Veseli nga Ferizaji kërkon më shumë testime, s’flet për politikë

Aktuale

Veseli nga Ferizaji kërkon më shumë testime, s’flet për politikë

Më: 7 prill 2020 Në ora: 12:26
Kadri Veseli

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, sot e ka vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj bashkë me kryetarin e kësaj komune Agim Aliun.

Ai ka falënderuar mjekët dhe gjithë stafin shëndetësor për punën që po e bëjnë në përballjen me pandeminë.

“Mjekët dhe i gjithë personeli shëndetësor janë duke e bërë një punë të jashtëzakonshme. Nuk do t’ua harrojmë kurrë. Shumë shpejt po presim që në Kuvendin e Kosovës të kalojmë një Pako të Emergjencës Fiskale e cila do t’i ndihmojë punëtorët shëndetësorë, por edhe punëtorët në sektorin privat. Në të njëjtën kohë do ta fuqizojë rolin e komunave në ballafaqimin me këtë pandemi e cila tani më është globale”.

“Kryetari [Agim] Aliu ka bërë një punë jashtëzakonisht të mirë për vet faktin se qysh para shpërthimit të madh të pandemisë ka marrë masat për ta përgatitur Ferizajn për ballafaqimin me këtë virus i cili nuk është i lehtë dhe është i pabesë”.

Veseli ka kërkuar që të realizohen më shumë testime për Covid-19 duke marrë shembullin e Komunës së Ferizajt ku deri tani janë kryer vetëm 22 testime, njofton Klan Kosova.

“Nuk janë me rëndësi statistikat sa është me rëndësi a kemi njerëz të infektuar ose jo. Në gjithë regjionin e Ferizajt po flasim për vetëm 22 testime. Duhet të ketë më shumë testime në mënyrë që të ndalet zinxhiri i infektuesve të cilët mund ta bartin pa vetëdijen e tyre virusin të familjarët, qyteti i tyre dhe në tërë Kosovën”.

I pari i PDK-së nuk ka dashur të flasë për punën e mandatarit dhe krijimin e Qeverisë, duke thënë se kjo pjesë i takon atyre që e rrëzuan qeverinë dhe atyre që janë në qeveri.

“Për këtë pjesën politike do të rezervohem. Është çështje e atyre që e kanë bërë mocionin e mosbesimit dhe atyre që janë aktualisht në qeveri që të marrin vendime. Pozicioni jonë është shumë i qartë”.

“Ajo që është kyesore në këtë moment është se qytetarët tanë po ballafaqohen me pandeminë. Pjesa tjetër çka është shumë e rëndësishme është se cilat do të jenë pasojat pas dy ose tre muajve kur mund ta tejkalojmë këtë pandemi. Është pjesa socio-ekonomike ku preket drejtpërdrejtë sektorit privat. Kemi të bëjmë me 280 mijë punëtorë të sektorit privat që po rrezikojnë të mbesin skema sociale”.

Ai ka paralajmëruar se të premten mund të mbahet një seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës ku do të diskutohet edhe për pakon e propozuar nga PDK-ja në vlerë prej 320 milionë eurosh.

“Ne si PDK kemi marrë një iniciativë dhe presim që të premten të kemi një seancë të jashtëzakonshme. Është një pako prej 320 milionë eurosh që do t’i ndihmojë punëtorët e sektorit privat, ndërmarrësit, por edhe punonjësit shëndetësorë dhe komunat të cilat duhet të kenë mjete financiare për ballafaqimin me emergjencat që kanë”.

“Shpresoj që të premten të jetë një ditë e bashkimit e spektrit politik për ballafaqim të suksesshëm me pandeminë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat