhur nga Serbia

“Ditën e parë kemi pasur një import të ulët, pra vetëm 16 mauna kanë qenë nga Serbia, derisa nga Bosnja nuk ka pasur. Derisa në ditën e dytë kemi pasur rreth 100 mauna të cilat kanë hyrë nga Serbia me vlerë rreth gjysmë milioni euro. Këto kryesisht kanë qenë me produkte ushqimore si dhe me industrinë kimike, po ashtu edhe me industrinë ndërtimore. Derisa sot për momentin që ne flasim kemi rreth 44 mauna të cilat kanë ardhur nga Republika e Serbisë. Dhe vlera e tyre deri në këtë moment është rreth 250 mijë euro, pra është më e ulët se dy ditët paraprake. Derisa sot kemi edhe katër importet e para nga Bosnja, të cilat kanë një vlerë rreth 30 mijë euro”, deklaron Stavileci.

E, pas heqjes së taksës për lëndën e parë, nga data 20, Stavileci tregon se ka pasur import në vlerë prej një milion euro.

Stavileci: Pas heqjes së taksës së lëndës së parë kemi pasur rreth 1 milion euro import

“Kemi pasur rreth 1 milion euro import, kryesisht nga Serbia, ndërsa nga Bosnja nuk kemi pasur të lëndës së parë. Por, mund t’iu them që lënda e parë, edhe para vendosjes së taksës brenda vitit kemi pasur nga Serbia rreth 26 milionë euro import të lëndës së parë, që është një shifër mjaft e vogël krahasuar me totalin e importit të Serbisë që kemi pasur mes 450 milionë euro brenda një viti”, shton ai.

Ndër të tjera, ai thotë se nga Dogana e Kosovës masa e reciprocitetit po respektohet, derisa thekson se deri më tani janë bërë 200 kërkesa nga Serbia e Bosnjë-Hercegovina. Për këtë, siç thotë ai nuk është parë asnjë emërtim antikushtetues në dokumentet nga Serbia gjatë importit.

Ndryshe, tri ditë më parë Qeveria në detyrë e Kosovës, ka hequr taksën 100 për qind. Ky vendim obligon që në marrëdhëniet me Serbinë emërtimet e certifikatave fitosanitare dhe dokumentet e tjera përcjellëse si dhe certifikatat veterinare dhe dokum entet e tjera përcjellëse të përdoren në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. /Sh.Pajaziti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat