AAK pro idesë për një Qeveri të LDK-së, VV-ja e quan hapin antikushtetues

Aktuale

AAK pro idesë për një Qeveri të LDK-së, VV-ja e quan hapin antikushtetues

Më: 13 prill 2020 Në ora: 19:47
Ramush Haradinaj dhe Isa Mustafa

Ora 16 e së martës do të përcaktojë nëse LDK-ja dëshiron të bëjë koalicion me AAK-në dhe Nismën Socialdemokrate.

Për këtë do të vendosin anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, pasi kreu i LDK-së, Isa Mustafa, u ka kërkuar atyre që të deklarohen në mënyrë elektronike.

Arban Abrashi ka mohuar se LDK-ja ka marrë garanci nga presidenti se do t’ia japë mandatin për ta formuar Qeverinë.

Ka thënë se nuk do të bëjnë koalicion me AAK-në dhe Nismën pa u shter mundësitë kushtetuese nga fituesi i zgjedhjeve, Vetëvendosje.

Nëse LDK-ja do të marrë mandatarin për formimin e Qeverisë së re, AAK-ja thotë se pa hezitim do ta përkrahë dhe do të bëhen pjesë e saj.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është për krijimin e një qeverie të re, sa më shpejt aq më mirë. Nëse mandatin për krijimin e kësaj qeverie do ta marrë LDK-ja, ne do ta mbështesim pa asnjë hezitim dhe njëkohësisht do të mund të ishim pjesë e kësaj qeverie, nëse kjo kërkohet prej nesh”, ka thënë Muharrem Nitaj nga AAK-ja.

Partia në pushtet, Vetëvendosje, e quan këtë përpjekje të LDK-së antikushtetuese, duke thënë se për këtë janë duke u bashkërenduar me presidentin Hashim Thaçi.

Në rast se presidenti ia kalon çështjen e mandatarit LDK-së, anëtarja e Kryesisë së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, paralajmëron se do ta dërgojnë në Kushtetuese.

Zyra e presidentit të Kosovës nuk ka treguar se edhe sa do të presë nga Vetëvendosje për çështjen e mandatarit dhe se si do të veprohet më tutje.

Por, shkurt ka thënë se kurdo që të ketë vendim nga presidenti opinioni do të njoftohet me kohë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat