Dyshohet se një grua nga Presheva vdiq nga COVID-19 pasi u infektua në spitalin e Nishit

Aktuale

Dyshohet se një grua nga Presheva vdiq nga COVID-19 pasi u infektua në spitalin e Nishit

Më: 3 prill 2020 Në ora: 22:37
Presheva

Edhe Lugina e Preshevës ka marrë të gjitha masat për mbrojtje nga koronavirusi.

Ndonëse kanë vetëm shërbimin primar shëndetësor, pra vetëm Qendra të Mjekësisë Familjare, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës detyrohen që ta shfrytëzojnë spitalin e Vranjës dhe atë të Leskocit, si spitalet më të afërta.

Ragmi Mustafa kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, ka thënë se tashmë dyshohet që një e moshuar ka ndërruar jetë për shkak të koronavirusit.

Por, sipas tij akoma nuk ka diçka zyrtare, pasi që dyshohet që e moshuara ishte infektuar me koronavirus në spitalin e Nishit, ku edhe po trajtohej para se të ndërronte jetë.

“Deri më tash ka informacione të ndryshme që po qarkullojnë por që nuk janë të vërtetuara një pjesë e mirë. Është një rast i cili është theksuar e cila dyshohet se një zonjë e vjetër e cila ka ndërruar jetë në spitalin e Nishit se ka qenë e prekur me koronavirus, por që flitet se kjo ka mundur të ndodh gjatë trajtimit të saj në spitalin e Nishit dhe jo në familje dhe jo në Luginë të Preshevës”, tregoi Mustafa.

Mustafa në një intervistë po ashtu ka bërë të ditur se 36 studentë janë kthyer nga Turqia në Bujanoc dhe të gjithë për fat të mirë nuk kanë shfaqur simptoma të koronavirusit, por që janë të detyruar që të qëndrojnë në vetizolim në shtëpitë e tyre fillimisht për 14 ditë dhe më pas do të testohen përsëri dhe do të qëndrojnë edhe 14 ditë të tjera.

“Pas marrjes së kërkesës nga studentët e Luginës së Preshevës që studiojnë në Republikën e  Turqisë ne kemi adresuar dhe me Komunën e Bujanocit me çfarë i kemi siguruar edhe transportin nga Beogradi, përkatësisht Aeroporti “Nikolla Teslla”, deri në shtëpitë e tyre. Dhe më pas në adresimin që i kemi bërë organeve përkatëse është siguruar transporti i tyre nga Stambolli deri në Beograd. Në të gjitha parametrat mjekësorë kanë dalë që nuk janë të prekur dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe iu ka shqiptuar masa e vetizolimit. Dhe 36 studentët tashmë janë të vendosur në familjet e tyre të vetizoluar. Unë po shpresoj se deri më tani të mos ketë ndonjë simptomë”, tregoi Mustafa, i cili shtoi se deri më tani asnjëri prej studentëve nuk ka shfaqur ndonjë simptomë të COVID-19.

Mustafa po ashtu ka treguar se një numër shumë i madh i qytetarëve të Luginës së Preshevës janë të vetizoluar për shkak që komunikimit dhe udhëtimeve që kanë pasur në Kosovë, Maqedoninë e Veriut por edhe në vendet e tjera.

“Unë theksoi se një numër shumë i madh i qytetarëve të Luginës së Preshevës janë në vetizolim dhe iu është shqiptuar masa përkatëse për vetizolim nga organet përgjegjëse për shkak se kanë pasur komunikim të përditshëm me Republikën e Kosovës, Maqedonisë së Veriut e posaçërisht edhe ata që kanë hyrë nga vendet e perëndimit”, tregoi ai.

Mustafa, po ashtu ka bërë të ditur se banja e Bujanocit tashmë është shndërruar në karantinë për të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Në banjën e Bujanocit janë krijuar masa që ajo të shndërrohet në karantinë dhe është krijuar karantinimi për qytetarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës. Me shumë kujdes shqiptarët e Luginës janë duke iu përmbajtur rekomandimeve të ekspertëve dhe po iu nënshtrohen atyre rekomandimeve në mënyrën më të mirë të mundshme”, theksoi Mustafa.

Tutje ai i bëri apel Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë që t’i dalin në ndihmë qytetarëve të Luginës së Preshevës pasi që siç theksoi Mustafa, kanë shumë nevojë për ndihmë në këtë situatë, pasi që kanë mungesë të mjeteve të nevojshme nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

“Apel institucioneve në Kosovë e Shqipëri që të kenë parasysh nevojën për mbrojte edhe te shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Sepse vërtetë e kemi të pasiguruar mbrojtjen sekondare dhe mbrojtja primare nuk ka mjete të nevojshme. Koronavirusi e ka rënduar edhe më shumë gjendjen e shqiptarëve”, u shpreh Mustafa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat