Blerta Deliu-Kodra e quan të paskrupullt letrën e Kurtit për Lajçak

Aktuale

Blerta Deliu-Kodra e quan të paskrupullt letrën e Kurtit për Lajçak

Më: 8 prill 2020 Në ora: 19:10
Blerta Deliu-Kodra

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, e ka quajtur të papranueshme, letrën e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, drejtuar përfaqësuesit të BE-së, sllovakut, Mirsav Lajçak.

Deliu-Kodra, ka thënë se Lajçak sikurse Kurti, duhet ta dinë se Kuvendi i Kosovës, me shumicë votash ka votuar për rrëzimin e këtij të fundit nga kreu i Qeverisë.

Ajo ka shtuar se ka qenë vetë Kurti, i cili vazhdimisht ka deklaruar se askush s’mund të delegojë me Serbinë, pa pasur mbështetjen e shumicës së partive.

“Së pari, nga fakti i përgjigjes së letrës së Kurtit nga i emëruari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, lë të vetëkuptohet se ky këmbim letrash është dakorduar paraprakisht. Lajçak, duket se i ka ofruar ndihmën e kërkuar nga Kurti për të krijuar idenë e vazhdimësisë së kësaj Qeverie përtej shkarkimit nga mbi 2/3 e Kuvendit, përfshi dhe atë të komuniteteve joshqiptare”, ka thënë Deliu-Kodra.

“Ne e kujtojmë të gjithë kur Kurti argumentonte se asnjë Qeveri nuk e ka legjitimitetin popullor për të dialoguar me Serbinë, pa një konsensus të gjerë të spektrit politik dhe faktorëve publik”, ka shtuar ajo.

Letrën e Kurtit, deputetja e PDK-së e ka quajtur të paskrupullt.

“Sot, ai pa asnjë skrupull shpreh gatishmërinë, prej pozicionit të një të shkarkuari (prej pozitës së shkarkuar), të negociojë marrëveshjen më të ndjeshme për Kosovën duke përfaqësuar vetëm vullnetin e ¼ e qytetarëve votues. Por, si e përmenda më herët, mohimi i realitetit politik e përfaqësues nga ana e të emëruarit të BE-së, Miroslav Lajçak, duhet të përbëjë shqetësimin kryesor dhe vë në pikëpyetje serioze sinqeritetin e tij për t’i dhënë zgjidhje konfliktit Kosovë-Serbi”, ka shtuar deputetja e PDK-së.

Deputetja Blerta Deliu-Kodra, i ka propozuar partive parlamentare që t’i protesojnë Lajçakut, lidhur me veprimet e tij për neglizhimin e shumicës së partive.

“Mendoj se partitë parlamentare dhe Presidenti, si përfaqësues i Unitetit, duhet t’i protestojnë z.Lajçak për këtë veprim aspak miqësor ndaj vullnetit të shumicës kosovare, të shprehur në seancën e fundit të Kuvendit me 2/3 e përfaqësuesëve të popullit, shqiptar dhe atij joshqiptar”, ka thënë në fund ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat