​Kurti: Malisheva të ndihmohet më shumë - të shtojmë masat e kufizimit të lëvizjes

Aktuale

​Kurti: Malisheva të ndihmohet më shumë - të shtojmë masat e kufizimit të lëvizjes

Më: 9 prill 2020 Në ora: 11:52
Foto nga takimi

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, së bashku me ministrat Arben Vitia dhe Emilija Rexhepi, kanë vizituar sot Komunën e Malishevës, ku janë pritur nga kryetari Ragip Begaj, nga i cili janë njohur me situatën me pandeminë COVID-19 në këtë komunë, ku mbrëmë është konfirmuar rasti e parë me përfundim fatal.

Kryetari Begaj ka njoftuar kryeministrin me situatën në Malishevë, ku bilanci i të prekurve me COVID-19 është 66 persona.

Ai ka folur për zbatimin e vendimeve të qeverisë, për urdhëresën për masat shtesë për kufizim të veprimtarive të bizneseve, si dhe me menaxhimin e situatës në përgjithësi.

Begaj: Pres një përkrahje më të fuqishme

“Besoj se bashkëpunimi jonë do të rritet dhe Qeveria do të bëjë më shumë për Malishevën për shkak të rrethanave aktuale. Pres një përkrahje më të fuqishme. QKMF është e pajisur, por situata në Malishevë është alarmante për shkak të infektimeve që kemi. Besoj se qeveria do të ketë interesim shtesë për Malishevën dhe për çfarëdo hapa që do të ndërmarrin, do të jemi mirënjohës”, tha Begaj.

Kryeministri Kurti shprehu keqardhje për rastin e mbrëmshëm dhe i shprehu ngushëllime familjes, ndërsa e përgëzoi Komunën e Malishevës dhe kryetarin Begaj, për zbatimin e masave qeveritare, si dhe e përgëzoi më urdhëresën për masat shtesë të kufizimit.

Kurti: Kemi shëndetësinë në nivel jo të kënaqshëm

“Unë i shpreha ngushëllime kryetarit të komunës për qytetarin e Malishevës që ka ndërruar jetë. Është lajm i pikëlluar për të gjithë ne. Uroj që të infektuarit e tjerë të shërohen sa më parë, por edhe kufizimet janë të mëdha. Kemi shëndetësinë në nivel jo të kënaqshëm, kemi popullsinë e varfër. Duhet që institucionet qendrore e komunale të bashkëpunojnë maksimalisht që sa më pak të shpërndahet COVID-19 dhe duhet të shtojmë masat e kufizimit. Për këtë gjë kryetari Begaj dhe ministri Vitia do të jenë në kontakt të vazhdueshëm që të mos kemi edhe më shumë të infektuar. Ju bëj thirrje qytetarëve të Kosovës dhe Malishevës që të kufizojnë lëvizjet e tyre dhe të qëndrojnë në shtëpi”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti, premtoi përkrahje më të madhe për Malishevën, në fushën e furnizimeve në të gjitha sektorët.

Kurti: Malishevën ta ndihmojmë më shumë

“Tash kemi nevojë që Malishevën ta ndihmojmë më shumë dhe të kemi masa më rigoroze të vetizolimit, ashtu që në muajin prill të mos lejojmë kurrfarë ngritje të theksuar lakores së shpërndarjes që do të na bënte pjesë e vendeve tjera të Evropës dhe botës që kanë pësuar. Duhet të dalim me sa më pak pasoja dhe kjo është e mundshme të investojmë dhe të angazhohemi maksimalisht”, tha Kurti.

Ai tha se qever ia po menaxhon mirë me situatën me koronavirus, duke shtuar se prilli është muaji vendimtar në luftimin e kësaj sëmundjeje. Po ashtu Kurti tha se gjatë vizitave të tij në Malishevë dhe Prizren nuk shkon si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, por si kryeministër.

Edhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se në javët e para kanë pasur probleme me furnizime, por tani janë stabilizuar dhe Malishevës nuk do t’i mungojë asgjë sa i përket furnizimeve me mjete mbrojtëse për sektorin e shëndetësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat