Avni Bytyçi: Tri shkelje të Kushtetutës, ditë e kërkimfaljes për Kryeministrin në detyrë, jo predikime

Aktuale

Avni Bytyçi: Tri shkelje të Kushtetutës, ditë e kërkimfaljes për Kryeministrin në detyrë, jo predikime

Më: 9 prill 2020 Në ora: 16:28
Avni Bytyçi dhe Kadri Veseli

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, me rastin e deklarimit të kryeministrit në detyrë, në ditën e Kushtetutës, ka numëruar tri shkeljet e Kushtetutës në kohë rekorde, andaj sot është ditë që Kurti do të duhej të kërkonte falje, jo predikime.

Bytyçi ka potencuar se Kurti shkeli Kushtetutën duke tejkaluar kompetencat e qeverisë për lëvizjen e lirë, ndryshimin e destinacionit të 7% të Buxhetit të shtetit si dhe dispozitat kushtetuese për garantimin e ekonomisë së lirë të tregut dhe trajtimin e barabartë të ndërmarrjeve publike dhe private.

Ja postimi i Bytyçi në Facebook:

Sot, Kryeministri i shkarkuar, do të duhej të fillonte urimin e tij për Ditën e Kushtetutës me një kërkim falje për shkeljen e saj të shumëfishtë që ka bërë, ndërsa predikimet e tij dogmatike për shtetin, kushtetutën dhe barazinë le t’i kursen për pasuesit e tij.

Kurti është bërë rekordmen jo vetëm për jetën e shkurtër të qeverisë së tij, por edhe për shpeshtinë e shkeljeve kushtetuese.

Në rrethanat e pandemisë covid-19, ai shkeli Kushtetutën duke cenuar rënd rendin demokratik të shtetit, duke tejkaluar me vetëdije kompetencat e qeverisë, për të cilën edhe e mori verdiktin e Gjykatës Kushtetuese.

Mirëpo, Kurti aty nuk u ndal, ende pa kaluar shumë kohë pas këtij akt-gjykimi që e vërtetoi shkeljen e Kushtetutës, jo vetëm që nuk u pendua por ndërmori të tjera shkelje kushtetuese.

Disa javë pas propozimeve e presioneve të PDK-së, kjo qeveri nxori një paketë të vonuar financiare për pandeminë, të cilën po përpiqet ta zbatojë në mënyrë anti-kushtetuese. Ministri ka vendosur në mënyrë të paligjshme për të ndryshuar destinacionin e 7% të buxhetit, duke anashkaluar sërish Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Qeveria e shkarkuar Kurti me këtë veprim në parim, ka bërë të njëjtën shkelje sikurse ajo për të cilën morën verdiktin nga Gjykata Kushtetuese.

Pra, ka uzurpuar kompetencat e Kuvendit të Kosovës, sepse vetëm ky institucion ka të drejtë ta aprovojë plotësim-ndryshimin e buxhetit.

Dhe në fund, për t’u siguruar që rekordi do të jetë i sigurt dhe me gjasë për një kohë i pathyeshëm, Kurti mori vendimin për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit për Prokurimin Publik të Telekomit.

Me këtë akt, Qeveria e larguar, ka shkelur në mënyrë flagrante dispozitat ligjore dhe kushtetuese për garantimin e ekonomisë së lirë të tregut dhe trajtimin e barabartë të ndërmarrjeve publike dhe private.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat